1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kenia Krise

Engelhard, Marc 2 Janar 2008

Ndërsa në perëndim të Kenias mbizotëron gjendje lufte turistët në bregdetin e vendit po vazhdojnë t'i kalojnë me qetësi pushimet pa ndjerë asgjë prej trazirave.

https://p.dw.com/p/CjX8
Një grua përpara kishës në EldoretFotografi: picture-alliance/ dpa
Pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale në Kenia, të cilat prej opozitës konsiderohen si të falsifikuara dhe djegies së një kishe në të cilën ishin strehuar shumë refugjatë, gjendja në vend është acaruar. Gjatë ditës së sotme (3.1.) në Nairobi pritet të zhvillohet një demonstratë e madhe organizuar prej kreut të opozitës Raila Odinga. Marc Engelhardt:
Pa u ftohur mirë hiri i më tepër se 30 njerëzve të mbledhur në kishën e Eldoretit në perëndim të Kenias, që u dogjën ditën e vitit të ri qeveria dhe opozita në Kenia filluan të akuzonin njëra-tjetrën për masakrën më të rëndë pas zgjedhjeve presidenciale. Kabineti i presidentit Muai Kibaki i akuzoi krerët e opozitës se ata e kishin organizuar dhe financuar këtë akt gjenocidal, viktimat e së cilit i përkisnin etnisë së kikuyuve, sikurse edhe vetë Kibaki.
Zëdhënsi i qeverisë Alfred Mutua, bëri madje përgjegjës për këtë akt vetë kandidatin për president, Raila Odinga.
„Nuk ka asnjë incident gjatë të cilit pasuesit e presidentit të kenë plagosur një prej pasuesve të opozitës. Përgjegjës për dhunën është vetëm një njeri: Raila Odinga, i cili jep urdhër për spastrime etnike ndaj kikuyuvëve."
Përfaqësuesi tjetër i opozitës, William Ruto, i cili është vetë nga rajoni Eldoret i hodhi poshtë këto akuza dhe u bëri sërish thirrje pasuesve të tij të ruajnë qetësinë.
„Ne i dënojmë të gjitha aktet e dhunës dhe u bëjmë thirrje të gjithë pasuesve tanë në të gjithë vendin që vënia zjarr e shtëpive apo çdo lloj tjetër dhune rrezikojnë demokracinë që e duam aq shumë."
Gjatë të mërkurës u shtuan zërat e përfaqësuesve ndërkombëtarë që u bënë thirrje qeverisë dhe opozitës të bien dakord për t'i dhënë fund dhunës dhe gjakderdhjes së ditëve të fundit. Por deri tani s'është arritur asgjë. Qeveria keniane e hodhi poshtë propozimin për të ndërmjetësuar në këtë konflikt të presidentit të Ganës John Kufuor.
Gjendja në perëndnim të Kenias vazhdon të jetë e acaruar. Vetëm në qytetin Eldoret janë mbledhur rreth 70.000 kenianë që janë larguar nga vendbanimet e tyre nga frika e akteve të dhunës. Ata tregojnë se policia nuk bën asgjë për mbrojtjen e tyre, sepse policët dhe ata që i sulmojnë duhet t'i përkasin të njëjtit grup etnik.
Askush në Kenia nuk dyshon se presidenti Kibaki e ka falsifikuar rezultatin e zgjedhjeve. Madje edhe kryetari i KQZ-së, Samuel Kivuitu, i cili megjithë protestat e mëdha të opozitës e kishte shpallur Kibakin të djelën fitues, pranoi tani se kishte e kishin vënë nën presion të madh.
„Përfaqësuesit e partisë së Kibakit më merrnin vazhdimisht në telefon dhe më kërkonin që të nxirrja menjëherë përfundimin e zgjedhjeve. Unë s'mund të them nëse fitues i tyre është vërtet Kibaki.“
Dhe ndërsa në perëndim të Kenias mbizotëron gjendje lufte turistët në bregdetin e vendit po vazhdojnë t'i kalojnë me qetësi pushimet pa ndjerë asgjë prej trazirave, ose duke marrë vesh për to vetëm përmes televizorit.