1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria dhe opozita akuzojnë njëra-tjetrën për dështim - Mbi debatin e përgjithshëm për buxhetin në parlament

16 Shtator 2010

Kancelarja gjermane Merkel dhe kryetari i socialdemokratëve Gabriel shkëmbyen goditje të forta verbale në parlament dje. Gjatë debatit të përgjithshëm mbi buxhetin 2011 Merkel nxorri një bilanc pozitiv të koalicionit.

https://p.dw.com/p/PD3h
Parlamenti gjerman (Bundestagu) gjatë seancës së djeshmeFotografi: picture alliance/dpa

Me një fjalim therës e hapi dje në mëngjes debatin e përgjithshëm për buxhetin kryetari i Partisë Socialdemokrate Sigmar Gabriel. Ai e kritikoi ashpër politikën e qeverisë. Ajo është përgjegjëse për 12 muaj paralizë politike në Gjermani, tha Gabriel. Sipas tij ministri i jashtëm Guido Westerwelle nuk ia ka dalë të përcaktojë kursin. Nëpërmjet mënyrës së tij të drejtimit Westwerwelle e ka dëmtuar imazhin e Gjermanisë në botë, tha ai. Gabriel e akuzoi kancelaren Angela Merkel se nuk mban parasysh të mirën e përbashkët dhe në vend të kësaj bën politikë klienteliste. Sipas tij në politikën fiskale, atë shëndetësore dhe në politikën energjetike ajo është kthyer në kancelare të koncerneve.

Bundestag Generaldebatte Haushalt
Kryetari i SPD-së Sigmar GabrielFotografi: dapd

"Ju as që e vini re se ç'dëm bëni këtu në Gjermani. Asnjëherë nuk ka ndodhur që një qeveri të degradohet në vegël të koncerneve të mëdha."

Po në një vrimë i ra edhe kryetari i Së Majtës në parlament, Gregor Gysi. Merkeli nuk është kancelarja e vegjëlisë, e punëmarrësve, e pensionistëve dhe e përfituesve të ndihmës sociale, tha ai. Ajo është kancelarja e lobiistëve, që përfaqësojnë interesat e industrisë farmaceutike, të asaj energjitike dhe të koncerneve të sigurimeve, tha Gysi.

Haushaltsdebatte März 2010 Gregor Gysi
Gregor GysiFotografi: picture alliance/dpa

Ai kritikoi se barra e krizës financiare po u ngarkohet në radhë të parë atyre që fitojnë pak dhe të papunëve. Tek ta kursen shteti, derisa shkaktarët e krizës, bankat, nuk përfshihen në dhënien e kontributit, shtoi Gysi. Në Gjermani as të pasurit nuk duhet të kontribuojnë në stabilizimin e buxhetit, tha ai.

Merkeli u mbrojt nga akuzat e opozitës. Qeveria është krenare për nxjerrjen e Gjermanisë sërish në kurs rritjeje dhe për rënien e papunësisë gjatë krizës më të rëndë të kohës së re, tha ajo.

Deutschland Bundestag Generalaussprache Angela Merkel
Bundeskanzlerin Angela Merkel (CDU) gestikuliert am Mittwoch (15.09.10) in Berlin im Bundestag bei ihrer Rede. Mit der traditionellen Generaldebatte setzt der Bundestag am Mittwoch seine viertaegigen Haushaltsberatungen fort. Foto: Maya Hitij/dapdFotografi: AP

"Ia vlen ta hedhësh vështrimin prapa. Kur para jo më shumë se pesë vjetësh u bëra kancelare, pas shtatë vjetësh nën qeverinë socialdemokrate/të gjelbër, papunësia ishte gati pesë milionë. Sot janë pak më shumë se tre, ndoshta zbresim nën tre. Ky është suksesi i punës dhe edhe suksesi i punës së koalicionit kristian-liberal."

Nga ana e saj Merkeli e akuzoi opozitën se pengon vendimet e rëndësishme të së ardhmes dhe se bllokon modernizimin e shoqërisë.

Autor: Bettina Marx / Elert Ajazaj

Redaktoi: Esat Ahmeti