A është Irani i gatshëm për kompromis në grindjen atomike? | Politika | DW | 20.02.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

A është Irani i gatshëm për kompromis në grindjen atomike?

Me vëmendje, por pa shpresa të mëdha e kanë hedhur vështrimin nga Moska, SHBA, Izraeli dhe vendet e BE: të hënën Rusia fillon negociatat me Iranin për të gjetur një rrugëzgjidhje nga grindja atomike

Centrali atomik iranian i Bushehrit

Centrali atomik iranian i Bushehrit

"Ne besojmë se bisedimet ruso-iraniane do të zhvillohen sipas planit", i tha Mihail Kamynin, një përfaqësues i ministrisë së jashtme ruse të dielën, agjencisë ruse të lajmeve Itar-Tass. Pas disa ecejakeve, udhëheqja iraniane u tregua e gatshme për të biseduar në Moskë për pasurimin e propozuar të uraniumit iranian në Rusi.

Në kushte të caktuara Irani mund t'a pasurojë uraniumin e tij në Rusi, tha ministri i jashtëm, Manucer Motaki të dielën, siç bën të ditur agjencia e lajmeve Irna. Nëse plani rus çon në një propozim gjithëpërfshirës, Irani do të shfaqë interes për të, tha Motaki. Rëndësi kanë partnerët që do të marrin pjesë, vendi dhe kohëzgjatja e projektit dhe një rënie dakord e të gjitha palëve. Por Motaki ritheksoi, se vendi i tij nuk do të pranojë kushte për nisjen e negociatave. Vendimtare është që Iranit të mos i ndalohet përdorimi i energjisë atomike në vendin e tij, pati thënë presidenti i Parlamentit, Gholam Ali Hadad Adel të premten në një vizitë në Kubë.

Ndërmjetësuesi iranian në Moskë, Ali Hoseinitash i tha televizionit shtetëror, se Irani ka besim tek Rusia. Në qendër të negociatave në Moskë do të jetë lënda djegëse bërthamore uranium. Një pasurim i dobët i saj, nga tre deri në pesë përqind është i mjaftueshëm për prodhimin e energjisë bërthamore. Nëse uraniumi pasurohet në një proces shumë më të komplikuar në afërsisht 90%, atëherë nuk duhet shumë deri sa të arrihet prodhimi i bombës bërthamore.

Rusia druhet nga një bombë atomike në duart e mullave, por njëkohësisht nuk dëshiron t'a humbasë partnerin e rëndësishëm tregtar Iran. Meqenëse Rusia kryeson këtë vit për herë të parë grupin G-8, ajo përpiqet me të gjitha forcat që të shkëlqejë me suksese në politikën e jashtme. Nga një ç'tensionim në konfliktin me Iranin rusët do të përfitonin në plan disapalësh. Irani luan për industrinë ruse të eksportit një rol jo vetëm si blerës armatimesh. Prej vitesh, inxhinjerët rusë po punojnë për ndërtimin e centralit të parë iranian të energjisë bërthamore në Bushehr në Gjirin Persik. Kremlini betohet se ky program nuk ka lidhje me programin bërthamor.

Sipas vlerësimit të diplomatëve perëndimorë në Moskë, në dallim nga SHBA dhe BE Rusia ka një përparësi strategjike në grindjen atomike me Iranin. Udhëheqja e Teheranit të paktën flet me Moskën. Ky do të ishte një hap në drejtimin e duhur.

Ambasada iraniane në Francë deklaroi se Teherani do të ishte i gatshëm në rrethana të caktuara të lejonte sërish kontrolle të palajmëruara të pajisjeve të tij atomike nga ana e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore. Udhëheqja iraniane e ndaloi kontrollin e palajmëruar dy javë më parë, kur Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore ia kaloi grindjen atomike me Iranin Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

  • Data 20.02.2006
  • Autor Deutsche Welle
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqqs
  • Data 20.02.2006
  • Autor Deutsche Welle
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqqs