1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet lokale serbe në Kosovë - Të pavlefshme për qeverinë e Kosovës"

5 Gusht 2009

Qeveria e Serbisë paralajmëroi mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në Kosovë për institucionet paralele serbe në Komunën e Prishtinës dhe atë të Pejës. Qeveria e Kosovës thotë se do t'i shpallë të pavlefshme.

https://p.dw.com/p/J45c
Dy të moshuar serbë duke votuar në GraçanicëFotografi: AP

Qeveria e Kosovës do të shpallë të pavlefshme çfarëdo zgjedhjesh serbe, që organizohen në Kosovë, mirëpo nuk do të ndëmarrë vepime të dhunshme që të parandalojë organizimin e zgjedhjeve. Kështu thotë për DW zëvëndëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuqi, pas njoftimeve nga qeveria e Serbisë, e cila ka paralajmëruar se do të organizojë zgjedhje lokale në dy komuna të Kosovës, në Prishtinë dhe në Pejë më datën 16 gusht. Zgjedhjet lokale serbe, që u organizuan në maj të vitit të shkuar, përfshinë edhe Kosovën, por autoritetet serbe thanë se në disa komuna janë vërejtur shkelje të ligjit dhe se Komisioni Zgjedhor i Serbisë ka vendosur përsëritjen e zgjedhjeve për dy komunat, ku besohet se ka një shumicë serbe. Për komunën e Prishtinës zgjedhjet parashihen të mbahen në Gracanicë, jo larg Prishtinës, ndërsa për komunën e Pejës në fshatin Gorazhdevc, i banuar më shumicë serbe. Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuqi, thotë se vetëm institucionet e Kosovës mund të organizojë zgjedhje në Kosovë dhe askush tjetër

“Ne nuk e kemi logjikën e perdorimit të forcës, por paraprakisht do të marrim vendim që ato të shpallen inekzistente, të papranueshme dhe njëkohësisht besoj se organizimi i tyre nuk do të jetë i lejueshëm”, thotë Hajredin Kuqi.

Edhe përfaqësuesit e partive politike shqiptare të Kosovës thonë se qeveria e Serbisë nuk ka mandat që të organizojë zgjedhje në Kosovë, çfarëdo zgjedhjesh qofshin ato, të rregullta, apo të jashtëzakonshme. Ata thonë se çdo institucion në vendbanimet serbe, që merr direktiva nga Beogradi në Kosovë do të cilësohet institucion paralel.

Mirëpo sekretari i shtetit në Ministrinë për Kosovën, Oliver Ivanoviq, thotë se me mbajtjen e zgjedhjeve nuk do të krijohen institucione paralele, meqë sipas tij bëhet fjalë për një territor serb.

Oliver Ivanovic, Serben-Führer im Kosovo
Oliver Ivanovic, udhëheqës i serbëve të Kosovës.Fotografi: AP

“Për ne këto nuk janë paralele. Për ne ato janë të vetmet institucione ekzistuese dhe të vetmet, që populli serb i respekton. Institucione paralele janë ato të tjerat, të cilat dikush tjetër po mundohet të na i imponojë”, thotë Oliver Ivanoviq.

Ministri i Pushtetit Lokal në qeverinë e Kosovës, Sadri Ferati, thotë se qeveria e Serbisë po manipulon me serbët e Kosovës. Ai thotë se Serbia duhet t'i therrasë serbët që të marrin pjesë në zgjedhjet e Kosovës, që do të organizohen me 15 nentor.

Containersiedlung in Gracanica, Kosovo
Barake provizore të serbëve pranë GraçanicësFotografi: Refki Alija

“Ne shprehim keqardhjen tonë të vazhdueshme dhe po punojmë në këtë drejtim që të zbusim dhe të eliminojmë këtë ndikim, që Beogradi akoma ka mbi serbët e Kosovës dhe qytetarët serbë i perdor për politika ditore. Unë mendoj që kualiteti i jetës së qytetarëve sidomos në pushtetin lokal nuk është dashur të jetë pjesë e projeksioneve politike të Beogradit”, thotë ministri, Sadri Ferati.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE, thotë se nuk do të ndihmojë në mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë. Zëdhënësja e këtij misioni në Kosovë, Edita Buqaj, thotë se organizimi i çfarëdo zgjedhjeve në Kosovë tani është kompetencë e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve të Kosovës.

“Roli i OSBE-së ka ndryshuar. Qysh në zgjedhjet e kaluara ne kemi thënë se OSBE-ja gradualisht do të tërhiqet dhe organizimi i zgjedhjeve do të bëhet nga institucionet përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve, pra nga KQZ-ja. OSBE tash ka rol këshilldhënës dhe i ofron asistencë teknike Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve në kuptim të ngritjes së kapaciteteve dhe ngritjes së stafit të KQZ-së”, thotë Edita Buqaj.

Sidoqoftë Serbia edhe në të kaluarën ka organizuar zgjedhje në Kosovë, edhe përkundër kundërshtimeve të vazhdueshme të autoriteteve kosovare. Ndërkohë prania ndërkombëtare në vazhdimësi është deklaruar se nuk i organizon, por as nuk i pengon zgjedhjet e tilla.

Megjithkëto qëndrime serbët e Kosovës të mbështetur nga Beogradi kanë krijuar strukturat e tyre paralele më anë të zgjedhjeve dhe për më shumë se dy vjet ata kanë në funksion edhe Kuvendin e komunave serbe të Kosovës me seli në veri të Mitrovicës.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Angjelina Verbica