Debati mbi ligjin për sigurimin e hapësirës ajrore në Gjermani | Studimi në Gjermani | DW | 03.01.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Debati mbi ligjin për sigurimin e hapësirës ajrore në Gjermani

Tema më e komentuar në shtypin e sotëm është propozimi i ministrit të brendshëm, Volfgan Sheuble, që në rast se kërcënohet siguria në vend prej ndonjë avioni të rrëmbyer nga terroristë, atëherë duhet të jepet urdhër për mbrojtje kundërajrore dhe të hapet zjarr ndaj avionit. Por ky propozim ka hasur në kundërshtim masiv. Edhe komentet e shtypit janë në përgjithësi kundër një mase të tillë sigurie.

Gazeta "Ostsee Zeitung" që del në Rostok përshkruan frontet në këtë debat të zjarrtë: "Opozita është sulur kundër ligjit të ri të ministrit Shojble për sigurimin e hapësirës ajrore. Madje për opozitën ky ligj është si një "liçencë për të vrarë të pafajshëm". Ndoshta ky është një formulim i ekzgjaruar, por shtrohet pyetja a mund të qëllohen vërtetë viktimat, në mënyrë që të mund të parandalosh një katastrofë më të madhe? Rreziku i përgjithshëm nga terrori as sot e kësaj dite nuk duhet nënvleftësuar, as në Gjermani, por nuk ka arsye për të qëlluar dhe më pas të shtrosh pyetje. Kësisoj si ministri i brendshëm edhe qeveria duhet t´i përmbahen gjykimit të gjykatës më të lartë gjermane", komenton "Ostsse Zeitung" duke pasur parasysh vendimin përkatës të gjykatës kushtetuese.

Edhe e përditshmja "Heilbroner Stimme" tërheq vëmendjen lidhur me vendimin e fundit të gjyqtarëve kushtetues në Karlsruhe: "Shojble injoron me arrogancë parimet e gjykatës kushtetuese. Gjyqtarët kushtetues përpara gjashtë muajsh e kanë rrëzuar ligjin për sigurimin e hapësirës ajrore. Pikërisht ky ligj parashikonte hapjen zjarr ndaj avionëve të rrëmbyer me pasagjerë, në mënyrë që këta të zbrisnin në tokë. Eshtë e paimagjinueshme, që të rrezikosh jetë për jetë duke marrë parasysh vdekjen e njerëzve të pafajshëm, theksohet qartazi në gjykimin e kushtetueses", vëren "Heilbroner Stimme".

Në mënyrë të ngjashme argumenton edhe komentatori i "Saarbrücker Zeitung": "Shojble shtron pyetjen e tmerrshme "jetë për jetë", dilemë kjo me të cilën përballet çdo instancë vendimmarrëse në situata të tilla. Por ai që i nënshtrohet një dileme të tillë ka humbur. Terrorizmi mund të mposhtet me përqëndrimin e të gjitha forcave me mjetet tradicionale. Mbetet vetëm një rrezik, që të jetosh me të është më mirë se sa të përshtasësh ligjin themelor me ligjet e atyre, për të cilët jeta s´ka vlerë."

Ndërsa gazeta "Süddeutsche Zeitung" kritikon, se ministri Sheuble po vë në pikëpyetje gjithnjë e më shumë të drejta themelore: "Planet e Sheubles janë përkohësisht kulmi i largimi të rrezikshëm nga policia e shtetit ligjor dhe kodi penal. Të drejtat themelore shihen më shumë si pengesë se sa si udhërrëfyese në politikën e re të sigurisë: kjo vërehet tek ligji i përgjimeve, tek zgjerimi pa kufi i kontrollit të telefonatave, tek rregjistrimi i të dhënave nga interneti, tek regjistrimi i të dhënave biometrike nëpër letërnjoftime apo kontrollet e fshehta ndaj kompjurterave privatë. Ka një tendencë të rrezikshme drejt shprehjes makabre, që e drejtë është ajo që i duhet shtetit. Një mendim i tillë ka forcë djallëzore", shkruan "Süddeutsche Zeitung".

Ndërsa "Manheimer Morgen" hamendëson, se pas iniciativës së ministrit Shojble fshihet një tjetër qëllim: "Me sa duket Shojble nuk e ka aq problem ligjin për sigurimin e hapësirës ajrore, se sa synon në përgjithësi një politikë të re sigurie. Ministri i brendshëm do të ketë mundësinë ta angazhojë ushtrinë brenda vendit jo vetëm në raste katastrofrash si: përmbytjet apo vizitat e Papës, por edhe në luftën kundër terrorizmit. Për ndryshimet e nevojshme në ligjin themelor atij i duhet të bëjë për vete partinë socialdemokrate, gjë që politikani i vjetër i rafinuar synon ta arrijë sipas parimit më të vjetër të politikës së negociimit: të kërkosh sa më shumë, në këtë rast mundësinë për të qëlluar ndaj avionëve civilë, në mënyrë që në fund të përfitosh diçka, e në rastin konkret angazhimin e ushtrisë brenda vendit", tërheq vëmendjen "Manheimer Morgen".

  • Data 03.01.2007
  • Autor DW
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArmI
  • Data 03.01.2007
  • Autor DW
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArmI