Debati në Bundestagun gjerman për zgjerimin e Bashkimit Evropian | Gjermania | DW | 13.02.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Debati në Bundestagun gjerman për zgjerimin e Bashkimit Evropian

Në Bundestagun gjerman sot deputetët debatuan për problemet aktuale të politikës evropiane. Qysh në fillim të debatit zëvendësshefja e grupimit parlamentar të socialdemokratëve Angjelika Shvall-Dyren shprehu shpresën e saj se do të vazhdoj me sukses debati që ka ngecur për kushtetutën e ardhshme evropiane.

Megjithatë opozita akuzoi qeverinë për shkatërrimin e besimit në Evropë. Duke ruajtur me ngulm interesat e veta në politikën financiare dhe atë të sigurisë, qeveria është bashkëpërgjegjëse për krizën e krijuar pas dështimit të takimit të nivelit të lartë për kushtetutën e re evropiane. Deputeti i Unionit Kristian-Demokrat Peter Altmajer foli për kundërthënje të reja në mes të vendeve të mëdha e të vogla si dhe mes atyre të pasura dhe të varfëra të Bashkimit Evropian.

"Qeveria federale gjermane ndodhet e pandihmë dhe paqëndrim në mes të kësaj krize dhe nga vendet tjera anëtare për herë të parë në historinë e Bashkimit Evropian ajo shihet jo si pjesë e zgjidhjes por si pjesë në rritje e problemit", theksoi deputeti Altmajer.

Në kërkim e sipër të një kompromisi, në veprim duhet vënë të gjithë, edhe qeveria gjermane, kërkoi Altmajer. Ministri i jashtëm Joshka Fisher e bëri të qartë se nuk heq dorë nga sistemi i shumicës së dyfishtë i cili tek votat në Këshillin e Ministrave ka parasysh si numrin e shteteve ashtu dhe madhësinë e popullsisë së tyre. Vetëm me këtë sistem, i cili është paraparë në projketkushtetutën evropiane Bashkimi Evropian mund të jetë i aftë për veprim. Fisher tërhoqi vërejtjen për rrezikun e thirrjes sërish të grupit të punës për kushtetutën evropiane. Një gjë e tillë sipas mendimit të shefit të diplomacisë gjermane do të shënonte një hap prapa në këtë proces.

"Dëshirë e imja është që me kushtetutë të bëhemi që këtë pranverë. Unë mendoj se për këtë gjasat ekzistojnë dhe kontributi ynë nuk do të mungoj", theksoi Fisher.

Ai 1 majin e vitit 2004 e vlerësoi si datë historike - në këtë ditë në Bashkimin Evropian do të pranohen 10 vende të reja. Gjermania luan një rol të rëndësishëm në këtë zhvillim historik.

"Për herë të parë që prej krijimit të shtetit nacional pozicioni gjeografik qendror gjerman nuk do të jetë ngarkesë. Për herë të parë ky pozicion gjeografik qendror gjerman do të krijoj një hapësirë të sigurtë tërsisht tjetër në një Evropë që po zhvillohet bashkarisht me kufinjë të hapur" theksoi ministri i jashtëm gjerman.

Edhe pse debatuesit e të gjitha grupimeve parlamentare zgjerimin e shohin si një rast historik prapëseprapë qëndrimet e tyre ndryshojnë sa i përket planit të integrimit të vendeve tjera. Partia Socialdemokrate dhe Unioni Kristiansocial në opozitë përfaqësojnë idenë për fillimisht forcimin e Bashkimit Evropian 25 antarësh. Eshtë e rrezikshme që tani të flitet për hapat e ardhshëm, tha kristiandemokrati Volfgang Shojble duke aluduar në planet e Brukselit për pranimin në vitin 2007 të Bullgarisë dhe Rumanisë dhe marrjen e vendimit që këtë vit për fillimin e negociatave për pranimin e Turqisë.
  • Data 13.02.2004
  • Autor Nina Verkhojser
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar7e
  • Data 13.02.2004
  • Autor Nina Verkhojser
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar7e