Masat për arsimimin e romëve në Maqedoni japin rezultate
12 Gusht 2010Arsimimi i romëve mbështet integrimin institucional
Përfshirja e fëmijëve romë në procesin arsimor është nje problem serioz, me të cilin përballen institucionet në Maqedoni. Në kuadër të Ministrisë së Arsimit funksionon Drejtoria për avancimin e arsimit të bashkësive të vogla etnike . Përfaqësuesi i kësaj drejtorie, Rexhep Çupi , thotë se me iniciativë të ndërkombëtarëve, në Maqedoni po realizohet projekti “Dekada e romëve”. Ai ka për qëllim vendosjen e mekanizmave dhe sjelljen e strategjive për adresimin e problemeve, që prekin bashkësinë rome, konkretisht përfshirjen e tyre në procesin arsimor.
“Me realizimin e projektit “ Dekada e romëve” është rritur dukshëm numri i përfshirjes së fëmijëve romë në procesin arsimor. Poashtu në rritje e sipër është edhe numri i fëmijëve romë që përfundojnë arsimin fillor dhe atë të mesëm”, thotë Rexhep Çupi.
Mosarsimimi i romëve rezulton edhe me mospërfshirjen e tyre në institucionet shtetërore, andaj investimi në arsim në veçanti për bashkësinë rome është i një vlere të veçantë.
“Përfshirja e romëve në jetën shoqërore është nën çdo nivel. Një prej asryeve të kësaj gjendjeje katastrofale është se romët deri tani kanë qenë shumë pak të përfshirë në procesin mësimor”, vlerëson Çupi.
Problem mbetet kuadri arsimor
Seba Ibrahim është drejtoreshë në shkollën “Vëllezërit Ramizi” në komunën e Shuto Orizares - komuna më e madhe e banuar me popullatë rome në Evropë. Në këtë shkollë, mësimin e ndjekin rreth 1300 nxënës romë. Drejtoresha vlerëson se projekti “ Dekada e romëve” deri tani nuk i ka dhënë rezultatet e pritura. Krahas problemeve hapësinore, kjo shkollë përballet edhe me problemin e kuadrit mësimor.
“ Prej 120 mësuesve në shkollë, vetëm 9 prej tyre janë me kombësi rome. Ata ligjërojnë gjuhën rome, ndërsa të gjitha lëndët e tjera ligjërohen në gjuhën maqedone. Kjo paraqet problem të madh për fëmijët e kësaj grupmoshe”, thotë Seba Ibrahim, drejtoreshë e shkollës.
“ Jam Ibraim Kamber, nxënës i klasës së katërt. Me kënaqësi vij në shkollë . Lëndët që më tepër më interesojnë janë matematika, natyra dhe shoqëria. Kur të rritem dëshiroj të bëhem polic.”
Ibrahimi ka edhe një zë të artë dhe këngët i këndon në gjuhën e tij të nënës.
Rritje e interesimit të romëve për mësim
Irina Petrushevska punon tanimë 5 vite me nxënësit romë. Në krahasim me vitet e kaluara, interesimi i kësaj bashkësie për t'u arsimuar është në rritje të dukshme, thotë mësuesja Irina.
“Përmes projektit “ Dekada e romëve”, u mundësua organizimi i mësimit plotësues, nxënësit u furnizuan me libra , mjete mësimore falas dhe e gjithë kjo rezultoi me përparim të dukshëm në mësim.”
Për arsimimin e romëve, veç institucioneve shtetërore janë angazhuar edhe shumë organizata joqeveritare në të gjitha qytetet e Maqedonisë, ku jetojnë romët.
Autor: Fatos Musliu/ Shkup
Redaktoi: Auron Dodi