1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vizita e Merkelit në ShBA & Grindja bërthamore me Iranin

12 Janar 2006

Sot kancelarja Angela Merkel nis vizitën e saj të parë pas marrjes në postit në ShBA. Si në Gjermani edhe në politikën amerikane pritet shumë prej kësaj vizite. Por komentatorët në shtypin gjerman janë të përmbajtur.

https://p.dw.com/p/Arrv
Angela Merkel viziton SHBA-në.
Angela Merkel viziton SHBA-në.Fotografi: Fotomontage/DW

"Mitteldeutsche Zeitung" që del në Halle shkruan: "Rëndësia e vizitës së Angela Merkelit në Uashington mbivlerësohet shumë. Eshtë marrëzi përfytyrimi, se me këtë mund të mbyllet një kapitull i errët në marrëdhëniet gjermano-amerikane, për të cilin është përgjegjës ish-kancelari Gerhard Shrëder. Po aq e gabuar është edhe ideja, se këtej e tutje kancelarja do të përulet përpara presidentit të ShBA, duke i thënë atij lepe peqe. Përkundrazi e vërtetë është që në marrëdhëniet gjermano-amerikane nuk do të ndryshojë shumë. Në një farë mase ato do të mbeten të mira, dhe ato kanë qenë më të mira, nga ç´medohej edhe në kohën grindjes së hapur mes Shrëderit dhe Bushit", vëren "Mitteldeutsche Zeitung".

E përditshmja e Bonit, "General Anzeiger" argumenton ngjashëm: "Rëndësia e personave që veprojnë në politikë ka kohë që mbivlerësohet. Ndërkohë që vazhdimisht nënvleftësohen kushtet strukturore të politikës, pra kryesisht faktorët socialë dhe ekonomikë, si dhe kushtet, që kanë të bëjnë me kulturën, fenë dhe mentalitetin. Ndaj mbivlerësohet kaq shumë domethënia e vizitës së Angela Merkelit në Uashington. Edhe nëse kjo nuk është spektakolare dhe as nuk jep shkas për emocione, në marrëdhëniet gjermano-amerikane nuk do të ndryshojë shumë", komenton "General Anzeiger".

Ndërsa në komentin e "Handelsblatt" lexojmë: "Shpresat duhet të orientohen tek ajo që është e mundur. Raporti midis dy shteteve përcaktohet jo nga simpatitë e kryeministrave të tyre, por nga interesat e përbashkëta dhe ekzistenca e një axhende të përbashkët. (...) Sa ka të bëjë me këtë, del në pah që Gjermania dhe ShBA janë të lidhur ngushtë si në aspektin politik edhe në atë ekonomik, ndërsa në fushën ushtarake ato jetojnë në botë të ndryshme. Mjafton një vështrim në tregtinë në lulëzim dhe në buxhetin në stanjacion për mbrojtjen në Gjermani, për të kuptuar, se në këtë strukturë vështirë se do të ndryshojë diçka. Në Gjermani sërish ka rrezik që opnioni të orientohet më shumë drejt imazhit te shtrëmbëruar të kancelares, se sa në atë që është e mundur", nënvizon "Handelsblatt".

Ndërsa komentatori i "Landeszeitung" të Lyneburgut veçon aspektin e grindjes me Iranin për programin bërthamor: "Nga vizita e Merkelit në Uahsington pritet shumë. Politikanët e ShBA shpresojnë nga vizita e saj tek Bushi "një filim të ri në marrëdhëniet bilaterale". Kancelarja me kërkesën e saj për mbylljen e kampit të Guantanamos e ka mprehur vet tehun. Por kjo temë duket se do të jetë fare e skajshme tani në sfondin e kërcënimit bërthamor në rritje nga Irani. Treshja e BE-së ka dështuar vajtueshëm në misionin diplomatik. Durimit të Uashingtonit duket se po i vjen fundi. Por ende nuk është luajtur karta e fundit diplomatike. OKB-ja duhet të vihet në lëvizje. Kjo organizatë është shpresa e fundit për të neutralizuar një përzierje të rrezikshme shpërthyese mes vakuumit të pushtetit në Izrael dhe marrëzisë së pamasë të besimtarit të zellshëm Ahmedinexhad", shkruan "Landeszeitung".

Po mbi temën e Iranit dhe një citat nga komenti i "Fränkischer Tag", gazeta e Bambergut: "Evropa desh t´i japë një shans diplomacisë, ndërsa Uashingtoni kërcënonte me pasojat, por të dyja palët kanë gabuar. Bisedimet e treshes së BE-së në Teheran u komentuan si dredhi perëndimore. Irani u kap fort pas opcionit bërthamor vetëm pas kërcënimit të ShBA, se "do të çajë aksin e së keqes". Hapi i parë për të dalë nga qorrsokaku është rruga drejt Këshillit të Sigurimit dhe kushti për kthimin e arësyes persianit është vendosmëria e kombeve. Kjo do të ishte edhe një sprovë për fuqitë me të drejtë vetoje Rusinë dhe Kinën. Këto duhet të anullojnë patronazhin disa vjeçar ndaj Iranit në fushën e studimeve bërthamore", tërheq vëmendjen "Fränkischer Tag".