Nimic: Në bisedime nuk po diskutohet edhe për identitetin dhe gjuhën e popullit maqedonas por vetëm për emrin
7 Korrik 2009Ndërmjetësi i OKB-së për çështjen e emrit Methju Nimic (Mathew Nimitz) propozoi në bisedimet me autoritetet shtetërore të Maqedonisë disa ndryshime në lidhje me emrin të bëra në Nju-Jork dhe Gjenevë në muajin tetor të vitit të kaluar. Propozimi i tetorit i modifikuar do të jetë bazë për negociatat e mëtejshme për emrin tha Nimic: "Kryeministrit i prezantova ndryshimet në propozimin e tetorit dhe njëherit kërkova nga qeveria e Shkupit ta shqyrtojë këtë paketë të re. Takimi ka qenë mjaft i suksesshëm dhe kam ndjenjën se megjithë modifikimin e propozimit, do të gjejmë zgjidhje për problemin."
Çështje tejet komplekse dhe shumëdimensionale
Për këto ndryshime Nimic do të informojë edhe Ministren e Punëve të Jashtme të Greqisë, Dora Bakojani. I pyetur se për çfarë ndryshimesh bëhet fjalë Nimic nuk ka dhënë asnjë koment meqë sipas tij në opinion nuk është publikuar zyrtarisht asnjë propozim për emrin e Maqedonisë.
Bisedimet midis Shkupit dhe Athinës, Nimic i ka vleresuar si çështje tejet komplekse dhe shumëdimensionale, qëllimi i tyre është arritja e një zgjidhjeje të denjë për të dyja palët që do të mbyllte një problem të rëndësishëm në rajon.
I pyetur nëse pala greke do ta pranojë ekzistencën e kombit dhe gjuhës maqedonase, Nimic tha se bisedimet kanë të bëjnë me emrin dhe jo me identitetin: "Parimisht ne bisedojmë për emrin e vendit. Asnjëherë nuk kam dëgjuar nga zyrtarët grekë të mohojnë se ky vend ka identitetin dhe gjuhën e vet. Gjatë këtyre pesëmbëdhjetë vjetve të zhvillimit të negociatave jam i vetëdijshëm se ky vend ka identitet dhe gjuhë dhe mendoj se askush në botë nuk do ta vërë në pikëpyetje këto çështje,’’ - tha Nimic.
Qeveria e Shkupit seriozisht e interesuar për zgjidhjen e problemit të emrit
Ai përsëriti disa herë se nga të dyja palët negociatore ka gatishmëri për t'i vazhduar bisedimet që çështja e emrit t'i takojë së kaluarës. Qeveria e Shkupit është shprehur seriozisht e interesuar për zgjidhjen e kontestit të emrit që më pas të fokusohet në agjendat e rëndësishme për vendin drejt antarësimit në strukturat euro-atlantike, tha Metju Nimic. Pas qëndrimit në Shkup Nimic do të qëndrojë për bisedime në Athinë.
Autor: Fatos Musliu
Redaktor: Pandeli Pani