1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ekstremistët e djathtë hyjnë në parlamentin e Meklenburgut

Almut Knigge19 Shtator 2006

Partia nacionaldemokrate (NPD) arriti në Meklenburg të hyjë në parlament. Si ishte e mundur që ajo të kapërcente pesë përqindshin e nevojshëm?

https://p.dw.com/p/AqzN
Udo Pastos (djathas) kandiadati kryesor i NPD-së në Meklenburg
Udo Pastos (djathas) kandiadati kryesor i NPD-së në MeklenburgFotografi: picture-alliance / dpa

Kanë kaluar kohrat, kur ekstremistët e djathtë dilnin me çizme ushtarake dhe parrulla si "Të huajt jashtë Gjermanisë". Sot shumë prej tyre janë me kostum dhe trajtojnë problemet që kanë njerëzit në terren. Ata angazhohen në nisma qytetare, në organizata prindërish dhe me shumë zgjuarsi shfrytëzojnë nostalgjinë për atdheun e nevojën për siguri në një botë të pastër, shpjegon eksperti i ekstremizmit të djathtë, Toralf Staud. "Nacionaldemokratët dhe aleatët e tyre kanë vite të tëra që po punojnë për të zënë vend në këtë zonë. E dinin se si: bënë një fushatë të drejtuar kryesisht në adresë të të rinjve."

Në Saksoni të djathtët kanë gati 9 për qind të vendeve në parlament. Prej çka partia përfiton edhe financiarisht. Këto të ardhura kreu partiak i investoi në fushatën e Meklenburgut. Ky përqëndrim forcash në njërën anë dhe puna e palodhshme e bazës, në anën tjetër, ku nuk mungojnë dhe kuadro të vjetër e me përvojë, bëri që ata tani të jenë në parlament.

Mesazhi i Partisë Nacionaldemokrate është: Turistë, po, mirëse të vini! Azilkërkues mashtrues përjashta! Ose thjesht e shkruar në shkronja të mëdha: Punë. Në disa zona në Vorpomerani të vetmet plakata që vareshin para zgjedhjeve ishin ato të NPD-së. Partitë e tjera kishin hequr dorë.

Ky mesazh duket se u ka mbërritur banorëve: "Më duket në rregull, në mënyrë që të tjerët të mos bëjnë çfarë të duan... Këta nuk rrinë duarkryq, po bëjnë diçka..., ata nuk janë më neonazistë, si në vitin 1945,..., një mal me të papunë, azilantë, kjo duhet të marrë fund, ndoshta ata arrijnë diçka," - thonë njerëzit.

Pikërisht në zonat me strukturë të dobët ekonomike në verlindje të Gjermanisë, ku shpesh gjysma janë të papunë, një numër shumë i madh të rinjsh kanë krijuar përshtypjen, se më keq se ç'është nuk bëhet.

Rrezikun e fshehur mes rreshtave të programit zgjedhor të NPD-së nuk ndjenë, ose nuk donin ta ndjejnë, sqaron Gynter Hofman: "Me synimet e formuluara edhe në plakatat zgjedhore NPD- ja nuk ka lidhje fare. Ata duan vetëm të zëvendësojnë rendin e lirë demokratik me një shtet sipas modelit nacionalsocialist. Sigurisht që do të jetë më i rafinuar dhe i përshtatur me kohën, por në thelb do të jetë i njëjti. Individi nuk luan asnjë rol në botën e tyre, nuk ka asnjë vlerë. Populli është gjthçka. Kjo është e shkruar në programin zgjedhor "nënshtrimi i individit në të ashquajturën bashkësi popullore."

Gynter Hofman i njeh mirë këto qarqe. Ai është i ardhur nga Bavaria në Meklenburg. Demokracia, thotë ai, për shumë vetë është teori, në të cilën çdokush lejohet të bëjë gjthçka dhe është përgjegjës për veten e tij. Për qytetarët kjo është e lodhshme. dëshmi për këtë është ndoshta edhe një anketim i zhvilluar nga zyra statistikore, sipas të cilit, vetëm 38 për qind e njerëzve në Gjermaninë Lindore e konsiderojnë demokracinë si modelin më të mirë shtetëror.