Ushtarët gjermanë ankohen për kushte të këqija në kampin fushor në Afganistan | Gjermania | DW | 02.04.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Ushtarët gjermanë ankohen për kushte të këqija në kampin fushor në Afganistan

Ushtarët gjermanë të stacionuar në Afganistan kanë shfrytëzuar vizitën e kryetarit të Partisë Socialdemokrate Kurt Beck, për tu ankuar për kushtet në kampin e tyre fushor.

default

Të shtunën paradite Kurt Beck me një helikopter udhëtoi nga Uzbekistani për në bazën qendrore të Bundesvehrit në Afganistan. Kushtet në kampin e ushtarëve gjermanë të stacionuar në Masari- Sharif në veri të Afganistanit ishin në qendër të vëmendjes në ditën e parë të vizitës së Beckit në Hindukush.

Shumë ushtarë shfrytëzuan vizitën për tu ankuar tek kryetari i socialdemokratëve dhe kryeministri i landit Rheinland-Pfalz për kushtet e misionit të tyre. Ata tërhoqën vërejtjen për hapësira të ngushta, se janë duke fjetur në shtretër fushor nëpër çadra dhe për mungesë dhe kualitet të ushqimit në kampin më të madh fushor të Bundesvehrit. Po ashtu numri i telefonave për të mbajtur kontaktet me familjet në Gjermani është shumë i vogël. Për 1600 ushtarët e vendosur në këtë kamp ekzistojnë vetëm katër kabina telefonike. Ushtarët druajnë se gjendja mund të përkeqësohet ende me arritjen e 200 ushtarëve shtesë në Masari Sharif, të cilët do të marrin pjesë në mision me gjashtë avionët zbulues të tipit Tornado.

'Nëse humbasim motivimin atëherë do të kemi një problem', tha një ushtar. Kurt Beck premtoi se do të përcjellë shqetësimet e ushtarëve dhe falendëroi ata për punën e tyre. Ata po japin një kontribut që rajoni të ketë një perspektivë në të ardhmen, tha Beck.

'Unë kam ardhur këtu në Afganistan nga njëra anë për të theksuar pjesëmarrjen tonë, interesin tonë si Gjermani në zhvilimin e Afganistanit. Së dyti dua të mbështes ndihmën gjermane për zhvillim këtu në Afganistan. Kjo vlen para së gjithash për bashkëpunimin mes ushtrisë dhe ndihmësve civilë i cili po bëhet paralelisht. Ky është një shembull i cili ndoshta do të vlej edhe për pjesët e tjera të botës', tha Beck.

Në Masari Sharif prej vitit të kaluar Bundesvehri ka përsipër komandën rajonale të Trupës Ndërkombëtare ISAF për tërë veriun e Afganistanit. Në 12 muajt e kaluar në afërsi të aeroportit është ngritur një kamp i madh fushor. Për shkaqe sigurie për vizitën e socialdemokratit Beck në Afganistan është njoftuar vetëm pas arritjes së tij në Masari Sharif.

Vizita e shefit të Partisë Socialdemokrate u krye në prag të dërgimit të gjashtë avionëve zbulues Tornado të kërkuar nga Nato për misionin në Afganistan. Tornadot gjermane pritet që fluturimet e para zbuluese t'i kryejnë në gjysmën e dytë të muajit prill. Bundestagu gjerman ka miratuar misionin me 9 mars. Megjithatë duhet përmendur këtu se një e treta e grupimit parlamentar të socialdemokratëve ka votuar kundër dërgimit të këtyre avionëve në Afganistan. Beck bën pjesë tek dy të tretat që kanë votuar pro dërgimit të Tornadove në Afganistan.

'Unë e konsideroj këtë të nevojshme dhe përcolla nga afër përgatitjet për këtë mision. Unë shpresoj që kështu ne do të kontribuojmë që të ndalojmë gjakderdhjen dhe së shpejti edhe në jug të vendit të krijojmë një gjendje paqësore', tha Beck.

Në jug dhe lindje të Afganistanit trupat e ISAF-it dhe forcat afgane të sigurimit luftojnë kundër talebanëve dhe ekstremistëve të tjerë. Tornadot gjermane do të përkujdesen për sigurimin e informacioneve. Përkundër kritikave të shumta të vendeve anëtare të Natos Gjermania deri tani ka përjashtuar mundësinë e angazhimit të këmbësorisë në luftimet që po zhvillohen në jug të Afganistanit.

Nga Masari Sharif Kurt Beck ka udhëtuar për në kryqytetin Kabul ku ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë ushtarak të trupës ISAF, me vullnetar gjerman për zhvillim dhe politikanë afgan. Gjatë qëndrimit të tij në Kabul Beck nuk përjashtoi mundësinë që të organziohet edhe një konferencë paqësore ndërkombëtare për Afganistanin. 'Ka sinjale të reja për mundësitë e organizimit të një konference të re', tha Bek në Kabul. Sipas tij në konferencë duhet të marrin pjesë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe si vend të mundshëm të takimit përmendi Gjermaninë.

Konferenca e parë ndërkombëtare për Afganistanin është mbajtur në Petersberg të Bonit në vitin 2001. Tre vite më vonë në kryeqytetin gjerman është mbajtur edhe një konferencë tjetër për Afganistanin.

  • Data 02.04.2007
  • Autor Kristof Heinzle
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqwz
  • Data 02.04.2007
  • Autor Kristof Heinzle
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqwz