Zgjedhjet presidenciale në SHBA-s: Kerry dhe Bush premtojnë rritjen e ekonomisë amerikane | Politika | DW | 02.11.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Zgjedhjet presidenciale në SHBA-s: Kerry dhe Bush premtojnë rritjen e ekonomisë amerikane

Ekonomia në SHBA-s po rritet me hapa të shpejta: 3,3% rritje, madje kohët e fundit me një dinamikë tepër të madhe. Por megjithatë bursa e Wall Street shpalli alarmin një natë përpara zgjedhjeve presidenciale. Cmimi i naftës ka thyer çdo rekord dhe defiçiti i prodhimit të përgjithshëm kombëtar ka arritur në 5%.

Xhon Kerry dhe Xhorxh Bush - secili ka një strategji të vetën

Xhon Kerry dhe Xhorxh Bush - secili ka një strategji të vetën

Lufta kërkon tributin e saj. Administrata e Bushit kërkon 70 miliardë dollarë më shumë për Afganistanin dhe rritjen e trupave të saj ushtarake në Irak. Ndërkohë që gjatë kohës së Klintonit si president, SHBA-s kishin një tepricë të buxhetit shtetëror prej 236 miliardë dollarësh, gjatë katër viteve të kaluara pikërisht ky buxhet pësoi një defiçit prej 413 miliardë dollarësh. Gjatë tetë viteve të administratës së Klintonit u krijuan 22 milionë vende pune, ndërkohë që gjatë kohës së Xhorxh Bushit si president u mbyllën mbi 800.000 vende pune.

Sipas shifrave zyrtare numri i papunësisë në SHBA-s është nën 5%. Numri i të ashtuquajturve "working-poor", pra i atyre njerëzve që ndonëse kanë një vend pune vazhdojnë të jetojnë në varfëri, po rritet gjithnjë e më shumë. 15% e të gjithë amerikanëvë jetojnë ndërkohë nën varfëri absolute, tregon Michael Stubbs i koalicionit "homeless", një organizatë për të pastrehët. Këta njerëz nuk kanë asnjë mundësi për shërbim mjekësor, nuk kanë ç´të hanë apo veshje. Sipas Stubbs shumë njerëz ndodhen në prag të të qenurit të pastrehë.

800.000 njerëz janë pastrehë në SHBA-s. Ndërkohë që njerëz si Stubbs luftojnë për rritjen e rrogave minimale, presidenti amerikan Bush ka katër vite që ul taksat për të pasurit në SHBA-s.

Kandidati demokrat për presidentin e SHBA-s, Xhon Kerry, ka premtuar se do ta rrisë rrogën minimale deri në vitin 2007 nga 5,15 në 7 dollarë. Ai do ta anullojë gjithashtu ligjin e Bushit për uljen e taksave për ata persona që fitojnë mbi 200.000 dollarë në vit.

"Dhe këtë do ta bëjmë duke filluar me heqjen e ligjit të taksave të Xhorxh Bushit, ligj ky që nuk e përballojmë dot ekonomikisht" - deklaron Kerry.

Ndërkohë presidenti Bush e akuzon Kerrin se ai do të rrisë taksat për qytetarët amerikanë. Sipas Bushit pa uljen e taksave, sulmet terroriste do ta kishin kërcënuar shumë më tepër ekonominë amerikane.

"Kjo është mënyra e vetme për t´i mbajtur këto vende pune" - ngul këmbë Bush.

Bushi ka deklaruar se me lehtësimet fiskale, do t´u ndihmojë rreth 11 milionë amerikanëve që të kenë më shpejt sigurime shëndetësore. Ndërkohë Kerry do t´u ulë taksat punëdhënësve, në rast se ata u ofrojnë punonjësve të tyre sigurim shëndetësor. Të dyja këto sisteme do t´i kushtojnë shtetit miliarda dollarë. Sidoqoftë Kerry beson se brenda katër vitesh do ta përgjysmojë defiçitin e buxhetit shtetëror. Bush ndërkohë beson se do ta bëjë këtë gjë brenda pesë vitesh. Të dyja këto variante u duken ekonomistëve tepër të pabesueshme.

Sidoqoftë ty dyja palët kanë shumë simpatizantë. Sindikatat mbështesin plotësisht Xhon Kerrin, ndërkohë që punëdhënsit anojnë më shumë nga Xhorxh Bushi.

  • Data 02.11.2004
  • Autor Burkhardt Birke
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqum
  • Data 02.11.2004
  • Autor Burkhardt Birke
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqum