Inisiativë ligjore në Shqipëri për ndryshimin e legjislacionit kundër terrorizmit
20 Gusht 2005
Në Shqipëri po ndërmerret një inisiativë e re për ndryshime në legjislacionin e Shqipërisë kundër terrorizmit. Kështu ky legjislacion do të afrohet më tepër me atë të Bashkimit Evropian. Inisiativa për këtë vjen nga Ministria e Drejtësisë. Zëdhënësi i Ministrisë së Drejtësisë shpjegon për Deutsche Welle, se thelbi është specifikimi i elementëve që përmban një akt kriminal që ai të cilësohet terrorist. Kjo vlen edhe për qartësimin e atyre tipareve që një grupim kriminal do t'a quanin terrorist. Projektligji në fjalë propozon që sulmet ndaj objekteve pulike, të cilësohen akte terroriste dhe si të tilla të marrin dënime të ashpra. Ndërkohë krerët e drejtësisë kanë përgatitur një paket ligjesh të kodit penal, ku veç ndryshimeve të tjera, parashihet, që të dyshuarit të mbahen të paktën 48 orë në rajonet e policisë. Ky është projektligji i parë që harton Shqipëria kundër terrorizmit, të cilin duhet ta miratojë parlamenti i ri i dalë nga zgjedhjet e tre korrikut.
Domosdoshmërinë e plotësimit të legjislacionit përkatës e bën hedhja në erë para pak kohësh e shtyllës së tensionit të lartë, Shqipëri-Kosovë, nga ku Shqipëria importon dhe eksporton energji elektrike. Autorët e këtij krimi nuk janë zbuluar ende.