Shtatë vjet që nga hyrja në fuqi e konventës për armët kimike | Bota | DW | 28.11.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Shtatë vjet që nga hyrja në fuqi e konventës për armët kimike

Përdorimi i gazit helmues në Lindjen e Mesme ishte arsyeja për veprim në rrafshin ndërkombëtar

default

Ali Hasan el Maxhid ishte "mbreti maç" në letrat e bixhozit të shpërndara tek ushtarët nga fuqia pushtuese amerikane për të kërkuar figurat e regjimit të Sadamit. Por kushëriri i diktatorit njihej më shumë si "Aliu i kimisë". Në fund të viteve tetëdhjetë ai komandoi një fushatë asgjësuese kundër popullsisë kurde në veri të vendit dhe vuri në përdorim edhe gaz helmues. Vetëm në qytetin Halabxha humbën si pasojë jetën 5.000 vetë.

Ky rast dhe përdorimi i armëve kimike në luftën midis Irakut dhe Iranit në vitet e mëparshme ishin sinjalet e alarmit që çuan në lidhjen e marrëveshjes pas negociatave të vështira për ndalimin e armëve kimike. Në vjeshtë 1992 konferenca e Gjenevës për çarmatimin miratoi projektkonventën mbi armët kimike. Më në fund pesë vjet më vonë kishte mbërritur edhe dokumenti i 65-të i ratifikimit, kështu që marrëveshja hyri në fuqi. Ndërkohë ajo është ratifikuar nga 153 shtete, mes tyre edhe prodhuesit më të mëdhenj të armëve kimike: SHBA, Rusia dhe Kina.

Organi qendror i kontrollit që mbikqyr respektimin e konventës është organizata për ndalimin e armëve kimike me qendër në Hagë. Nga njëra anë ajo ka renditur se cilat kimikate konsiderohen armë kimike dhe si pasojë nuk lejohet të prodhohen, të magazinohen apo të eksportohen. Por përveç kësaj ajo kontrollon edhe të gjitha lëndët që mund të përpunohen për të nxjerrë kimikate. Çdo sipërmarrje që prodhon lëndë të tilla duhet të vërë në dijeni për këtë Hagën dhe qëndron më pas nën mbikqyrje të rregullt prej organeve kombëtare.

Në Gjermani janë përgjegjës për këtë Edgar Schramm dhe kolegët e tij në Entit Federal për Ekonominë dhe Kontrollin e Eksporteve. Mbikqyrje e rregullt do të thotë inspektime çdo pesë deri në dhjetë vjet, kontrolle më të shpeshta nuk janë të mundura, thotë Schramm:

"Kostoja do të ishte shumë e lartë, në qoftë se do të doje të inspektoje gjithçka; kjo nuk bëhet, sepse nuk kontrollohen vetëm prodhimi, përpunimi dhe konsumi, por edhe importi dhe eksporti.

Po ashtu konventa i detyron palët që deri në 2007-ën të asgjësohen armët kimike ekzistuese. Por Rusia që me 40.000 tonë zotëron sasinë më të madhe të këtyre lëndëve luftarake të trashëguara nga koha e Luftës së Ftohtë po bën përparim të ngadalshëm. Për këtë arsye Organizata e Kombeve të Bashkuara e ka zgjetur deri në 2012-ën afatin e përmbushjes për Rusinë, e cila përfiton në këtë kuadër një mbështetje të madhe financiare nga Berlini. Gjermanisë nga ana e saj i duhet të asgjësojë stoqe armësh kimike nga koha përpara vitit 1946, synim ky i realizueshëm deri në vitin 2007.

  • Data 28.11.2004
  • Autor Klaus Dahmann
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArRa
  • Data 28.11.2004
  • Autor Klaus Dahmann
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArRa
Reklamë