1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kancelarja gjermane Merkel përfundon vizitën e saj dyditore në Poloni

Hubert Wohlan18 Mars 2007

Kancelarja gjermane Angela Merkel përfundoi të shtunën vizitën e saj dyditore në Poloni. Ajo u shfaq e kënaqur me udhëtimin e saj në shtetin fqinj dhe theksoi se zhvilloi bisedime pozitive edhe mbi tema delikate

https://p.dw.com/p/AqxF
Angela Merkel me Jaroslaw Kaczynskin në Jurata
Angela Merkel me Jaroslaw Kaczynskin në JurataFotografi: AP

Në qendër të bisedimeve me presidentin polak Lech Kaczynski ishin Kushtetuta Evropiane dhe sistemi amerikan mbrojtës kundër raketave në Poloni dhe Çeki.

Kancelarja kristian demokrate kishte tek politikanët polakë dhe mediat më shumë fat se socialdemokratët. Ky fenomen është i çuditshëm, sepse gjatë dhjetëvejçarëve të fundit, kancelarët social demokratë ishin ata që i bënë Polonisë dhurata pafund. Por tani duket sikur Angela Merkel do të kthehet në personin më të preferuar të polakëve, ashtu si dikur tutori i saj Helmut Kohl, ndonëse sot nuk bëhet më fjalë për dhurata por për të ardhmen e Evropës.

Kjo e ardhme do të ketë formën e një kushtetute evropiane dhe duhet të pranohet nga 27 vendet antare të BE-së. Këtë gjë e di edhe koalicioni qeveritar në Varshavë. Por të "palëkundurit" e Varshavës janë kundër kësaj kushtetute, sepse marrëveshja e Nizës, e cila është ende në fuqi, i jep më tepër të drejat Polonisë brenda BE-së sesa kushtetuta e re. Por sa kohë do ta mbajë Varshava këtë pozicion?

Ndërkohë që presidenti i shtetit Lech Kaczynski bisedonte me Angela Merkelin mbi Evropën, vëllai i tij binjak dhe kryeministri polak Jaroslav Kaczynski ndodhej në Danimarkë dhe Hollandë ku zhvilloi bisedime me skeptikët e Evropës së bashkuar.

Kjo do të thotë se në Poloni ka ende shumë njerëz, të cilët nuk janë shumë të entuziasmuar mbi përpilimin e një kushutetute të re evropiane. Angela Merkel donte ta përshpejtonte hartimin e kësaj kushtetute dhe duhet të pohojmë se ja arriti qëllimit. "Iku koha e debateve dhe mendimeve - tani ka ardhur koha për vepra" - shkruajti kancelarja gjermane në librin e miqve në Varshavë. Dhe mesa duket mesazhi i saj u kuptua siç duhet.

Tema tjetër e vështirë e bisedimeve, sistemi i planifikuar amerikan mbrojtës kundër raketave, është pothuajse po aq i komplikuar sa kushtetuta evropiane. Por ndryshimi qëndron në faktin se zgjidhja e këtij problemi nuk varet vetëm nga Polonia. Përgjegjësit kryesorë janë SHBA-s dhe zgjidhja e këtij problemi mund të gjindet vetëm në kuadër të bisedimeve mes shteteve antare të NATO-s.

Por polakët kanë besim të verbër ndaj amerikanëve. Besimi i Polonisë tek Amerika është po aq i thellë sa besimi tek kisha katolike. Në rast se qëndrimi i polakëve mbetet i njejtë, atëherë gjermanët do të detyrohen t´ja lënë SHBA-s në duar zgjidhjen e problemit të sistemit mbrojtës kundër raketave.