1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman për Komisionin Evropian dhe anëtarësimin e Bullgarisë e Rumanisë në BE

17 Maj 2006
https://p.dw.com/p/Arpu


Bullgaria dhe Rumania kanë shanse për anëtarësim në BE në vitin 2007. KE nuk e shtyu rekomandimin e tij, por kërkoi nga të dyja vendet që ta luftojnë ndjeshëm korrupsionin dhe kriminalitetin. Në gazetat e sotme gjermane, kjo temë gjen jehonë të gjerë.

Gazeta FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG flet për një lojë dritë-hije të Brukselit për datën e anëtarësimit të Bullgarisë dhe Rumanisë e vazhdon më tej:

Kjo "ka të bëjë me tepër me mënyrën si ndihet BE se sa me mënyrën si ndihen kandidatët e anëtarësimit. BE ende nuk e ka marrë veten nga faza e madhe e zgjerimit me dhjetë anëtarë në vitin 2004. Këtë e konfirmon fati i Marrëveshjes së Kushtetutës Evropiane, por këtë e tregon edhe atmosfera skeptike në shtetet e vjetra të BE."

FINANCIAL TIMES DEUTSCHLAND vëren gjithashtu një lloj spekticizmi:

"Mungesa e rehatit, që u sjellin shumë qytetarëve, anëtarësimet e Rumanisë dhe të Bullgarisë, është e drejtë. Raportet e Komisionit të Brukselit tregojnë deficite skandaloze në këto vende në luftën kundër korrupsionit, kriminalitetit dhe drejtësisë. Por një vështrim në marrëveshjet e pranimit bën të qartë se pranimi i dy kandidatëve, më e vonta në vitin 2008 është punë e vendosur. Kjo punë mund ta ndalet vetëm nga parlamente të vendeve si Gjermania. Sepse në disa vende, përfaqësuesit e popullit nuk i kanë ratifikuar marrëveshjet ende. Por një veto e tillë e parlamentit, aktualisht duket me pak gjasa."

WESTDEUTSCHE ALLGEMEINE ZEITUNG që botohet në Essen shkruan për zgjerimin e BE:

"Bullgaria dhe Rumania kanë fatin e keq që janë të parat vende anëtare, pjekuria e të cilave për anëtarësim shqyrtohet në këtë klimë të re të lodhjes nga zgjerimi. Vështrimi hidhet më i përqëndruar dhe mangësitë përmenden me emër. Njëkohësisht, të dyja vendet kanë fatin e mirë, që marrëveshjet për pranimin e tyre kanë kohë që janë negociuar përfundimisht. Shtetet anëtare me numër 26 dhe 27 nuk mund t'i anashkalosh më. Kështu që Komisionit Evropian nuk i mbetet thuajse asgjë tjetër, se sa ta kritikojë me zë më të lartë se më parë korrupsionin dhe kaosin e drejtësisë si dhe ta mbajë Sofien ose Bukureshtin me shkrepëtima diplomatike edhe një copë herë nën presionin e reformave."


Ja edhe STUTTGARTER ZEITUNG për përparimet reale që mund të priten deri në fund të vitit nga Bullgaria dhe Rumania:

"Vetëm ai që mbyll sytë mund të përfytyrojë që Rumania dhe Bullgaria të zhvillojnë brenda një periudhe të afërt kohe standarde, ashtu si janë zhvilluar në Evropën Qendrore dhe Perëndimore në shekuj të gjatë. Në rastin e të dyja vendeve, megjithatë, në diskutim është vetëm mendimi, nëse do të bëhen anëtarë të BE në vitin 2007 apo vetëm në vitin 2008,nëse do të ndërmarrin një projekt të ashpër reformash apo jo. Kjo është një perspektivë problematike. Kush është ai që u futet mundimeve, kur anëtarësimin e ka që e ka në xhep? Politikanët kryesorë të Evropës kanë rënë në mënyrë të verbër në kurthin e zgjerimit të BE."

MITTELBAYRISCHE ZEITUNG që del në Regensburg tërheq vëmendjen në detyrimet, që i kanë vetes BE në negociatat e mëparshme:

"Edhe sikur anëtarësimi i Bullgarisë dhe i Rumanisë në BE të shtyhet edhe për një vit, çfarë do të sillte kjo? Problemi është se shtyrja me një vit është i vetmi sanksion i vërtetë. Kështu është formuluar në marrëveshjet e pranimit. Brukseli e dinte se Bullgaria dhe Rumania janë kandidatë të vështirë, por nuk gjeti aq forca sa të thoshte: nëse nuk avanconi sa duhet, atëherë nuk ka anëtarësim."

Komentatori i OSTSEE-ZEITUNG që del në Rostok e përshëndet pa rezerva zgjerimin e ardhshëm të BE:

"Lajmi i ditës ishte, Bullgaria dhe Rumania mund të bëhen, megjithë mangësitë e konsiderueshme në administratën publike, në janar 2007 anëtarë të BE. Ky ishte një konstatim i rëndësishëm dhe i arsyeshëm. Një JO ose një shtyrje e anëtarësimit më tepër do ta kishte penguar zhvillimin e të dyja vendeve, se sa do ta kishte nxitur atë. Kjo do t'u jepte krahë forcave nacionaliste dhe do t'i ngadalësonte reformat e kërkuara nga BE"