1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova në tavolinën e Kremlinit

1 Qershor 2007

Presidenti grek Karolias Papulias ka biseduar me presidentin rus Vladimis Putin për Kosovën

https://p.dw.com/p/ArUp
Kremlini
KremliniFotografi: AP

Problemi i Kosovës ishte -siç pritej- një nga problemet kryesore të bashkëpunimit rajonal që presidenti grek Papulias diskutoi me homologun e tij rus në Kremlin Putin gjatë vizitës së tij triditore që po zhvillon në Moskë duke përfshirë në misionin e tij edhe katër ministra, atë të jashtëm, të mbrojtjes, të kulturës dhe turizmit.

Presidenti grek, siç u vu në dukje edhe nga analistët grekë, u diferencua bile edhe nga qëndrimi i ministrisë së jashtme siç u shpreh edhe njëherë nga shefja e diplomacisë greke Dora Bakojani, që pas takimit të saj paralel me homologun e saj rus Sergej Lavrov, u shpreh për nevojën e apovimit të një rezolute të re të Këshillit të Sigurimit dhe të një qëndrimi të përbashkët në vazhdim nga vendet anëtare të Bahkimit Evropian. Papulias i dha bile thekse të reja shqetësimit grek, të cilin e cilësoi të përbashkët me Moskën, “përsa i përket urtësisë –por edhe përgjegjësisë historike- me të cilën komuniteti ndërkombëtar duhet të menaxhojë këtë çështje” sikurse tha shprehimisht. Duhet të jepet një zgjidhje e pranueshme nga të gjithë “që nuk do të krijojë fitimtarë dhe të humbur, nuk do të poshtërojë dhe nuk do të hakmerret” tha presidenti grek dhe shprehu njëkohësisht frikën për “riciklimin e nacionalizmave që do të risjellin krizën në rajon” nga një zgjidhje të nxituar.

Paralelisht, presidenti grek kërkoi impenjim më të madh të Rusisë në çështjet evropiane edhe rajonale, duke e cilësuar atë si “të nevojshëm edhe kapital”. “Asnjë nuk mund të injorojë faktin se çështjet evropiane do të kenë defiçit në qoftë se Bashkimi Evropian nuk do të avancojë më tej bashkëpunimin me Rusinë” tha Papulias duke e cilësuar aleancën strategjike midis Rusisë edhe Bashkimit Evropian si një nga “themelet kryesore të paqës dhe stabilitetit botëror”. Në këtë kontekst sheh edhe rolin e veçantë të vendit të tij, si urë lidhëse, gjë për të cilën jo rastësisht kujtoi se “Greqia është anëtar i Bashkimit Evropian por edhe mik historik i Rusisë”.

Ekuilibri në fjalë bëhet më i vështirë kur në afrimin e mëtejshëm të saj me Moskën Greqia përballet me interesat por edhe xhelozinë e Uashingtonit. Kritikat indirekte të presidentit Putin në konferencën për shtyp për “rol imperialist” të Uashingtonit dhe ato direkte për prishjen e ekuilibrit të armëve nga insistimi për instalimin e sistemit antiraketor amerikan në Evropën Lindore e befasuan delegacionin dhe presidentin grek , icili më parë kishte shprehur urimin që “vijat ndarëse t’i takojnë përgjithmonë së shkuarës”.

Sidoqoftë Greqia, siç tregon edhe marrëveshja e bashkëpunimit për vitet 2007-2009 e nënshkruar në Moskë, me fusha prioritare ato të energjisë, mbrojtjes dhe turizmit, është e vendosur të intensifikojë bashkëpunimin me Rusinë. Dy ditë më parë ministri rus i Industrisë dhe Energjisë Kriscenko ra dakort në Athinë për zgjatjen e marrëveshjes për furnizimin me gaz nga viti 2016 deri në vitin 2040 që do të risë importin e gazit rus nga 2 në 8 miliardë metra kub në vit.