1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ditë e rëndësishme për ligjin dhe rendin në Kosovë

Bekim Shehu20 Dhjetor 2005

Kryeadministratori i Kosovës, Soren Jesen-Petersen, ka nënshkruar rregulloret administrative për krijimin e dy ministrive të reja, atë të Drejtësisë dhe Ministrinë e Rendit

https://p.dw.com/p/Aqrn
Soren Jesen Petersen
Soren Jesen PetersenFotografi: AP

Shefi i shtyllës së parë të UNMIK-ut, Zhan Dusu, në një konferencë për media së bashku me kryeministrin e Kosovës, Bajram Kosumi bëri të ditur nënshkrimin e rregullores për formimin e dy ministrive të reja. Sot është një ditë e rëndësishme për rendin dhe ligjin, për të drejtat njerëzore dhe për ngritjen e sigurisë për të gjitha komunitetet në Kosovë. Tash i takon institucioneve të Kosovës përkatësisht parlamentit të Kosovës që të caktojë personat që do të udhëheqin dy ministritë e reja. Ata duhet të jenë profesionistë tha Zhan Dusu, shef i shtyllës së parë të UNMIK-ut.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, nga ana e tij tha se, formimi i dy ministrive të reja është rezultat e progresit që është bërë në Kosovë tash e gjashtë vjet. Kryeministri Kosumi, vlerësoi, se formimi i këtyre ministrive po kryhet në një fazë shumë të rëndësishme për vendin. Bisedimet për statusin e Kosovës tashmë kanë filluar dhe ky fakt ka shtruar nevojën për përgjegjësi më të mëdha në Kosovë. Megjithatë, transferimi i përgjegjësive në fushën e rendit dhe drejtësisë do të bëhen hap pas hapi, brenda disa muajve dhe që pritet të përfundojë në pranverë. Tash për tash, ndërkaq, akoma nuk dihet se kush janë personat që do të drejtojnë dy ministritë e reja. Kryeministri Bajram Kosumi, tha se, të dy ministritë ajo e rendit dhe drejtësisë do të udhëhiqen nga ekspertë kosovarë të këtyre fushave. Forcat e koalicionit qeverisës, LDK-së dhe AAK-së, ndërkaq, akoma po vazhdojnë konsultimet se kush do të udhëheqë me këto dy ministri. Administrata ndërkombëtare ka kërkuar nga këto forca politike që më së largu deri nesër të publikojnë emrat e të përzgjedhurve të tyre që do të drejtojnë ministritë e reja. Sidoqoftë, kalimi i përgjegjësive nga UNMIK-u tek institucionet vendore është një proces që vazhdon të zgjasë që nga vendosja e administratës ndërkombëtare në Kosovë tash e gjasht vjet. Megjithë këtë kohë dhe transferimin e deritashëm të kompetencave, mbrojtja e vendit dhe politika e jashtme dhe për një kohë do të vazhdojnë të jenë përgjegjësi të rezervuara për autoritetet ndërkombëtare KFOR-in dhe UNMIK-un.