1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Grupi Drejtues për Kosovën diskutoi për zgjedhjet e Serbisë në Kosovë

Bekim Shehu7 Maj 2008

Kryeministri, Hashim Thaçi, thotë se kushdo që fiton në zgjedhjet në Serbi e rëndësishme është që Beogradi të përcjellë mesazh demokratik, që i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit.

https://p.dw.com/p/Dv6o
Prishtinë
PrishtinëFotografi: DW

Grupi Drejtues për Kosovën, i cili kordinon politikat e misionit të BE-së në Kosovë, zhvilloi një takim me dyer të mbyllura. Takimi i këtij grupi zhvillohet për herë të parë në Prishtinë dhe në të pjesmarrës ishin shumë ambasadorë apo shefa të zyrave ndërlidhëse të shteteve, që kanë përfaqësit e tyre në Kosovë dhe që mbështesin misionin e BE-së.

Cështja kryesore për të cilën u diskutua në takim ishin zgjedhjet e Serbisë, ato lokale dhe të përgjithshme që do të mbahen këtë të diel edhe në teritorin e Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk mori pjesë në takim. Por ai deklaroi, se zgjedhjet e Serbisë nuk duhet të mbahen në Kosovë, sepse Kosovën dhe Serbinë ai i cilëson si dy shtete të ndara. Sidoqoftë, kryeministri, Thaçi, thotë se kush do jetë udhëheqës, apo kush do të jetë fitues i ardhshëm i zgjedhjeve në Serbi, kjo do të përcaktohet nga qytetarët e Serbisë.

"Por natyrisht se çdo mesazh demokratik edhe nga Beogradi, ka reflektimet e mira edhe për paqen dhe stabilitetin në rajon, ka reflektimin edhe për investimet të komunitetit ndërkombëtar në gjithë rajonin", deklaroi kryeministri Thaqi.

Katër ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë, politikanët serbë po vazhdojnë fushatën për zgjedhjet edhe në Kosovë. Mediat serbe njoftojnë se kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica do të qendrojë sot, në veri të Kosovës në Zubin Potok, vendbanim ky i banuar më shumicë serbe. Po ashtu, ministri serb për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Sllobodan Samarxhiç, do të vizitojë Shterpcen dhe Dragashin në jug të Kosovës. Vizitat, siç thuhet gjithmonë private në Kosovë të politikanëve të Serbisë, realizohen me leje të UNMIK-ut. Por ai gjithnjë u kërkon politikanëve serbë që mos t'i kontribuojnë frymës së ndarjeve etnike, por t'u bëjnë thirrje serbëve për bashkëjetesë.