Qëndrim i pandryshuar- Putini përfundon vizitën në Vjenë | Evropa | DW | 24.05.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Qëndrim i pandryshuar- Putini përfundon vizitën në Vjenë

Presidenti rus Vladimir Putin mbylli sot vizitën e tij shtetërore në Austri me vendosjen e një kurore në 'Përmendoren e Heronjve të Ushtrisë së Kuqe' në sheshin Schwarzenberg të Vjenës.

Presidenti austriak Heinz Fischer me homologun e tij rus Vladimir Putin në pallatin Hofburg

Presidenti austriak Heinz Fischer me homologun e tij rus Vladimir Putin në pallatin Hofburg

Pas bisedimeve me udhëheqjen austriake Putin i ritheksoi (dje, të mërkurën) përgjithësisht qëndrimet e veta në grindjen me Bashkimin Evropian. Moska vazhdon të refuzojë stacionimin e sistemeve antiraketore amerikane si dhe zgjidhjen e parashtruar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për konfliktin e Kosovës. Edhe në grindjen me Poloninë për embargon e mishit nuk u ravijëzua ndonjë zgjidhje. Putin ka mbërritur ndërkohë për një vizitë zyrtare në Luksemburg.

___________________________________________________________________

Së paku toni ishte miqësor, por në thelb në konferencën për shtyp u shprehën mendime që dallonin dukshëm nga njëri-tjetri. Në përfundim bisedimet mes presidentit rus Vladimir Putin dhe mikpritësit të tij austriak, presidentit Heinz Fischer, kishin zgjatur mjaft më shumë sesa ishte planifikuar. Njëra temë ishte për shembull planet e SHBA për mbrojtjen antiraketore në Evropë, të cilat Putini i kritikoi sërish ashpër.

'Sot folëm me presidentin austriak dhe jo me amerikanët. Por në lidhje me SHBA qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Dhe këtu as nuk mund të ketë ndryshim, sepse nuk kanë dalë faktorë të rinj. Ne jemi të mendimit që vendosja e këtyre raketave është krejt e dëmshme dhe aspak e arsyetuar për gjendjen në Evropë. Ç'gjë negative po ndodh në Evropë që të armatoset Evropa Lindore me këto armë të reja?'

Afrim nuk pati as një një tjetër temë të politikës së jashtme siç konstatoi presidenti austriak Heinz Fischer: 'Një pjesë të madhe të diskutimit e zuri problemi i Kosovës, ku më duhet të them se paraqitëm qëndrimin tonë; zoti president paraqiti qëndrimin e tij rus. Megjithatë askush nuk mund të jetë aq naiv sa të mendojë që për njëzet minuta të zgjidhim probleme me të cilat Evropa dhe Kombet e Bashkuara e institucione të tjera merren prej një kohe të gjatë.'

E sigurt është vetëm që të gjithë mendojnë se zgjidhja më e mirë është ajo që pranohet nga të gjitha palët, veçanërisht nga shqiptarët dhe serbët. Por çështja është se çfarë ndodh dhe kur ndodh në rast se nuk realizohet një zgjidhje e tillë mirëkuptimi.

Në prag të vizitës një grindje midis Kremlinit dhe radiotelevizionit austriak dha shkas për të diskutuar mbi temën e lirisë së shtypit dhe të shprehjes. Vladimir Putin anuloi një intervistë televizive të fiksuar me ORF-në, sepse në një film të shkurtër paralajmërues do të tregoheshin pamje nga lufta në Çeçeni. Përmes kanaleve diplomatike presidenti rus dërgoi mesazhin se fatkeqësisht intervista nuk mund të zhvillohej për shkak të raportimit jomiqësor. Gjatë konferencës së djeshme për shtyp tema vetëm sa u prek. Presidenti Fischer bëri të ditur se miku nga Moska sinjalizoi gatishmërinë për ta dhënë intervistën më vonë.

Hapësirë të madhe zënë në vizitën e Vladimir Putinit marrëdhëniet midis Rusisë dhe Austrisë. Katër miliarderë rusë dhe bosë të industrisë ruse kishin ardhur nga Moska në Vjenë, me në krye Oleg Deripaska-n, të cilin një revistë ekonomike ruse e shpalli rusin më të pasur me një pasuri të përllogaritur prej 21 miliardë dollarësh. Deripaska qëndroi në mars në kryeqytetin austriak për të shpallur atje angazhimin në koncernin më të madh të ndërtimit në vend, STRABAG.

Putin i dha fund sot vizitës së tij në Vjenë. Në mëngjes para largimit presidenti rus vendosi një kurorë në ish-përmendoren sovjetike për pjesëtarët e Ushtrisë së Kuqe të rënë gjatë çlirimit të Austrisë në 1945. Më pas ai fluturoi për një vizitë zyrtare në Luksemburg.

  • Data 24.05.2007
  • Autor Jörg Paas
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar7z
  • Data 24.05.2007
  • Autor Jörg Paas
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar7z