Roli i Gjermanisë në ndihmën për zhvillimin | Gjermania | DW | 27.07.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Roli i Gjermanisë në ndihmën për zhvillimin

Politika gjermane për zhvillimin është e lidhur ngushtë me të ashtuquajturat qëllimet e mileniumit të përcaktuara nga OKB-ja. Në bazë të këtij programi deri në vitin 2015 duhet të përgjysmohet varfëria në mbarë botën, duhet të shënohen përparime në luftën kundër SIDA-s si dhe në fushën e arsimit, të të drejtave të gruas dhe fëmijëve.

Ministrja gjermane për zhvillimin dhe bashkëpunimin ekonomi, Hajdemarie-Viçorek-Cojl, thotë për veten e saj se është njeri optimist. Ky është një tipar thelbësor që njeriu të jetë i gatshëm për të ndihmuar, kur i duhet, por edhe dëshiron që të merret çdo ditë me mjerimin në mbarë botën. Ministrja socialdemokrate e kryen këtë detyrë nisur nga bindja e patundur, se lufta kundër varfërisë dhe shanse të barabarta për të gjithë është rruga më e mirë për të parandaluar luftrat. Nëse ajo tërheq vëmendjen për disbalancën e volumit financiar për armatimet nga njëra anë dhe për ndihmën e zhvillimit nga ana tjetër, këtë ajo kurrësesi nuk e bën për populizëm, por vetëm sepse ndjehet e indinjuar: "Ndërkohë në mbarë botën shpenzohen gati një bilionë dollarë për armatimet dhe 78 miliardë për bashkëpunimin në fushën e zhvillimit. Nëse ky raport do të ndryshojë në favor të ndihmës për zhvillimin, mendoj, se kjo do të kontribuonte shumë më tepër në luftën kundër terrorizmit, se sa shumë miliarda dollarë që jepen për luftën."

Kur ministrja e zhvillimit kritikon këtë disbalancë të jashtëzakonshme, ajo është e vetëdijshme, se as Gjermania në këtë pikë nuk është shembull. Me 0,28% të produktit bruto krahasuar në nivel ndërkombëtar Gjermania e pasur vazhdon të jetë një nga vendet më zemërgjera për donacionet. Megjithatë vende të tjera evropiane janë shumë më përpara, vendet skandinave pjesërisht kanë kuotën e rreth 0,7% që duhet të jetë edhe mesatarja e BE-së deri në vitin 2015.

Parë në këtë perspektivë bilanci i qeverisë së socialdemokratëve dhe ekologjistëve rezulton disi modest dhe i kthjellët në fushën e gjerë të bashkëpunimit për zhvillimin. Nga ana tjetër është e saktë ajo që thekson vazhdimisht ministrja Viçorek-Cojl: nga viti 1982 deri në vitin 1989, pra 16 vjetët e qeverisë së konservatorëve dhe liberalëve, ndihma gjermane për zhvillimin ra nga 0,48% që ishte në 0,26%. Por kjo kuotë gjatë qeverisjes së socialdemokratëve dhe ekologjistëve është rritur vetëm me 0,02%.

Shifra si këto janë një gjë dhe se ç´mund të bëhet konkretisht me rreth 6 miliardë euro, kjo është një gjë tjetër. Ministrja është në këtë drejtim mjaft e kënaqur, por ajo nënvizon, se nevojiten shumë më tepër para për t´iu përgjigjur si duhet të gjitha kërkesave. Ndër sukseset më të mëdha të saj është angazhimi gjerman në Afganistan pas fundit të regjimit të talibanëve. Ndihma për këtë vend ka disa shtylla të rëndësishme: "Ne jemi aktiv në dhjetë provinca të Afganistanit. Mbi disa qindra gra e fëmijë në mbarë vendin kanë përftiuar prej masave të marra në kuadër të ndihmës gjermane për zhvillimin dhe bashkëpunimin në luftën kundër analfabetizmit, për kualifikimin profesional, për konslutimet mbi shëndetin dhe ushqimin."

Ndërsa në Afganistan dhe në rajone të tjera të prekura nga katastrofa e urisë dhe ato natyrore si në Afrikë e në Azi në plan të parë qëndron kryesisht ndihma e emergjencës dhe për mbijetesë, ndihma e zhvillimit të qeverisë socialdemokrate dhe ekologjiste ka edhe një tjetër orientim. Fjala është për mbështetjen e fuqive të mëdha si Kina ose India. Pas kësaj qëndron ideja, thënë me fjalë të thjeshta, e influencës pozitive ndaj vendeve me influencë. Kjo megjithatë synohet të shërbejë si një model për të gjithë rajonin përkatës: "Brazili p.sh. pas bashkëpunimit me ne merr përsipër konsultimin lidhur me luftën ndaj SIDA-s pothuajse në të gjitha vendet e tjera të Amerikës Latine. Pra ideja është që të kemi një transferim të dijeve dhe njohurive. Kjo është pra një nismë krejt tjetër strategjike, krahasuar me ndihmën e zhvillimit për vendet më të varfëra. Kjo është një mënyrë tjetër të menduari."

Por kjo strategji hidhet poshtë nga kritikët, sipas tyre është më e rëndësishme që të hiqen barrierat tregtare për vendet në zhvillim dhe që atyre t´u krijohet një akses më i mirë në tregun botëror. Se si do të organizohet ndihma gjermane për zhvillimin nga pikëpamja politike në të ardhmen, kjo mbetet të shihet pas zgjedhjeve parlamentare në shtator. Liberalët që mund të jenë parnerët e koalicionit të mundshëm qeverisës me kristjandemokratët në legjislaturën e ardhëshme mendojnë, se kuota e 0,7% të produktit bruto në vend për ndihmën për zhvillimin deri në vitin 2015 nuk mund të financohet. Kjo do të ishte e mundur sipa sliberalëve vetëm përmes borxheve të reja të Gjermanisë. Ndërsa ministrja Hajdemarie Viçorek-Cojl e kundërshton këtë, sipas saj më politika më e mirë për paqen është që të jepen më shumë para për ndihmën për zhvillimin dhe bashkëpunimin.

  • Data 27.07.2005
  • Autor Marsel Fyrstenau
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar39
  • Data 27.07.2005
  • Autor Marsel Fyrstenau
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar39