Shtajnmajer në Kundus - ngushëllim për ushtarët e bundesvehrit | Bota | DW | 23.05.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Shtajnmajer në Kundus - ngushëllim për ushtarët e bundesvehrit

Ministri i jashtëm gjerman, Frank Valter Shtajnmajer ndodhet në Afganistan. Stacioni i parë i vizitës së tij ishte Kundusi, ku në fundjavë pas një sulmi vetvrasës humbën jetën 3 ushtarë gjermanë

Ushtarë gjermanë në Kundus

Ushtarë gjermanë në Kundus

Sulmi ka ndezur debatin në Gjermani për rëndësinë dhe qëllimin e misionit gjerman në Afganistan. Mjaft politikanë u shprehën skeptikë për misionin dhe kërkuan tërheqjen e gjermanëve. Ministri i jashtëm, Shtajnmajer nuk është i këtij mendimi. Ai inkurajoi ushtarët dhe ju dha guxim për detyrat që kanë përpara tyre.

Flamurët janë vendosur në gjysëmshtizë në bazën ushtarake gjermane në Kundus, dhe siç shprehet i ngarkuari për shtypin, Gynter Shellmann, vala e parë e shokimit ka kaluar.

"Fillimisht qemë të gjithë shumë të prekur, veçanërisht ata që mbijetuan sulmin apo ata që humbën shokët e vet. Por tashmë kemi filluar të marrim veten. Pardje mbrëmë mbajtëm një meshë për shokët tanë të rënë, ku madje vetë ata që u prekën më së shumit treguan forcë të madhe. E kemi kapur veten, tani po vjen zemërimi, ne e dimë se do të vazhdojmë, ne kemi këtu një detyrë dhe nuk lejojmë që persona të veçantë të na largojnë nga kjo rrugë."

Pikërisht sensin luftarak, papërkulshmërinë donin të tregonin ushtarët gjermanë edhe para ministrit të jashtëm, Shtajnmajer. Në mesin e ushtarëve gjermanë u vlerësua mjaft fakti që ministri i jashtëm ndryshoi itinerarin e udhëtimit të tij dhe erdhi në Kundus. Përshtypjet e të ftuarit:

"Të mungojnë fjalët për ata që humbën këtu miqtë dhe kolegët. Ajo që mbetet në një situatë të tillë është të shprehësh ngushëllimin e thellë, të urosh forcë për ato detyra që kanë përpara javët apo muajt e ardhshëm."

Mandati i bundesvehrit zgjat deri në tetor. Deri atëherë ushtarët në shërbim nuk duan të merren me zgjatjen e pritshme të mandatit. Një gjë është e rëndësishme për ta:

"Popullata në Kundus na përkrah. Ne kemi kontakte të mira me njerëzit këtu, ata janë mirënjohës për ndihmën që ju kemi ofruar, na kanë njohur si partnerë të besueshëm dhe të respektueshëm. Gjithashtu ata na kanë njohur si partnerë që kemi respektuar kulturën dhe mënyrën e tyre të jetesës. Ne jemi sërish këtu."

Po qe se pyeten afganët, ushtarët gjermanë do të qëndrojnë në vend. Kërkesave të veçuara për tërheqjen e bundesvehrit, Shtajnmajer i refuzoi indirekt duke përmendur sukseset e arrituara në rindërtim.

"Shumë gjëra kanë ecur përpara, të cilat nuk duhet t'i harrojmë edhe pas kësaj fundjave. Vajzat shkojnë sërish në shkollë, fushat po ujiten sërish, në treg ka me bollëk. Të gjitha duhet të vihen në dyshim dhe sigurisht që vihen në dyshim pikërisht nga ata që fshihen pas këtyre sulmeve. Këtë nuk duhet ta lejojmë. Sidomos pas atij angazhimi që kemi investuar."

Për këtë arsye, i ngarkuari për shtypin, Gynter Shellman thekson se ushtarët po tregojnë forcë dhe nuk do t'i lejojnë atentatorët të kenë sukses: "Ne kemi filluar të dalim në qytet dhe në zona të tjera në vend, ne nuk fshihemi, dhe jemi të gatshëm të forcojmë operacionin tonë."

  • Data 23.05.2007
  • Autor Sebastian Hesse
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArId
  • Data 23.05.2007
  • Autor Sebastian Hesse
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArId
Reklamë