Iraku dhe kandidatja për presidente në Francë | Studimi në Gjermani | DW | 18.11.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Iraku dhe kandidatja për presidente në Francë

Në shtypin ndërkombëtar të javës ndër tjera komentohet gjendja në Irak si dhe zgjedhja e Segolene Rojal, kandidate e socialistëve në Francë për presidente.

Lidhur me temën e parë njëpjesë nga komenti i gazetës "The Guardian": Sego kundër Sarkosë, ky do të jetë spektakli më i madh politik, që do t´i ofrohet Francës, gjë që s´ka ndodhur për shumë vjet. Suksesi i Segolene Rojalit në raundin e përzgjedhjes brenda partisë socialiste i jep asaj një bazë solide, prej nga ajo do të sfidojë kundërshtarin e mundshëm në zgjedhjet presidenciale vitin e ardhshëm, Nikola Sarkozinë e partisë së qendrës së djathtë. Forca tërheqëse telexhene e saj (...) ishte më e rëndësishme se sa fakti, që asaj i mungon përvoja politike krahasuar me dy rivalët burra të saj Dominik Straus-Kahn dhe Loro Fabius."

E përditshmja ruse "Kommersant" vëren: "Segolene Rojal nuk është klasike e majtë, atë e cilësojnë si realiste. (...) Nga të gjithë kandidatët e socialistëve vetëm Rojal është shprehur me dyshim ndaj javës 35 orëshe të punës, të projektuar prej socialistëve dhe të kritikuar prej së djathtës. Ajo konsiderohet si liberale e majtë. Të befason fakti, që pikërisht kjo përzierje i ka joshur më së shumti të majtët francezë. Pse Franca po ndryshon, ose po ndryshon e majta."

Ndërsa lidhur me temën e Irakut dhe mundësisë për tërheqjen e trupave amerikane, gazeta liberale e Stokolmit «Dagens Nyheter» shkruan: "Eshtë e qartë që trupat amerikane duhet të largohen nga Iraku. Çdo veprim tjetër nuk do të ishte i mundur politikisht brenda vetë SHBA-ve. Pyetja që shtrohet është vetëm se kur dhe se si do të realizohet tërheqja e trupave. Në SHBA shumë vetë shpresojnë, që ish-ministri i jashtëm James Bejker do të jetë në gjendje të tregojë një rrugë se si mund të kthehen ushtarët amerikanë në shtëpi pa lënë pas një vend në kaos. Tani çdo gjë flet për atë se propozimet dhe politika e jashtme amerikane do të përqëndrohen në nevojën e gjetjes së një zgjidhjeje rajonale, e cila do të involvonte edhe vendet fqinje të Irakut në gjetjen e një zgjidhjeje. Bejkeri e ka thënë gjithnjë hapur se sipas mendimit të tij qeveria e Bushit duhet të flasë me Iranin dhe Sirinë. Me siguri që një përpjekje e tillë për të bashkëpunuar me këto vende do të ishte e vështirë për Uashingtonin pasi i ka quajtur ato "vende të pabesa". Por ja që bota është ashtu siç është."

Gazeta konservatore franceze që botohet në Paris "Le Figaro" shkruan se as ministrja e jashtme amerikane Kondoliza Rice nuk ka asnjë recetë për krizën në Irak dhe në Lindjen e Mesme në tërësi: "Shefja e diplomacisë amerikane ka fituar pikë duke luajtur kartën e solidaritetit ndërkombëtar në çështjen e Iranit dhe të Koresë së Veriut. Ajo ia ka dalë mbanë deri tani të mbajë nën kontroll neokonservatorët dhe të izolojë zëvendës presidentin Dik Cheney. Firma e saj mund të shihet edhe në ndryshimin në krye të Pentagonit ku Donald Rumsfeld u zëvendësua me Robert Gates, që është një pragmatist me të cilin Kondoliza Rice ka punuar në qeverinë e babait të Bushit. Megjithatë deri tani ajo nuk ka arritur rezultate të dukshme dhe nuk duket të ketë një vizion të qartë strategjik që do të kalonte tej kufijve të betimeve të George Bushit për një demokratizim të Lindjes së Mesme."

Për krijimin në Uashington të grupit studimor për Irakun të drejtuar nga ish-ministri i jashtëm amerikan James Bejker shkruan edhe gazeta zvicerane "Berner Zeitung": "Midis një presidenti të pavendosur dhe një opozite të çoroditur, pas zgjedhjeve për Kongresin, Amerika e ka zhvendosur politikën ndaj Irakut drejt një komisioni nga i cili pritet shumë. Ndoshta ndodh një mrekulli dhe komisioni i zgjedhur më shumë në bazë të përfaqësimit proporcional se sa të kompetencës në politikën e jashtme arrin të gjejë një rrugëzgjidhje të cilën për momentin asnjeri nuk e shikon. Ndoshta ai arrin të zgjidhë bllokadën e të menduarit dhe ky do të ishte një fillim. Por edhe në këtë rast do të mbrohej nga zhgënjimet çdokush që do t´i merrte këto me rezervë: Të fillosh një luftë është më e lehtë sesa ta mbarosh atë."


  • Data 18.11.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Armv
  • Data 18.11.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Armv