Parlamenti gjerman diskuton për ratifikimin e Kushtetutës Evropiane | Gjermania | DW | 24.02.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Parlamenti gjerman diskuton për ratifikimin e Kushtetutës Evropiane

Marrëveshja për Kushtetutën Evropiane është nënshkruar që prej tetorit të vitit të kaluar, por deri sot ajo është ratifikuar vetëm prej tri vendeve: Lituanisë, Sllovenisë dhe Hungarisë. Gjatë referendumit të fundjavës edhe dy të tretat e spanjollëve votuan pro ratifikimit, për të cilin pritet të vendosë parlamenti i vendit. Edhe qeveria gjermane dëshiron ta ratifikojë sa më shpejt këtë marrëveshje. Ndryshe nga vendet e tjera në Gjermani nuk do të zhvillohet referendum, por ratifikimi do të bëhet prej parlamentit. Për këtë qëllim në Bundestagun gjerman u zhvilluan edhe debatet e para për këtë çështje.

Wolfgang Schäuble: Parlamenti gjerman duhet të marrë pjesë më me forcë në vendimet që merren në Bruksel

Wolfgang Schäuble: Parlamenti gjerman duhet të marrë pjesë më me forcë në vendimet që merren në Bruksel

Opozita gjermane do ta miratojë ratifikimin e Kushtetutës Evropiane, por bashkë me këtë ajo kërkon që parlamenti gjerman të marrë pjesë më me forcë në vendimet që merren në Bruksel. Kështu u shpreh kryetari i grupit parlamentar të partisë demokristiane dhe asaj kristiansociale (CDU, CSU) njëkohësisht edhe përgjegjës për politikën e jashtme pranë kësaj partie, Wolfgang Schäuble.

"Një gjë është e vërtetë, miratimi i vendimeve në një masë të gjërë mund të bëhet vetëm në rast se parlamentet e vendeve të BE-së marrin pjesë me kohë në shqyrtimin dhe hartimin e tyre. Në të kundërtën gjërat ecin jo për mbarë. Ligje të ndryshme, si p.sh. ai kundër diskriminimit, bëjnë të qartë se ç'ndodh kur opinioni informohet me vonesë për proceset e vendimmarrjes në Evropë." - tha Schäuble.

Opozita demokristiane kërkon që parlamenti gjerman të ketë të drejtën të thotë fjalën e vet përpara se Brukseli të marrë vendime. Partitë në qeveri si dhe partia liberale, gjithashtu në opozitë janë kundër një praktike të tillë. Zëdhënësja e partisë liberale Sabine Leuthhäuser-Schnarrenberger tha se një procedurë e tillë do ta kufizonte aftësinë për veprim të çdo lloj qeverie.

Për ratifikimin e marrëveshjes për Kushtetutën Evropiane në parlamentin gjerman nevojiten dy të tretat e votave. Për këtë MPJ, Joschka Fischer, u bëri thirrje deputetëve që ta miratojnë kushtetutën, si një gur të rëndësishëm themeli për procesin e ngjizjes së Evropës.

"Kur shoh se ç'rëndësi ka kjo kushtetutë për qetetarët dhe qytetaret e Evropës, kur shoh se ç'rëndësi ka kjo për përgjegjësinë gjithnjë në rritje të BE-së në botë, atëherë duhet të theksoj se ne kemi nevojë për këtë kushtetutë dhe shpresoj se do ta ratifikojmë sa më shpejt dhe me një shumicë sa më të madhe votash." - tha Fischer.

Me ratifikimin e shpejtë të marrëveshjes qeveria gjermane dëshiron të dërgojë një sinjal në drejtim të atyre vendeve të BE-së, ku ratifikimi varet prej referendumeve. Ndër këto vende bën pjesë edhe Franca, ku deri tani nuk është e qartë nëse pjesëmarrësit në referendum do të votojnë pro apo kundër Kushtetutës Evropiane.

  • Data 24.02.2005
  • Autor Bernd Gräßler
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar4Y
  • Data 24.02.2005
  • Autor Bernd Gräßler
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar4Y