1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fillon në Bagdad konferenca ndërkombëtare për sigurinë

Carsten Kühntopp10 Mars 2007

Në fillim të konferencës ndërkombëtare për sigurinë në Bagdad, kryeministri irakian Nurik Al Maliki i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta luftojë e bashkuar terrorin në Irak dhe të ndihmojë që terrori të zhduket përgjithmonë. Vetëm pajtimi kombëtar mund ta shpëtojë Irakun, tha ai më tej. Fillimi i ksaj konference u shoqërua me shfaqjen e një videokasete, në të cilën pengmarrësit e dy gjermanëve kërcënojnë se do t´i vrasin ata, në rast se Gjermania nuk i tërheq trupat e saj nga Afganistani.

https://p.dw.com/p/Aqml

Trupat gjermane duhet të tërhiqen nga Afganistani brenda 10 ditëve të ardhshme, në rast të kundërt pengjet do të vriten. Kjo është kërkesa e pengmarrësve të dy pengjeve gjermane që ndodhen në duart e terroristëve që në fillim të muajit shkurt. Pengmarrësit quhen "Batalioni i shtyllave të drejtësisë" dhe e shfaqën videofilmin në një faqe islamike interneti. Aty dallohen tri burra të maskuar, të cilët qëndrojnë pas dy penjgeve gjermane qe janë të ulur në tokë.

Njëri nga burrat i drejtohet qeverisë gjermane me fjalët: "Ju paralajmëruam se po nuk i përmbushët kërkesat tona, do të gjeni vetëm kufomat e agjentëve tuaj këtu." Dy pengjet qajnë dhe gruaja i lutet kancelares Angela Merkel që ta plotësojë kërkesën e pengmarrësve, për të shpëtuar jetën e djalit të saj. "Po më kërcënojnë. Këta njerëz po më thonë se do të më vrasin djalin përpara syve të mi e më pas do të më vrasin edhe mua." Në film shihet gjithashtu edhe pashaporta e gruas, emri, data dhe vnedi i lindjes. Sipas një zëdhënëseje të ministrisë së jashtme gjermane, ekspertët po verifikojnë tani lajmet më të fundit lidhur me këtë rast. Dy pengjet kanë vite që jetojnë në Irak. Ndërkohë grupi islamik që i ka marrë gjermanët peng është ende i panjohur.

Ndërkohë në Bagdad filloi konferenca ndërkombëtare për sigurinë me temë "reduktimin e dhunës dhe terrorit në Irak". Qeveria në Bagdad kishte një mesazh të qartë për të gjithë pjesëmarrësit e kësaj konference "Ne nuk duam të jemi fusha e betejës në të cilën disa shtete duan të lajnë hesapet me SHBA-s në kurrizin tonë". Kështu u shpreh ministri i jashtëm irakian Hoshijar Sebari para fillimit të konferencës. Duhet të sigurohemi që vendet fqinje me Irakun të luajnë një rol konstruktiv ose të paktën të mos i pengojnë përpjekjet e Bagdadit për të rindërtuar vendin, tha më tej Sebari.

Mendohet se gjatë kësaj konference do të zhvillohen edhe bisedime direkte mes diplomatëve amerikanë dhe atyre iranianë. Ky do të ishte një zhvillim historik për të dyja shtetet, të cilat nuk kanë më marrëdhënie diplomatike me njëri-tjetrin qysh prej një çerek shekulli.