Shtajnmajer, Solana dhe Ferrero-Valdner bisedojnë në Moskë për statusin e Kosovës | Politika | DW | 05.02.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Shtajnmajer, Solana dhe Ferrero-Valdner bisedojnë në Moskë për statusin e Kosovës

Diferencat mes Rusisë dhe Bashkimit Evropian në çështjen e statusit të ardhshëm të Kosovës dolën sot sërish në pah në Moskë

Ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov

Ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov

Temë e rëndësishme diskutimi me ministrin e jashtëm rus, Sergej Lavrov ishte edhe çështja e Kosovës. Rusia do të miratojë vetëm një zgjidhje e cila është e pranueshme edhe për Serbinë, tha Lavrov. Ndërkaq në Bashkimin Evropian janë të vetëdijshëm se për për këtë çështje nuk mund të ketë zgjidhje me mirëkuptim. Shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov përsëriti në takim me trojkën evropiane se zgjidhja e statusit të Kosovës varet nga Beogradi dhe Prishtina. Lavrov ju tha gazetarëve në Moskë se ardhmëria e planit të Ahtisarit varet nga Beogradi dhe Prishtina dhe përkujtoi marrëveshjen e Grupit të Kontaktit ku anëtare është edhe Rusia.

Ministri i jashtëm gjerman Frank-Valter Shtajnmajer synon gjithashtu arritjen e përparimeve në marrëveshjet e partneritetit dhe bashkëpunimit ruso-evropian. Moska në parim është e gatshme të rifillojë negociatat e bllokuara aktualisht nga pala evropiane konkretisht nga Polonia për shkak të mosmarrëveshjeve për eksportin e mishit.

Kancelarja gjermane Angela Merkel megjithatë pas një takimi të zhvilluar me presidentin Putin u shpreh para dy javësh optimiste për një zgjidhje të shpejtë të këtij problemi:

"Shpresoj që ne nga ana e Bashkimit Evropian së shpejti do të jemi në gjendje të fillojmë negociatat për shkak se mund të diskutojmë bashkarisht gjëra të rëndësishme, të cilat nuk janë prekur fare në vitin 1994. Nga politika e jashtme dhe e sigurisë deri tek siguria energjetike. Dhe për mekanizma të caktuar se si duhet të informohemi apo konsultohemi nëse paraqiten probleme", thkesoi Merkel.

Kancelarja gjermane e ka fjalën për bllokimin e furnizimit të Evropës me naftë rusë përmes Bjellorusisë para ca javësh. Merkel në fillim të janarit e pati quajtur të papranueshme faktin, nëse Rusia merr vendimet pa u konsultuar paraprakisht me partnerët evropianë.

Qëllim i udhëtimit të Shtajnmajerit është ndër të tjera përpilimi i një plani të mundshëm për rifillimin e negociatave mes Bashkimit Evropian dhe Rusisë. Ato duhet të fillojnë mundësisht gjatë presidencës gjermane të BE-së në gjysmën e parë të këtij viti. Marrëveshjes aktuale i skadon afati në vjeshtë.

Topi tani ndodhet në Bruksel, tha për gazetën 'Bild' homologu rus i Shtajnamjerit, ministri i jashtëm Sergej Lavrov. Ai u shpreh shumë kritik ndaj raporteve të BE-së me Rusinë. Në Evropë siç duket është krijuar përshtypja se Rusia gjithnjë duhet të lutet për diçka. Kjo nuk është e saktë. Padrejtësitë përsëriten, u ankua Lavrov dhe nënvizoj, citat: 'Ne bëjmë lëshime për të cilat nuk marrim pothuajse asgjë'.

Mes bisedimeve në Moskë dhe Beograd trojka evropiane të martën ndalon për një vizitë të shkurtër në Ukrainë. Në Kiev duhet të fillojnë zyrtarisht negociatat për një marrëveshje të re bashkëpunimi me Bashkimin Evropian. Zëdhënësi i ministrisë së jashtme gjermane Martin Jäger: "Për ne kjo është e rëndësishme para së gjithash sepse kjo është në listën e prioriteteve të presidencës sonë të BE-së, politikën fqinjësore evropiane ta mbushim intensivisht me jetë. Dhe adresë e parë në këtë drejtim natyrisht që është Ukraina", tha Jäger.

  • Data 05.02.2007
  • Autor DW
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqn3
  • Data 05.02.2007
  • Autor DW
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqn3