Shkup: Partia për Prosperitet Demokratik rikthehet në Parlament
22 Maj 2007Partia opozitare shqiptare Partia për prosperitet demokratik, pas shkëputjes nga koalicioni opozitar me Bashkimin demokratik për integrim, unanimisht ka vendosur që t'i bashkangjitet koalicionit qeveritar. Kryetari i PPD-së. Abdylahadi Vejseli dhe kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski kanë arritur marrëveshje edhe për ndarjen e posteve në tre eshallonet e ekzekutivit për PPD-në.
“Vendimi për të hyrë në Qeveri ka qenë unanim.PPD-së në qeverin Gruevski do t'i takojë posti i ministrit të pushtetit lokal, sekretari shtetëror në ministrin e punëve te brendëshme, një ambasador dhe disa poste udhëheqëse në ndërmarjet publike “- ka deklaruar zëdhënësi i PPD-së, Arjanit Hoxha.
Pas bojkotimit disa muajsh të punimeve të Parlamentit, Partia për prosperitet demokratik është rikthyer në seancat e Parlamentit.Sipas kryetarit, Abdylhadi Vejseli, vendimtare për marrjen e qëndimit për kthim në Parlament ka qënë e ardhmja e Maqedonisë drejt proceseve eurointegruese. Anëtarësimi në NATO dhe BE është piksynim i të gjitha subjekteve politike. Në këtë fazë të procesit është e palogjikshme që një parti të jetë jashtë Parlamentit. Gjithnjë sipas tij, stabiliteti i institucioneve të Maqedonisë në mënyrë të drejtpërdrejtë reflektohet edhe në zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës.
PPD-ja do ti vë në funskionim edhe mekanizmat partiak për dy deputetet e saj Safet Neziri dhe Blerim Bexheti të cilët ende përkrahin koalicionin opozitar me BDI-në dhe nuk janë kthyer në punimet e Parlamentit.
“Do të përdoren të gjitha mekanizmat e partisë për ti diciplinuar të padëgjueshmit.Cdo vendim fuqiplot i partisë duhet të respektohet nga deputetët, kjo vlenë edhe për dy deputetët e lartëpërmendur “ – thotë zëdhënësi Arjanit Hoxha.
Edhe pse PPD-ja bashkërenditet me partitë e pozitës, kryeministri Nikolla Gruevski nuk ka siguruar shumicën e duhur parlamentare për votimin e ligjeve sipas parimit të Badenterit. Mosrespektimi i këtij parimi ka qënë njëri prej shkaqeve që partia më e madhe opozitare shqiptare, BDI, tani më disa muaj po bojkoton punimet e Parlamentit.