1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lufta në Afganistan - A ka më shanse për paqen?

Kai Küstner 16 Tetor 2008

Dhuna në Afganistan ka arritur nivelin më të lartë qysh pas rrëzimit të qeverisë së talibanëve në vitin 2001 prej trupave të drejtuara nga SHBA. A mund të fitohet kjo luftë?

https://p.dw.com/p/Faoj
Bundestagu, Salla plenareFotografi: AP

Të enjten (16.10.) Bundestagu në Berlin do të votojë për shtyrjen edhe 14 muaj të mandatit për trupën ndërkombëtare ISAF në Afganistan.

Gazetarët e mbledhur ishin edhe një orë pas konferencës së shtypit në Kabul duke mbledhur dokumentat e tyre, duke u ngritur prej karrigeve dhe duke biseduar me atë që kishin pranë, ndërsa gjenerali David McKiernan edhe një herë e ngriti zërin: "Një gjë dua t´ju them: E kjo është më ë rëndësishmja që mund t´ju komunikoj sot: unë lexoj shumë artikuj nga njerëz, që nuk kalojnë shumë kohë këtu dhe mendojnë, se ne në Afganistan do të humbasim. Unë e hedh poshtë këtë mendim, unë nuk besoj kështu."

Humbje e luftës në jug të Afganistanit?

Kampfflugzeug der US-Luftwaffe in Afganistan A10-Thunderbolt
Aviacioni ushtarak amerikan në bazën e BagramitFotografi: AP

McKiernan është komandanti i trupave të NATO-s në Afganistan. Ai ndonëse i tha këto fjalë përpara gazetarëve, e gjitha kjo tingëlloi më shumë si një përgjigje ndaj deklaratës së komandantit të rajonit Helmand në Jug të Afganistanit. Javën e kaluar ai shprehimisht tha, se ne nuk do ta fitojmë luftën. Por McKiernan tha, se: ata që mendojnë, se do të humbasim, do të preferoja t´i merrja me vete në një udhëtim mespërmes vendit: "Kudo, ku unë shkoj, flas me njerëzit, me pleqtë e fiseve, me ushtarët afganë, me policët dhe guvernatorët. Pa përjashtim, edhe nëse ata janë të pakënaqur me qeverinë, me përparimet, me gjendjen e sigurisë, pa përjashtim ata kanë shpresë për një të ardhme më të mirë. "

Ndërsa ushtarakët me sa duket nuk janë në unanimitet, nëse mund të fitohet ose jo lufta, ata që kanë dyshime mbledhin statistikat dhe tërheqin vëmendjen, se këtë vit janë vrarë më shumë ushtarë të huaj nga çdo vit tjetër, qëkurse janë rrëzuar talibanët.

Afghanistan ISAF-Offensive im Süden Provinz Helmand
Mjaft provinca janë të pasigurta, madje edhe rajonet në afërsi të Kabulit. Në pamje ushtarë të ISAF-it gjatë një aksioni në Helmand.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Ato tërheqin vëmendjen edhe për faktin, se provinca të caktuara, ndërkohë edhe në afërsi të kryeqytetit janë të rrezikshme për vizitorët e huaj, sepse talibanët i kanë tërësisht nën kontroll rrugët dhe fshatra të tërë. Edhe drejtuesja e zyrës së fondacionit "Friedrich-Ebert" në Kabul, Ursula Koch-Laugwitz, e sheh aktualisht Perëndimin në një qorrsokak, megjithatë jo pa asnjë mundësi kthimi: "Në Afganistan mbizotëron zhgënjimi, kjo edhe për faktin se po zgjat shumë. Ndjenja e zhgënjimit ka përfshirë veçanërisht rininë. Ndaj edhe talibanët sot e kanë të lehtë të rekrutojnë personel dhe kjo çon padyshim në përkeqësimin e gjendjes."

Vetëm ushtria nuk e qetëson Afganistanin

Debati mbi fitoren apo humbjen është po aq i zjarrtë sa edhe ai për rrugën e drejtë të daljes nga gjendja e vështirë, gjë që tani askush nuk e mohon. Komandanti i ISAF-it, McKiernan vazhdimisht thekson, se ka nevojë për më shumë trupa. Ende pa e mbaruar mirë fjalinë, ai shton, se vetëm ushtarët nuk mund t´ia dalin. Në mendimin e tij ai mbështetet edhe nga shefi i shtabit në kuartierin qendror të ISAF-it në Kabul, Hans-Lothar Domröse, i cili për studion e radios ARD në Azinë e Jugut deklaroi: "Ne kemi nevojë për durim. Policia dhe civilët duhet t´ia dalin së bashku rindërtimit. Edhe ne do t´ia dalim, nëse pala civile pozicionohet. Më në fund duhet të merret një vendim politik dhe këtë mund ta bëjnë vetëm afganët. Ata duhet të bien dakord edhe me kgryengritësit për një formë të caktuar jetese, si p.sh. të vendosin që duhet hequr dorë nga vendosja e minave, vetëm kështu unë shoh shanse të mira."

Kudo është mjaft e pranishme tema e bisedimeve me talibanët. Para disa vitesh motoja ishte: nuk bisedohet me askënd, që i ka duart të lyera me gjak, por sot janë të shumtë ata që mendojnë, se pikërisht këtu qëndron zgjidhja e problemit të ekstremistëve. Edhe në Arabinë Saudite kanë nisur bisedimet e para të fshehta. Ai që bisedon nuk qëllon, thotë një fjalë e urtë. Ndërkohë në Afganistan po qëllohet shumë.

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë