1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Simbol për integrimin që funksionon - Inagurimi i xhamisë në Duisburg

Benjamin Satory27 Tetor 2008

Me pjesëmarrje të gjerë nga politika e kisha në Duisburg u inagurua xhamia më e madhe në Gjermani. Ceremonia u zhvillua pa protesta. Kjo falë politikës së hapur informative të bashkësisë islame.

https://p.dw.com/p/FhLp
Xhamia Merkez në DuisburgFotografi: AP

Ishte një atmosferë festive të dielën (26.10.) në Duisburg në lagjen Marxloh. Rreth 3.500 ftesa kish shpërndarë bashkësia islamo-turke tek përfaqësuesit e besimeve të ndryshme nga e gjithë bota. Sipas të dhënave të policisë në ceremoninë e inagurimit kishin ardhur 6.000 vizitorë, ndër ta edhe shumë turq e gjermanë nga i gjithë rajoni.

Në një fushë të hapur përballë xhamisë vizitorët mund të ndiqnin ceremoninë përmes një monitori të madh. Festa u zhvillua në një tendë të madhe të vendosur në sheshin e parkimit pranë xhamisë. Aty mbajti fjalimin edhe kryeministri i landit të Nordrajn-Vestfalisë, Jyrgen Rytgers (Jürgen Rüttgers). Në fjalën e tij ai e përshëndeti ndërtimin në Gjermani të xhamive të hapura për këdo. Njëkohësisht kryeministri i landit tërhoqi vëmendjen për më shumë përpjekje për integrim nga të gjitha palët: „Ne kemi dështuar me politikën 40 vjeçare të integrimit, kur shohim sot që një 70 apo 75 vjeçar, i cili ka ardhur si djalë i ri në Gjermani për të punuar, që ka kontribuar për ndërtimin e vendit tonë, por nuk flet gjermanisht. Sot mund të diskutohet gjerë e gjatë mbi arësyet dhe përgjegjësitë. Por kushdo duhet ta shohë veten në pasqyrë.“

Deutschland Duisburg Merkez Moschee eingeweiht
Vizitorë në xhaminë e reFotografi: AP

Dialog i suksesshëm i bashkësisë islame

Qysh nga fillimi i planeve për ndërtimin bashkësia islamo-turke në Marxloh u bazua tek dialogu. Një qendër kontakti në xhami ka për qëllim që të nxisë shkëmbimet ndërfetare. Dritaret e mëdha simbolizojnë transparencën dhe të qenit e hapur. Pikërisht për këtë arësye edhe në ceremoninë e përurimit ishin ftuar përfaqësues të të dyja kishave kristiane. Peshkopi i Esenit, Feliks Gen (Felix Genn) dhe kreu i kishës evangjeliste në zonën e Rinit, Nikolaus Shnajder (Nikolaus Schneider), sollën urimet. Shnajder vlerësoi politikën e hapur të informacionit që ka ndjekur kjo bashkësi: „Qysh nga fillimi i projektit ju si përgjegjës keni njoftuar hapur dhe në mënyrë transparente komunitetin. Duke kontaktuar shumë njerëz nëpër shkolla, kisha e në pjesë të tjera të qytetit, ju keni bërë për vete partnerë për këtë projekt. Kjo është arsyeja përse ndryshe nga qytetet e tjera, ku ndërtimi i xhamive është shoqëruar me protesta, ju keni gjetur këtu mbështetjen e gjerë të politikës, të kishës dhe të shoqërisë civile."

Kritika dhe rezerva kundër këtij projekti në Duisburg ka pasur fare pak. Shumica e fqinjëve janë dakord me ndërtimin e kësaj xhamie.

Ceremonia e inagurimit të xhamisë Merkez në Duisburg shënon edhe hapjen e javës së dyerve të hapura të xhamisë dhe të një sërë veprimtarive të tjera. Eshtë planifikuar edhe një simpozium mbi të ardhmen e mësimit të fesë islame. Teologë nga Turqia dhe Gjermania duan të gjejnë rrugën për vendosjen e standardeve të përbashkëta për zhvillimin e orës së mësmit, në mënyrë që të mos u lihet hapësirë forcave ekstremiste. Krahas një xhamie në Manhajm, xhamia e Duisburgut është një ndër më të mëdhatë në Gjermani. Rreth 1.200 besimtarë mund të zenë vend në një hapësirë prej 2.500 metrash katrorë. Kostot e ndërtimit janë rreth 7,5 milionë euro, prej nga 3,2 milionë janë dhënë ngalandi dhe nga BE-ja. Pjesa tjetër është financuar me donacione dhe me kredi.