E rëndësishme për vetëbesimin! Gjermanët startojnë me fitore në Botërorin 2010
14 Qershor 2010Nën drejtimin e trajnerit Joachim Löw gjermanët duket se kanë krijuar një skuadër tepër konkuruese. Fitorja në stadiumin e Moses-Mabhida të mbushur me 62.660 spektatorë në Durban ishte e qartë. Golat për skuadrën gjermane u shënuan nga Podolski, Klose, Müller dhe Cacau.
Lukas Podolski nuk u tregua i habitur me fitoren. Që në fazën përgatitore kemi punuar shumë, tha ai. "Gjithçka që donim të vinim në jetë, e vumë në këtë lojë. "
Klose: Fitorja jep vetëbesim
Gjermanët megjithë gumëzhimën e vuvuzelave e zotëruan të gjithë lojën, dhe u duk qartë që skuadra australiane nuk i bënte dot ballë fuqisë së skuadrës gjermane.
Miroslave Klose e sheh si sinjal të rëndësishëm fitoren e lojës së parë në kampionat. Klose: "Ne krijuam respekt për veten tonë. Kjo ishte shumë e rëndësishme. U duk qartë, që ne jemi një skuadrë shumë e re, që e duam futbollin dhe kjo është shumë e rëndësishme."
Edhe trajneri i skuadrës kombëtare gjermane, Joachim Löw u shpreh i kënaqur duke theksuar se fitorja ishte shumë e rëndësishme. Asnjëherë nuk e di se si zhvillohet ndeshja e parë, tha Löw.
Në ndeshjen tjetër të po këtij grupi Ghana fitoi ndaj Serbisë me rezultatin 1:0. Në krye të Grupit D qëndron Gjermania dhe Ghana me nga 3 pikë. Po dje nga Grupi C, Sllovenia fitoi ndaj Algjerisë me rezultatin 1:0. Sot zhvillohen ndeshjet e Grupit E, Danimarkë-Holandë, Japoni-Kamerun. Nga grupi F, zhvillohet edhe ndeshja Itali-Paraguaj.
dpa/M. Cika -Kelmendi
Redaktoi: Lindita Arapi