Vazhdimi i kontratës së trainerit Löw pas Kampionatit Botëror në Afrikë
6 Shkurt 2010Megjithë mosmarrëveshjet me Joachim Löw-in, Kryetari i Federatës gjermane të futbollit (DFB), Theo Zwanziger do t'i vazhdojë atij kontratën si trainer i kombëtares gjermane.
"Unë dua ta mbaj atë. Nëse jemi të suksesshëm në Kampionatin Botëror atëherë do të flasë me Löw-in. Po ashtu edhe nëse nuk jemi të suksesshëm unë do të flas me të. Ai do të jetë gjithmonë bashkëbiseduesi im i parë", njoftoi Kryetari i Federatës gjermane të futbollit në një intervistë dhënë për numrin e sotëm (06.02.) të gazetës "Süddeutsche Zeitung".
Zënkat mes Federatës dhe udhëheqjes sportive nuk do të cënojnë lojën e ekipit gjerman në Kampionatin e Afrikës së Jugut
Zwanziger nuk beson se zënkat ndërmjet kreut të Federatës së futbollit dhe udhëheqjes sportive do të rëndojnë mbi kombëtaren gjermane, gjatë Kampionatit Botëror të Futbollit 2010 në Afrikën e Jugut. "Nuk është çështje vendimtare e kombit nëse traineri shkon në turne me një kontratë që vlen ende apo me një kontratë që nuk vlen më". Kontrata e trainerit Löw skadon pas kampionatit botëror. Zwanziger mbrojti ashtu si Sekretari i Përgjithshëm i Federatës gjermane të futbollit, Wolfgang Niersbach kursin pa kompromis sa i përket çështjes së vazhdimit të kontratave për trainerin Löw, asistentëve të tij Hansi Flick dhe Andreas Köpke si dhe menaxherit të ekipit, Oliver Bierhoff.
Kompetencat e Bierhoff nuk do të ndryshojnë
Ai tërhoqi vëmendjen për pritjet e papranueshme financiare dhe dëshirën e Bierhoff-it për një pozitë më të fortë menaxheriale: "Kjo nuk mund të bëhej. Në këtë rast mua do të më duhej që të paraqisja tre apo katër kërkesa për ndryshime në statut. Kjo shtrirje masive e kompetencave do të binte në kundërshtim me parimet themelore të Federatës. Një ekip kombëtar organizuar si korporatë me një Federatë si këshill mbikqyrës - kjo nuk shkon", deklaroi Zwanziger.
Autor: Esat Ahmeti / dpa
Redaktoi: Eliana Xhani