1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

150509 60 Jahre Deutschland Europa

19 Maj 2009

Republika Federale e Gjermanisë e themeluar para 60 vjetësh është një shtet shumë i ri. Një proces i rëndësishëm është rruga e Gjermanisë në integrimin evropian. Vendimtare për këtë janë marrëdhëniet gjermano-franceze.

https://p.dw.com/p/HtFG
Ne foto: Charles de Gaulle dhe Konrad Adenauer ne Bonn. 'Rroftë Boni, rroftë Gjermania, rroftë miqësia gjermano-franceze!' - Charles de Gaulle
'Rroftë Boni, rroftë Gjermania, rroftë miqësia gjermano-franceze!' - Charles de GaulleFotografi: picture-alliance/ dpa

„Rroftë Boni, rroftë Gjermania, rroftë miqësia gjermano-franceze!“

4 shtator 1962: Charles de Gaulle flet nga ballkoni i Bashkisë së Bonit. Poshtë populli brohoret atë, që dy herë ka qenë në luftë kundër Gjermanisë. De Gaulle viziton si i pari president francez Republikën Federale të Gjermanisë. Mesazhin e tij të pajtimit ai e sjell në një gjuhë, që në fakt nuk donte ta fliste kurrë më. Përpara ushtarëve të Bundesverit (ushtria gjermane) ish-ushtari dhe luftëtari i rezistencës de Gaulle citon shkrimtarin e dëbuar prej nazistëve Carl Zuckmayer:

„Ajo ç' ka dje ishte detyrimi ynë, për të qenë armiq, është sot e drejta jonë për të qenë vëllezër.“

Në nivelin e burrave të shtetit kjo tashmë është realitet: Charles de Gaulle dhe kancelarin Konrad Adenauer e lidh një miqësi e ngushtë. Së bashku, në radhë të parë de Gaulle, miqtë vëllezër gjermano-francezë shpresojnë t' i japin tonin poliitkës në Evropën e pasluftës. Kursi i përcaktuar: nga komuniteti i sapo krijuar ekonomik evropian të kalohet në unionin politik. Nismat e para Franca dhe Republika Federale e Gjermanisë i përcaktojnë në një marrëveshje miqësie. Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të Marrëveshjes Elysée në janar 1963 Adenaueri flet frëngjisht në Paris:

„Pa këtë marrëveshje nuk ka unitet evropian. Rrugët mund të ndryshojnë, por më e rëndësishmja është, që të mos humbasim asnjëherë besimin e miqve.

Integrim në vend të konfrontimit, kjo dëshirë nxit edhe brezat pasardhëse. Por rruga drejt Komunitetit Evropian është me pengesa. Për aq kohë sa qeveris de Gaulle, ai pengon antarësimin e Britanisë së Madhe. Më pas ka vazhdimisht grindje për para.

„Bashkimi i Evropës ka qenë fillimisht shumë më tepër se sa vetëm një ofertë avantazhesh materiale, e kështu duhet të jetë përsëri.“

...tërheq vëmendjen Helmut Kohli në deklaratën qeveritare në maj të vitit 1983. Kancelari i sapo zgjedhur do më shumë bashkëpunim politik. Tek presidenti i Francës, Francois Mitterrand ai gjen një aleat të ngushtë për këtë vizion.

Socialisti trupimët francez, i cili qe plagosur në Luftën e Dytë Botërore në Verdun, përkrah kristiandemokratit trupmadh nga Pfalci. Kohli dhe Mitterrandi dorë për dore në varrezën e Verdunit në shtator 1984. Minuta të tëra ata qëndrojnë atje duke përkujtuar në heshtje mijëra të rënët e dy luftrave botërore. Kjo është pamja që ka hyrë në histori. Kjo shpjegon, përse ëndrra e përbashkët për bashkimin politik të Evropës nuk cënohet, teksa pak pas kësaj zhvendoset ndjeshëm raporti i forcave të pushtetit.

Verdun, 22.09.1984 François Mitterrand dhe Helmut Kohl
Verdun, 22.09.1984 François Mitterrand dhe Helmut KohlFotografi: picture-alliance/ dpa

1989: Muret mes Lindjes dhe Perëndimit bien. Gjermania e ndarë ka shansin për t' u ribashkuar. Berlini papritur del në qendër të Evropës. Kjo ngjall frikëra, së pari në Paris: frikë prej pretendimeve për superfuqi të Gjermanisë, frikë prej një Evropë gjermane. Mitterandi kërkon një Gjermani evropiane. Ai e miraton ribashkimin vetëm sepse Helmut Kohl-i është i gatshëm për më shumë integrim.

„Komuniteti, të nderuar zonja dhe zotërinj, në këtë mënyrë do të jetë pika e kristalizimit për Evropën e lirisë, për Shtetet e Bashkuara të Evropës. Gjermania e ribashkuar nuk do kthimin në Evropën e së djeshmes dhe nuk duhet të lejohet më rigjallërimi i rivaliteteve dhe nacionalizmave të vjetra. Ne duam një Evropë të re, që të mos shfuqizojë identitetin tonë kombëtar, në të cilën askush të mos jetë më kundër askujt, në të cilën asnjë komb të mos jetë nën hijen e një tjetri, por në të cilën ne së bashku të garantojmë për një të ardhme në paqe e liri, në mirëqenie e siguri."

Këto pikësynime përcaktohen në Marrëveshjen e Maastrichtit të vitit 1992 dhe kësisoj pagëzohet "Bahskimi Evropian". Pas kësaj gjithçka u zhvillua shumë shpejt: hiqen kontrollet kufitare brenda BE-së, Euro bëhet monedha e përbashkët evropiane. Një grup pune duhet të projektojë Kushtetutën Evropiane.

Kohli dhe Mitterrandi nuk janë më në pushtet, por zgjerimi i madh në Lindje i BE-së - nga 15 anëtarë në 25 në vitin 2004 - është trashëgimia e tyre.

„Amitié pour nos deux peuples“ // „Freundschaft für immer zwischen Frankreich und Deutschland“

"Miqësi përgjithmonë mes Francës dhe Gjermanisë", thotë Helmut Kohli në frëngjisht dhe të njëjtën fjali Mitterand e thotë në gjermanisht.

„Asnjëherë kjo miqësi nuk duhet sakrifikuar, miqësi kjo që ka përballuar kaq shumë dhe që lidh popullin francez dhe atë gjerman. “

Presidenti francez, Nicolas Sarkozy dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel
Presidenti francez, Nicolas Sarkozy dhe kancelarja gjermane, Angela MerkelFotografi: picture-alliance/ dpa

Presidenti i Francës Nikola Sarkozy më 16 maj 2007 rithekson miqësinë gjermano-franceze. Vetëm pak orë pas zgjedhjes si president në maj të 2007 ai zhvillon një vizitë shtetërore në Berlin.

„Meqenëse ne njihemi pak, jam më se e sigurtë, që bashkëpunimi ynë do të jetë i mirë."

Kancelarja pranon që homologu i saj ta puthë. Por misioni i tyre i përbashkët është më i vështiri, qysh prej fillimit të procesit të Bashkimit Evropian. BE-ja e zgjeruar ka nevojë urgjente për reforma. Por marrëveshja, që duhet ta aftësojë edhe më shumë atë për veprim, dështon tek qytetarët: versioni i parë i projektkushtetutës dështoi në referendumet në Francë dhe në Holandë, ndërsa verisoni dytë dështoi në Irlandë.

Entuziazmi për pajtimin, siç e kuptonin atë de Gaulle, Adenaueri, Mitterandi dhe Kohli, është zëvendësuar sot prej skepticizmit të madh.

Autor: Tina Gerhäuser/ Vilma Filaj- Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi