Projektligji grek për emigracionin në parlament për aprovim - Komisioni Shkencor Parlamentar e kritikon si të papajtueshëm me Udhëzimin Evropian | Evropa | DW | 03.08.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Projektligji grek për emigracionin në parlament për aprovim - Komisioni Shkencor Parlamentar e kritikon si të papajtueshëm me Udhëzimin Evropian

Do të aplikojnë apo jo nga janari i vitit 2006 emigrantët shqiptarë të Greqisë për leje 5-vjeçare, si gjithë emigrantët e tjerë të vendeve evropiane? Kjo do të vendoset brenda javës nga parlamenti grek, i cili diskuton projekt-ligjin e paraqitur nga ministri i Brendshëm Pavllopullos. Kjo në një kohë që barazhit të kritikave të opozitës socialiste u janë shtuar edhe vërrejtjet e rënda të Komisionit Shkencor Parlamentar që në një raport 5-faqesh e cilëson projekt-ligjin si të papajtueshëm me Udhëzimin Komunitar.

Kësaj radhe me sa duket nuk kemi një ballafaqim të zakonshëm pozitë-opozitë, siç ndodhte në të kaluarën sa herë bëhej fjalë për emigracionin. Opozita socialiste i ka dhenë me kohë sinjalet se ajo dhe lideri i saj Papandreu(projektligji, sipas tij, përshkohet nga “filozofia raciste”) janë për një zgjidhje bashkëkohore, esenciale të problemit të emigrantëve, siç befasoi së fundi me propozimin e saj që në këtë kontekst t’u jipet e drejta e dyshtetësisë pjesëtarëve të minoritetit grek të Shqipërisë. Aq më tepër që në oponencën e tyre në lidhje me përmbajtjen e projekt-ligjit deputetët socialistë kanë aleatë të shumtë. Jo thjesht opinionin e shoqatave të emigracionit që manifestuan për këtë në rrugët e Athinës. Jo vetëm kolegët e dy partive të majta parlamentare që akuzojnë qeverinë se kërkon të mbajë emigrantët “peng” dhe në një status “gjysëm të ligjshëm”. Por edhe Obudsmanin Grek që me një letër të tij drejtuar parlamentit kërkonte “mbrojtje” ligjore të klandestinëve dhe restriktim të “arbitraritetit të autoriteteve”. Edhe Shoqatën e Avokatëve të Athinës që po me letër të kryetarit të saj kërkonte të njejtën gjë por edhe “një trajtim më human të të huajve”. Më kryesorja janë vërrejtjet e rënda të Komisionit Shkencor të Parlamentit, të cilat nga media u cilësuan si “shuplakë ndaj qeverisë”, që kanë venë në pozitë të vështirë arkitektët e projektligjit dhe veçanërisht ministrin e Brendshëm, Pavllopullos, që pretendon se ligji siguron “integrim real të emigrantëve në jetën shoqërore dhe politike të vendit.

Në raportin e tij 5-faqesh Komisioni thekson se projekt-ligji është i papajtueshëm me udhëzimin e Bashkimit Evropian, dhe u heq të drejtën emigrantëve me 5 vjet qëndrim të ligjshëm, që nga viti 2001, të aplikojnë nga janari i vitit 2006 për leje 5-vjeçare. Kjo për arësye se, përkundër këtij udhëzimi, dispozita e projekt-ligjit e fillon periudhën në fjalë nga 23 janari i vitit 2004, datë e botimit të udhëzimit. Kjo do të thotë thjesht se emigrantët, që u lodhen duke pritur, të presin edhe tre vjet të tjera sa të fitojnë këtë të drejtë, pra 23 janarin e vitit 2009. Veç kësaj, Komisioni kritikon edhe kushtin tjetër të qëndrimit 10-vjeçar për dhënien e lejes pa afat, kur Udhëzimi Komunitar bën fjalë për afat 5-vjeçar dhe rinovim automatik të lejes pa kushtin e deshmisë së bardhë të penalitetit siç kërkon projekt-ligji. Kontestime shprehen edhe për kërkesën e njohjes së gjuhës, kulturës dhe historisë greke, i cili do të privojë shumë emigrantë që nuk do të munden t’i përgjigjen siç duhet dhe do të lejë shkas për padrejtësi subjektive.

Përballë një barazhi të tillë kritikash, mbetet të shohim se çformë do të marrë perfundimisht projekt-ligji. Presioni është aq i madh sa që autoritetet lenë të emetohet në shtyp se do të ketë patjetër ndryshime.

  • Data 03.08.2005
  • Autor Niko Anagnosti
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArDg
  • Data 03.08.2005
  • Autor Niko Anagnosti
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArDg