1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Parlamenti Evropian mbështet Merkelin në çështjen e kushtetutës

Peter Stützle19 Dhjetor 2006

Mbledhje e kabinetit gjerman me kryesinë e Parlamentit Evropian

https://p.dw.com/p/Ar9K
Josep Borrel
Josep BorrelFotografi: AP

Parlamenti Evropian e mbështet kancelaren gjermane Merkel në përpjekjet e saj për realizimin e kushtetutës evropiane pavarësisht pengesave. Ky është konkluzioni i mbledhjes së mbrëmshme të kabinetit qeveritar gjerman me kryesinë e Parlamentit Evropian në zyrëmn kancelarore në Berlin. Merkel planifikon ta kthejë çështjen e kushtetutës në një temë kryesore gjatë kryesisë gjashtëmujore gjermane në Bashkimin Evropian.

Është ndërkohë traditë. Çdo gjysmë viti kryetari i Parlamentit Evropian udhëton së bashku me kryetarët e fraksioneve parlamentare në kryeqytetin e vendit, i cili do të drejtojë së shpejti këshillin ministror të Bashkimit Evropian. Në një mbledhje me kabinetin përkatës qeveritar atyre u shpjegohen synimet e kryesisë së radhës. Këtë herë në Berlin kryetarit të parlamentit Josep Borrell i bëri përshtypje arkitektura e selisë moderne të kancelarit...

"...e cila simbolizon Gjermaninë e re, të bashkuar si dhe shpresën për vazhdimin e integrimit evropian."

Shpresa drejtohet para së gjithash nga rigjallërimi i kushtetutës së Bashkimit Evropian, e cila u shpall e vdekur pas referendumeve të dështuara në Francë dhe Holandë. Nuk është ende e qartë se si do të arrihet kjo, por kancelarja dhe kryetari i parlamentit ishin të një mendjeje:

"Është e rëndësishme të ruajmë thelbin. Do të ishte një gabim i madh sikur të nisnim nga e para me negociatat. Duhet ruajtur konsensusi në çështjet e mëdha institucionale si dhe përkufizimi i vlerave themelore."

Sipas mendimit të kancelares Merkel procesi kushtetues duhet kurorëzuar gjatë kryesisë franceze në Bashkimin Evropian në vitin 2008. Synim i kryesisë gjermane është, sipas saj, tregimi i udhës që duhet ndjekur. Befasues ishte më pas një tjetër theks që vendosi në deklaratën e saj pas mbledhjes së përbashkët Angela Merkel:

"Sot folëm shumë hollësisht mbi atë që për njerëzit në Evropë nuk është e rëndësishëm vetëm mirëqenia ekonomike, por rëndësi të veçantë ka edhe siguria sociale. Ne në Gjermani me modelin tonë shoqëror të ekonomisë sociale të tregut jemi kujdesur vazhdimisht për arritjen e tyre."

Zhvendosja duke theksuar më fuqishëm elementin social, të cilën Merkel e ka krye edhe në politikën e brendshme, do të pasqyrohet pra edhe gjatë kryesisë gjermane në Bashkimin Evropian.