Ndërkohë që kolera në Zimbabve po merr përmasa kërcënuese Mugabe mendon për pushtetin e tij | Bota | DW | 22.12.2008
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ndërkohë që kolera në Zimbabve po merr përmasa kërcënuese Mugabe mendon për pushtetin e tij

Kolera në Zimbabve po bën kërdinë. Shifrat janë alarmante. Por presidenti i Zimbabves, Mugabe, synon të sigurojë pushtetin e tij me të ashtuquajturat "zgjedhje të reja".

default

Mungesa e kushteve higjienike shkakton kolerën. Një vajzë zimbabviane duke kërkuar ushqim nëpër plehra. Në Zimbabve epidemia ka kushtuar mjaft jetë njerëzish.

Numri i të vdekurve nga kolera në Zimbabve rritet nga java në javë. Që nga shpërthimi i epidemisë në gusht deri në mes të dhjetorit, sipas të dhënave të OKB-së, kanë vdekur mbi 1.100 njerëz, të paktën 20.000 janë infektuar. Markus Bahman (Marcus Bachmann) punon për organizatën e ndihmës "Mjekë pa kufij" në Zimbabve. Ai deklaron, se s´ka asnjë dyshim, që situata është mjaft serioze: „Fakt është që kolera kërcënon në mënyrë masive popullsinë në Zimbabve. Madje mendohet që ky mund të jetë vetëm fillimi i një epidemie mjaft të gjatë, kulmi i së cilës nuk është arritur ende. “

Organizata Botërore e Shëndetësisë në parashikimet e saj niset nga më e keqja duke llogaritur se mund të infektohen deri në 60.000 njerëz, në rast se nuk veprohet shpejt dhe në mbarë territorin. Zimbabve është po aq e madhe sa Gjermania. Aktualisht njoftohet për raste të kolerës nga pothuajse një e treta e territorit të saj.

Cholera Epidemi in Simbabwe

Në Zimbabve mungon uji i pijshëm. Fëmijë në Harare që presin të mbushin ujë.

Më 4 dhjetor, pas një ngurrimi të gjatë presidenti, Robert Mugabe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Vetëm pak më vonë, në prag të kongresit vjetor të partisë së tij ZANU-PF, ai deklaroi, se situata është vënë nën kontroll dhe se bota e jashtme s´ka më përse ta bëjë atë përgjegjës për epideminë. “Unë jam i gëzuar që mund t´ju komunikoj, se mjekët tanë e kanë ndalur kolerën. Çështja e kolerës në këtë mënyrë është e përfunduar."

Organizata Botërore e Shëndetësisë përcakton shkaqet e kolerës

Shpërthimi i kolerës kryesisht në vendet e Afrikës në Jug të Saharasë është në rend të ditës në periudhën e reshjeve. Por epidemia aktuale në Zimbabve ka shpërthyer shumë kohë përpara sezonit të reshjeve dhe është një prej epidemive më të rënda, që ka përjetuar Afrika vitet e fundit. Stina e reshjeve e përkeqëson edhe më shumë gjendjen. Një nënë, djali dyvjeçar i së cilës vdiq në një spital në Harare, i ka treguar një gazetari britanik, që kish udhëtuar fshehurazi në Zimbabve: “Shumë njerëz vdesin në këtë spital. Atë ditë vdiqën 20 vetë. ”

Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka përcaktuar qartë shkaqet e epidemisë. Sipas kësaj organizate furnizimi me ujë të pijshëm në Zimbabve ose është në gjendje të mjerueshme, ose nuk ekziston fare. E njëjta situatë është edhe sa i përket sistemit të kanalizimeve dhe atij të shmangies së mbeturinave. Sistemi shtetëror i shëndetësisë ka pësuar kolaps dhe shumë zimbabvianë vuajnë nga uria dhe nga dobësimi i sistemit të imunitetit. Janë shumë të paktë ata që mund t´i përballojnë kushtet e nevojshme higjenike. Kolera është një diare bakteriale. Sëmundja përhapet tek njerëzit përmes ujit të ndotur, ose ushqimeve të papastra. Bakteriet e kolerës grumbullohen në zorrë dhe krijojnë një lëndë helmuese, që përmes diaresë i shkakton të sëmurit dehidratimin. Një pacient i sëmurë rëndë prej kolerës mund të humbasë deri në 25 litra ujë në ditë. Viktima dehidratohet dhe vdes, në rast se nuk trajtohet në kohën e duhur.

Mugabe zurück in Simbabwe

Presidenti, Robert Mugabe

Qëndrimi i presidentit të Zimbabves

Ndërkohë Presidenti Mugabe i cili qeveris në mënyrë autokratike, synon që me të ashtuquajturat "zgjedhje të reja" të sigurojë pushtetin e tij. Të shtunën (20.12) në kongresin e partisë së tij, ZANUF-PF, Mugabe deklaroi, se nuk ka ndërmend të tërhiqet. Kriza në vend nuk është pasojë e regjimit 28 vjeçar të tij, por shfaqje e pasojave të vona të kolonializmit, për të cilin ai bën kryesisht përgjegjëse fuqinë kolonizuese, Britaninë e Madhe. Në kongres Mugabe nuk e përmendi me asnjë fjalë epideminë shkatërruese të kolerës, që po bën kërdinë në vendin e tij.


  • Data 22.12.2008
  • Autor Sandra Petersmann
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/GLB1
  • Data 22.12.2008
  • Autor Sandra Petersmann
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/GLB1