Leskaj: Ligji në kundërshtim me sugjerimet e BE dhe KE | Ballkani | DW | 29.05.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Leskaj: Ligji në kundërshtim me sugjerimet e BE dhe KE

Intervistë me Valentina Leskaj, kryetare e Komisionit Parlamentar për mediat.

default

DW: Cilat janë argumentat kryesore të opozites për të mos votuar ligjin e transmetimve dixhitale, për të braktisur mbrëmë sallën e Parlamentit. Për fat të keq konsensusi, aq i kërkuar nga KE dhe Këshili i Europës, nuk u arrit. Ligji u miratua në mënyrë të njëanshme, vetëm me voten e maxhorancës.

Leskaj:

Nuk kemi qenë dakort asnjëherë që varianti i ligjit të miratuar mbrëmë të arrinte në Parlament. Për ne ky projekt që në krye të herës ishte parashikuar si pjesë e një marveshjeje të firmosur me KE dhe Keshillin e Europës, pra si pjesë integrale e ligjit të ri për mediat elektronike.

Ky ligj do të zgjidhte edhe akuza të tilla propagandistike për transparencën e burimeve financiare të transemtimeve dixhitale. Pra, kur ky proces kishte filuar maxhoranca mori nismën të hartojë ligjin vetëm për transmetimet dixhitale. Kundershtimi ynë bazohej në atë që të paraqitej ligji i plotë dhe jo vetëm pjesa lidhur me transmetimet dixhitale për të qenë koherent me planin që kemi firmosur me BE dhe Këshillin e Europës. Nga ana tjeter maxhoranca nuk pranoi që projektligji të diskutohej gjërësisht nga grupet e interesit dhe institucione të tilla si KKRT( Këshilli Kombëtar i Radio- Televizioneve apo KRTSH ( Këshilli Drejtues i Radio- Televizionit Publik). Pas dështimit të herës së parë për ta miratuar këtë variant, maxhoranca u detyrua të pranonte ekspertizën ligjore të BE dhe KE. Në një letër prej ketyre dy insitucioneve janë shprehur rekomandimet për ligjin e miratuar mbrëmë, që nuk janë të pasqyruara në të.

DW:

Cilat janë këto rekomandime zonja Leskaj?

Leskaj

: BE dhe KE kerkuan që projektligji, i shndëruar tani në ligj, të diskutohej me grupet e interesit dhe shoqërinë civile. Kjo nuk u realizua apo më saktë, mbeti në mës të rrugës.

Rekomandimi i dytë ishte që ligji të mos miratohej pa arritur një konsensus të gjërë. Edhe kjo nuk ndodhi. Ligji u miratua vetëm me forcën e kartonave të maxhorancës. Rekomandimi i tretë lidhet me atë qe ky projektligj, pra ligji i tanishëm, të ishte pjesë e marrveshjes që autoritetet e Shqipërisë kane firmosur me BE dhe KE, për planin e veprimit lidhur me proceset integruese europiane. Edhe ky nuk u respektua.

DW:

Veç moszbatimit të rekomandimeve të BE dhe KE, a ka mangësi në përmbajtje ligji për transmetimet dixhitale?

Leskaj:

Mendoj se po. Mosmarrja parasysh e asnjë prej sugjerimeve të opozitës. Ne fakt u moren tre: një presje, një tog fjalësh dhe e treta lidhej me përballimin e shpenzimeve për kalimin nga transemtimi analog në dixhital, gjë që ka qenë edhe në rekomandimet e Këshillit të Europës dhe BE. Ligji ka mangësi që prekin lirinë e medias, investimet që janë bërë në media dhe që limitojnë mundesitë e shqiptarëve për të patur akses apo media pluraliste.

Për shembull në nenin 4 të këtij ligji thuhet se ata transmetues që transmetojnë aktualisht jashtë zonës së licensimit nuk kanë të drejtë të aplikojnë për të marë license për transmetime dixhitale. Kjo është fare e qartë se bëhet fjalë për TOP CHANEL-in dhe VIZION PLUS, dy TV, që realisht janë kombëtare por nuk kanë license kombtare, jo se nuk e meritojnë por nuk ua kanë dhënë.

Pra, keta transmetojnë jashtë zonës së licensimit. Shkurt, perfytyroni TOP CHANEL-in, një fuqi e madhe mediatike, të jetë e kufizuar për të transmetuar vetëm në një qark. Sipas ligjit , ai që ka një license lokale duhet të transmetojë vetem në një qark. Kjo do të thotë që TOP CHANEL të mos dalë jashtë Tiranes. Ligji ka edhe një varg absurditetesh të tjera. Por më e rëndësishmja ndër mangësitë është karakteri represiv i ligjit. Për fat të keq kohët e fundit ligjet kanë këtë karakter. Në një shoqëri demokratike ligjet janë rregullatore dhe jo represive si po ndodh me ligjet që kanë të bëjnë me administratën publike, ekonominë me ligjin e taksave dhe tatimet etj. Ligji i transmetimeve dixhitale rezulton me shumë probleme , prandaj ne e kemi kontestuar. Maxhoarnca ka abuzuar duke e cilësuar këtë ligj si një ligj që u shërben shqiptarëve por është e kundërta. Edhe shqiptaret kanë ndjekur në TV sesi njerëzit qanin se CAVEZ u mbylli kanalin televiziv të pavarur. Nuk është nevoja të shkojmë kaq larg, kemi protestat që u bënë në Shkoder, në Librazhd, Gjirokastër kur në këto rrethe u hoqen antenat e TOP CHANEL-it. Pra ky TV është bërë i dashur për publikun dhe qeveria i heq antenat, sjellje kjo që flet për standarte të dyfishta të Qeverisë apo kthimin e KKRT( Keshilli Kombetassr i Radio- Televizioneve) në një instrument të saj.

DW:

A mendon opozita të vazhdojë kundershtimin e saj për këtë ligj, a shpreson ajo në kthimin e tij përsëri në Parlament?

Leskaj: Do të përdorim të gjitha mjetet dhe rrugët që lejon kuadri i një shoqerie demokratike. Por kemi një shans: Kemi në dorë një plan veprimi të firmosur edhe nga BE dhe KE, ku në paketen ligjore është edhe ligji për transmetimet dixhitale. Kjo do të thotë se ligji që u miratua me shpejtësi dhe në menyrë të njëanshme në Parlament nuk do ta kete jetën të gjatë. Ai duket se do të pësojë të njëjtin fat qeë pësoi ligji për entet rregullatore, i 28 korrikut të kaluar , që u miratua natën nga maxhoranca duke mos pranuar balancimin e tyre politik të zëvendësuar me diktatin e maxhorances nën maskën e anëtarësisë mes perfaqesuesve më të njohur të shoqerisë civile. Pastaj u kthye, u realizua marveshja e 30 Gushtit me opoziten dhe ligji u miratua ne 20 janar duke plotësuar të gjitha sugjerimet e opozitës. Tani po realizojmë në praktikë balancimin politik të dy enteve rregullatore: të KKRT dhe Keshillit Drejrtues të RTV Publik. Do të thoja që është fatkeqësi kthimi pas, pra kur vjen një qeveri ajo fillon çdo gjë nga e para. Ajo që më shqetëson si politikane, si qytetare është që detyrohemi të çbëjmë. Ky është një problem i madh. Eshtë humbje kohe. Dhe shqiptaret nuk e kanë këtë luks. Perkundrazi duhet të ecim shumë më shpejt për të arritur standartet që kerkojnë shqiptarët.

DW:

Megjithatë maxhoranca dhe kryeministri kembëngulën se ligji , kaq fort i kontestuar nga opozita lufton informalitetin dhe rregullon tregun e mediave elektronike. Dhe për këtë në Parlament u paraqitën argumenta.

Leskaj:

Eshtë vetëm ironike të abuzohet me informalitetin, me transparencën. Po ju them që ligji i transmetimeve dixhitale nuk ka asnjë rrjesht për informalitetin, asnjë rrjesht për burimet financiare. Ajë që ne kemi propozuar, kemi kërkuar është që në Parlament të shkojë ajo paketë integrale që po punojmë me BE dhe KE . Ku janë të përfshira burimet e financimit, pronësia, pra kush është pronari dhe elemete të tjera lidhur me transparencën. Informaliteti ka të bëjë me taksat dhe jo me transmetimet dixhitale. Dhe ka një ligj për taksat

më të cilin rregullohet informaliteti. Shpresojmë që maxhoranca të ketë vullnetin që të miratojë paketën e hartuar me BE dhe KE. Shpresoj që më pas të mos i kthehemi kësaj teme. Por atyre qm prekin jetën e përditshme të njerëzve. Dhe kjo ka qenë ndoshta edhe aresyeja kryesore pse qeveria ka një ndjeshmëri kaq të lartë për TOP CHANEL-in, sepse ai është një TV që prek jetën e përditshme dhe hallet e njerëzve.

  • Data 29.05.2007
  • Autor Ani Ruci
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArUw
  • Data 29.05.2007
  • Autor Ani Ruci
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArUw
Reklamë