050609 Reax USA Obama-Rede
5 Qershor 2009Televizioni konservator Fox News shtroi pyetjen kryesore për shumë amerikanë: a e ka bërë Obama me fjalën e tij botën islame më të sigurt?
"Jo, përkundrazi", mendon Marc Thiessen, i cili dikur shkruante fjalimet e ish - presidentit Bush e tani për këtë televizion komenton fjalimet e presidentit Obama. Nga këndvështrimi i republikanëve, Obama me fjalët e tij në Kajro i takon të paktën në aspektin retorik, "Boshtit të së keqes".
"Presidenti amerikan, me fjalën e tij, i shkon për dore propagandës shumëvjeçare të Al Kaidës", pohon komentatori i Fox - News. Shtypi konservator amerikan në veçanti është i shqetësuar për shkak të pohimeve të presidentit Obama, se Amerika pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001, kohë pas kohe nuk u është përmbajtur traditave dhe idealeve të demokracisë. Fjala është për dhunën e ushtruar në burgun e Guantanamos.
"Obama i ka goditur pas shpine ushtarakët dhe shërbimet tona sekrete - dhe atë mu në Kajro para publikut mysliman", thotë i mllefosur komentatori i Fox-News-it, Thiessen.
Shumë media konservatore pohojnë se Obama e ka turpërurar dhe njollosur vendin e vet, ndërkohë që asnjë herë nuk ka përmendur fjalën "terrorizëm". Mirëpo shumica e mediave amerikane mendojnë ndryshe.
"Pikërisht ky është kontributi më i madh retorik i Obamës", theksojnë televizionet CNN dhe NPR. Obama i ka ikur me shkathtësi fjalës së përmendur kaq shpesh në kohën e Bushit, ndërkohë që ka sulmuar ashpër ekstremistët militantë.
"Një fjalim i shkëlqyeshëm", pohon New York Times duke e quajtur atë si fjalim i fuqishëm, por i balancuar.
"Obama ishte i ashpër ndaj të dyja palëve: palestinezëve dhe izraelitëve", komenton radioja NPR. Kaq fjalë të qarta drejtuar qeverisë izraelite nuk ka folur asnjë president i deritanishëm amerikan. Në këtë mënyrë ka krijuar bazën për bisedime të mirëfillta mes botës islame dhe asaj perëndimore. Megjithë kritikat e konservatorëve, në mediat amerikane mbizotërojnë tonet pozitive ndaj fjalës së presidentit Obama.
Madje edhe kritikët më të mëdhenj të Obamës e pranojnë, se fjala e tij në Kajro ishte shumë e rëndësishme. Fjala e tij bëri shumë të qartë dallimin nga koha e Bushit, si nga forma ashtu edhe nga brendësia.
Autor: Ralf Sina/ Bahri Cani
Redaktoi: Auron Dodi