Unioni Doganor Evropian - një gur i rëndësishëm themeltar për ekonominë drejt rrugës së integrimit politik | Evropa | DW | 22.12.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Unioni Doganor Evropian - një gur i rëndësishëm themeltar për ekonominë drejt rrugës së integrimit politik

Për sigurimin e të ardhurave shtetërore dhe për t´i dhënë drejtim fluksit të mallrave qysh prej më shumë se 5.000 vjetësh në të gjitha epokat dhe kulturat janë vendosur taksat doganore dhe ato të konsumit. Në Gjermani gjurmët e para të doganave të çojnë prapa në kohë deri në periudhën e Perandorisë Romake. Unioni Doganor Evropian ekziston qysh nga viti 1968 dhe përbën hapin e parë drejt unionit të ekonomisë dhe të monedhës së përbashkët.

Dogana në Dresden / sekuestrohen cigare kontrabande

Dogana në Dresden / sekuestrohen cigare kontrabande

Në asnjë aspekt integrimi evropian nuk ka përparuar kaq shumë sa në ekonomi. Qarkullimi i lirë i mallrave, hapja e tregut të brendshëm dhe unioni monetar e kanë shndërruar BE-në në një zonë të fuqishme ekonomike. Realizimi i tregut të brendshëm evropian më 1 janar të vitit 1993 ka bërë që qarkullimi i mallrave midis vendeve anëtare të BE-së të mos mbikqyret nga doganat. Në hapësirën brenda kufijve të brendëshme të BE-së nga Finlanda e deri në Maltë nuk kërkohen më as taksa doganore dhe as taksa konsumi për importe të tilla si cigare, pije apo naftë. Ndërkohë që ndaj të gjithë të ashtuquajturve vende të treta - pra shtetet që nuk bëjnë pjesë në BE - të gjitha shtete anëtare vendosin rregulla të përbashkëta doganore dhe kërkojnë dogana të jashtme unike. Të ardhurat nga qarkullimi i mallrave të Republikës Federale të Gjermanisë që ajo i transferon më tej në Bruksel në vitin 2003 arritën në rreth 2,9 miliardë euro. Një arësye kjo përse ministri i financave Hans Eihel pavarësisht nga zemërgjerësia brenda BE-së kërkon kontroll:

"Gjermania edhe në të ardhmen ka nevojë të ketë dogana të afta për veprim, gjë që aktualisht ekziston. Ndonëse dogana është një nga administratat më të njohura të federatës, është befasues fakti se sa pak njihet puna e kësaj administrate në publik. Dogana nuk ekziston vetëm për të mbledhur taksat në kufi. Dogana është përgjegjëse edhe për garantimin e rrespektimit të ligjeve ekzistuese gjatë qarkullimit të lirë ndërkufitar të mallrave dhe personave."

Me heqjen e kufijve në Evropë ka ndryshuar edhe detyra e administratës doganore të Gjermanisë me rreth 40.000 të punësuar. Në kufirin lindor të Gjermanisë me Poloninë dhe Çekinë qysh nga maji i këtij viti nuk vilen më taksa. Doganierët, disa mijëra nëpunës, pas zgjerimit të BE-së në Lindje janë angazhuar tani në luftën kundër punës ilegale. Sipas ministrit Hans Eihel, e rëndësishme në këtë detyrë të re është që në rrjetën e doganierëve të bien peshqit e mëdhenj dhe jo gjithmonë të vegjlit:

"Nuk është fjala këtu thjeshtë për punën në të zezë. Ata që e bëjnë një gje të tillë janë shumica njerëz të shfrytëzuar që bëjnë punën dhe që edhe nga ato pak të ardhura që marrin u zbriten kostot e strehimit. Këta njerëz vijnë nga vende të tjera dhe shpeh herë qëndrojnë këtu ilegalisht. Për ne është e rëndësishme që të kapen ata që pasurohen duke i shfrytëzuar e plaçkitur këta njerëz. Si rjedhojë e këtij aktiviteti ilegal, ata sipërmarrës që janë të ndershëm paguajnë më shumë duke pasur në këtë mënyrë kushte më të vështira për konkurrencën", tërheq vëmendjen ministri i financave.

Rreth 100 miliardë euro humbasin për arkën e shtetit në Gjermani nga mosshlyerja e tatimeve prej këtyre aktiviteteve kriminale. Ndërkohë që buxheti i rënuar i shtetit, sipas ministrit Eihel, ka nevojë urgjente për këto para.

Përpara vitit 1968 kontrollorët gjermanë hetonin importimin nga vendet fqinjë të mallrave të tilla si cigare apo pije alkoolike. Këtij aktiviteti iu dha fund me themelimin e Unionit Doganor Evropian. Qysh nga ajo kohë BE-ja ka një doganë të përbashkët eksporti. Doganat për eksport-importet mes vendeve anëtare janë hequr. Ndryshe nga zona e tregtisë së lirë si p.sh. ajo Mercosur në hapësirën amerikano-jugore, në BE çdo vend anëtar ka hequr dorë nga poliitka autonome tregtare kundrejt vendeve të treta.

Unioni Doganor Evropian në këtë mënyrë është bërë një gur i rëndësishëm themeli për integrimin e mëtejshëm politik të Evropës. Modeli historik për këtë ka qenë shoqata doganore gjermane e shekullit të 19. Nga themelimi i një shoqate të përbashkët doganore askohe Gjermania mundi t´i bëjë ballë copëzimit në shtete të vogla, gjë që pati si rjedhojë themelimin e perandorisë në vitin 1871.

  • Data 22.12.2004
  • Autor Klaus Feldkeller
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArFT
  • Data 22.12.2004
  • Autor Klaus Feldkeller
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArFT