1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Italia dhe anëtarësimi i dy vendeve ballkanike në BE

20 Maj 2006

Mediat ndërkombëtare gjatë javës që po kalon, në qendër të vëmendjes kishin dy tema: krijimin e Qeverisë së re italiane dhe debatet rreth pranimit të Rumanisë dhe Bullgarisë në BE, në vitin 2007.

https://p.dw.com/p/Arpq
Fotografi: AP

Lidhur me planet për zgjërimin e BE, Basler Caitung shkruan: "Duket se Rumania dhe Bullgaria në vitin 2007, me të vërtetë do të pranohen në BE. Ndonëse Komisioni Evropian ende po i radhitë mungesat në përmbushjen e kushteve. Shumë pak e besueshme duket mundësia që këto kushte të plotësohen deri në tetor të këtij viti, kur Komisioni do t'u japë kryeministrave të vendeve anëtare sugjerimin përfundimtar. Për shkak të premtimeve të dhëna, duket se në vlerësimin e kritereve do të mbyllet njëri sy."
Ndërsa gazeta e Parisit, Le Mond vëren: "Ngutia shkakton gabime, prandaj duhet pritur. Ky është edhe sugjerimi i Komisionit Evropian, dërguar presidentëve dhe kryeministrave të vendeve anëtare. Sugjerimet e Komisionit për pritje, pasqyrojnë edhe të gjitha dyshimet e evropianëve ndaj procesit të zgjërimit të BE. Rezervat janë bërë të qarta në veçanti pas referendumeve në Francë dhe Holandë, për kushtetutën e re evropiane. Bullgaria dhe Rumania mund të jenë viktimat e para të këtyre dyshimeve."
Për gazetën Luksemburger Vort, shkaqet për rezerva mund të gjenden edhe diku tjetër: "Bullgaria dhe Rumania ende kanë probleme të mëdha, për shkak se ekonomia socialiste e dekadave të kaluara ka lënë pasoja serioze. Ndërkohë që në afërsinë e këtyre dy vendeve, janë zhvilluar edhe luftërat e ish - Jugosllavisë. Armët ndërkohë kanë heshtur, por Ballkani ende është tepër larg stabilitetit politik dhe ekonomik. Pranimi i Bullgarisë dhe Rumanisë në BE, do të stabilizonte tërë Ballkanin. Do të ishte një sinjal pozitiv edhe për qeveritë në Beograd, Podgoricë, Prishtinë, Tiranë dhe Sarajevë."
Ndërkohë që e përditshmja britanike, The Independent pohon:
"Bullagaria dhe Rumania në një farë mënyre nuk kanë pasur fat. Ato u dëmtuan pasi që nuk u anëtarësuan në kohën e zgjërimit të madh, kur në BE u futën shumica e vendeve të ish - Paktit të Varshavës. Ishte i drejtë vendimi që nga këto vende të kërkohet zbatimi më i denjë i kushteve të BE, se sa prej vendeve baltike. Mirëpo, ato u shkëputën nga vala e euforisë, e shkaktuar pas luftës së ftohtë."
Gazeta tjetër britanike, Guardian, në radhë të parë thekson anët pozitive: "Gjithmonë ishte e qartë se këto dy vende ish - komuniste, ende po i vuajnë pasojat e regjimit të Nikolae Çakusheskut dhe Todor Zhivkovit. Duhet vlerësuar afrimin e tyre kaq të madh. Çaushesku dhe Zhivkovi nuk do t'u besonin veshëve të tyre, por të dëgjonin për këto zhvillime".
Kalojmë tani tek zhvillimet në Itali, ku pas peripecive të shumta, kabineti qeveritar i Romano Prodit mund të fillojë punën. Gazeta Tages Anzeiger e Cyrihut shprehet me tone euforike: "Çfarë mrekullie! Në fjalimin e tij Prodi solli të gjitha ato që kanë munguar gjatë pesë viteve të fundit, në stil, kulturë dhe politikë. Jasht nga Iraku! Stop diskrimimit të të huajve! Stop pasurimeve të pafunda dhe mbrojtjes së interesave përsonale! Nga vendi më i lartë, kryeministri i ri paraqiti orientime të qarta të Italisë së ardhëshme."
Rolin e Prodit me tone pozitive vlerëson edhe Salcburger Nahrihten, mirëpo paralajmëron koalicionin në pushtet: "Kryeministri i ri ia doli shumë shpejt që gjërat t'i sjell në rend. Janë partitë në koalicion ato që tani duhet të marrin përgjegjësinë për menjanimin e gërmadhave politike dhe zbatimin e reformave të dhimbshme. Vetëm një politikë efikase e interesave të përgjithëshme mund të japë rezultatet e duhura dhe të pamundësojë kthimin në pushtet të manjatit medial, Silvio Berluskoni".
Paralajmërime edhe më të fuqishme lexojmë në gazetën spanjolle La Vanguardia: "Udhëheqja e kësaj qeverie do të jetë një detyrë shumë e vështirë. Prodi e mbijetoi votimin në parlament, por vështirësitë që kishte drejt krijimit të kabinetit qeveritar, janë vetëm paralajmërim për problemet që mund të pasojnë. Koalicioni ka një bazë të dobtë."
Me tone të ngjashme shprehet edhe Il Mesagjero e Italisë: "Qeveria u zgjodh dhe tani duhet të qeverisë. Në letër kjo është shumë e qartë. Mirëpo në realitet punët janë shumë më të komplikuara, sepse në horizontin politik italian nuk duket ndonjë qetësi".
Më në fund, gazeta britanike Tajms velërson: "Prova e parë për qeverinë e Prodit do të jetë politika ndaj Irakut. Prodi parashikon tërheqjen e ngadalëshme të trupave italiane. Irakianët kërkojnë vazhdimin e qëndrimt të tyre atje, ndërsa komunistët dhe ekologjistët kërkojnë tërheqjen e menjëherëshme. Do të jetë kjo një detyrë e rëndë."