1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lejohet apo ndalohet shamia e kokës për mësueset në Gjermani?

14 Janar 2007

Të mbajnë mësueset myslimane në Gjermani shaminë e kokës gjatë mësimit ose jo? Për këtë çështje pritet të hënën (15.01) vendimi i gjykatës kushtetuese të Bavarisë, ku u verifikua nga pikëpamja kushtetuese ligji për ndalimin e shamisë së kokës për mësueset. Akuza u ngrit nga një bashkësi fetare islame me seli në Berlin, që mendon se ligji shkel parimin e barazisë. Lande të ndryshme kanë rregullore të ndryshme.

https://p.dw.com/p/Aqy1
Fotografi: AP

Gratë që mbajnë shami koke ndërkohë në shumë vende janë pjesë e pandshme e pamjes nëpër rrugët e Gjermanisë. Por shamia e kokës është shndërruar në një temë diskutimi publik. Në debatin mbi lejimin ose jo të shamisë së kokës në orën e mësimit që ka përfshirë të gjitha kampet politike në thelb kemi të bëjmë vetëm me një konflikt mes lirisë së besimit dhe qytetarëve nga njëra anë dhe detyrimit të shtetit për të qenë neutral nga pikërpamja fetare nga ana tjetër.

I gjithë ky debat e ka të bëjë me një rast në landin e Baden-Vyrtemerbut: Një mësuese myslimane insistoi, që ta mbajë shaminë e kokë edhe gjatë kohës që jep mësim, ndonëse drejtoria e shkollës ia ndaloi këtë. Si rjedhojë ajo paraqiti ankesë pranë gjykatës kushtetuese në Karlsruhe. Më 24 shtator 2003 gjykata vendosi, që mësueseve nuk mund t´u ndalohet pa bazë ligjore mbajtja e shamisë së kokës në mësim.

I ngarkuari i Berlinit për integrimin dhe migrantët, Gynter Piening, e përshëndeti vendimin e gjykatës kushtetuese, që nuk e ndalon përdorimin e shamisë së kokës. Ky vendim nuk vë në pikëpyetje të drejtën individuale të individidt për lirinë fetare, por përkundrazi vlerëson me seriozitet shumëllojshmërinë fetare dhe mbrojtjen e saj në Gjermani. Në gjykimin e saj gjykata kushtetuese nuk i referohet në mënyrë eksplicite fesë islame, por të gjitha besimeve fetare. Gynzter Peining: "Nëse ne e dënojmë përdorimin e shamisë së kokës, kjo do të thotë, që ne kemi parametra të ndryshme në trajtimin e feve, gjë që çon ujë në mullirin e atyre, që vazhdimisht e shohin si të diskriminuar fenë islame. Kjo do të thotë, se ne mund të zhvillojmë një dialog të ndershëm me myslimanët vetëm, nëse dëshmojmë, që ata trajtohen njëlloj si edhe bashkësitë e tjera fetare. Ky ka qenë parimi i Berlinit, që ne e kemi vënë në jetë në vitin 2005."

Sipas të të ngarkuarit të Berlinit për çështjet e integrimit, aktualisht në Gjermani ka tri pozicione kyçe lidhur me shaminë e kokës. Nga njëra anë pozicioni i gjermano-jugorëve, që janë të vetmit, të cilët e dënojnë përdorimin e shamisë së kokës, pozicioni i Berlinit si dhe qëndrimi i ngjashëm i landit të Shlesvig-Holshteinit, ku të gjitha simbolet fetare trajtohen njëlloj dhe pozicioni i tretë përfaqësohet nga landet, që ua kanë lënë në dorë shkollave të vendosin mbi përdorimin ose jo të shamisë së kokës. Ndërsa në landet Rajn-Pfalc, në landet lindore si dhe në Hamburg nuk ka asnjë iniciativë për ndalimin e shamisë së kokës.

Ndërkohë që në Bavari u verifikua nga pikëpamja kushtetuese ligji i nxjerrë për ndalimin e shamisë së kokës për mësueset. Si bazë shërbeu akuza e një bashkësie fetare islame me seli në Berlin, e cila mendon se ligji në fjalë shkel parimin e barazisë. Vendimi i Bavarisë mund të shërbejë si sinjal edhe për landet e tjera.

Zëvendëssekretari i përgjithshëm i fondacionit Konrad Adenauer, Kristof Kanegieser, së fundi duke prezantuar studimin me temë: "Shamia e kokës - zbulimi i një simboli", thekson, se studimi ka pasur si bazë që përmes kontaktit të arrihej tek njohuritë mbi mendimin e grave dhe vajzave që e mbajnë shaminë e kokës. Pra duhej të gjenim përgjigje ndaj pyetjes, se përse duhet shamia nga perspektiva e atyre që e mbajnë atë. Një ndër rezultatet e këtij studimi është sipas zotit Kanegieser: "Gratë e pyetura e mbajnë shaminë e kokës kryesisht për arësye fetare. 97% e tyre e konsiderojnë si detyrim fetar që myslimanët të mbajnë shaminë e kokës."

Vendimi për përdorimin e shamisë së kokës është në thelb vendim personal, që vetëm shumë pak mund të influencohet prej njerëzve jashtë familjes. Rezultatet e studimit nuk japin konkluzion bindës, se shamia e kokës ka të bëjë me percpetime të dyshimta ndaj shtetit dhe demokracisë. Kristof Kanegieser në këtë drejtim thekson: "Ne nuk duhet të lejojmë, që këto gra apo grupe të tjera në Gjermani të izolohen. Eshtë një detyrë ndaj shoqërisë gjermane, por edhe një kërkesë ndaj këtij grupi, që të angazhohen më fuqishëm për integrimin. Myslimanët ndërkohë janë pjesë e shoqërisë gjermane dhe këtu bëjnë pjesë edhe vajzat dhe gratë që mbajnë shaminë e kokës."