1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Temë dominuese në komentet e periodikut gjerman është Korea e Veriut dhe armët bërthamore

VFB11 Shkurt 2005

Deklarata e Koresë së Veriut, se posedon armë bërthamore dhe se do tërhiqet nga bisedimet mbi programin e saj bërthamor e kanë befasuar opinionin ndërkombëtar.

https://p.dw.com/p/Arwl
Reaktor bërthamor në Korenë e Veriut
Reaktor bërthamor në Korenë e VeriutFotografi: AP

Ja se si komenton gazeta "FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG": "SHBA qysh prej shumë kohësh hamendësonin, se Korea e Veriut mund të ketë prodhuar një numër të vogël armësh bërthamore. (...) Presidenti Bush që në fjalimin drejtuar kombit kësaj here nuk e zuri në gojë dhe as e la të nënkuptohej këtë çështje, në mënyrë paradoksale mund t´i ketë krijuar përshtypjen Penjanit, se Uashingtoni tani po merret me gjëra të tjera. (...) Por sidoqoftë një gjë nuk duhet të ndodhë: nëse Korea e Veriut vërtetë e ka bombën, bota pas indinjatës për një farë kohe nuk duhet ta pranojë si në rastin e Pakistanit, që tashmë listës së fuqive bërthamore i është shtuar edhe një vend. Kim është një eksportues i zellshëm i raketave dhe teknologjive të tjera të rrezikshme. Kush ia fal atij këtë ngjall lakmi diku tjetër", tërheq vëmendjen "FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG".

"SÜDDEUTSCHE ZEITUNG" analizon politikën e SHBA: "Bushi thejshtë e ka injoruar Korenë e Veriut, sepse rrëzimi i tiranit atje nuk mund të inskenohet aq lehtë sa në Bagdat. Nga ana tjetër ai e ka bërë këtë edhe, sepse nuk dëshiron që të kapet në gabim prej bazës duke u futur në negociata me një njeri si Kim Jong Il. Dhe me të vërtetë vështirë të gjesh një diktator të dytë më të keq se Kim Jong Il. Nën Bill Klintonin SHBA megjithatë kanë zhvilluar bisedime - e në kohën që Klinton u largua, Korea e Veriut ende nuk e kishte bombën. Të gjitha armët bërthamore që posedon tani Kim i ka siguruar gjatë kohës që qeveria e Bushit i mbante mbyllur sytë e veshët. Këtej e tutje përfaqësuesit e vijës së fortë në Uashington do të bëhen me krahë. Qysh pas zgjedhjeve në Irak ata filluan t´i bëjnë llogaritë: njërin e hoqëm qafe nga aksi i së keqes tani janë dy të tjerët në radhë. Por Korea e Veriut nuk është Iraku. Një luftë në gadishullin korean do të shkaktonte disa herë më shumë viktima. Në një studim të Pentagonit në vitin 1990 bëhej fjalë për një milionë të vdekur. E askohe flitej për luftë koncenacionale", vëren "SÜDDEUTSCHE ZEITUNG".

E përditshmja "DIE WELT" komenton: "Korea e Veriut posedon armë bërthamore. A është e vërtetë kjo? Apo ndoshta kemi të bëjmë me një bllof, një gënjeshtër për t´u mbrojtur prej kërcinimit të SHBA për goditje preventive. Tani për tani nuk mund të vërtetohet as njëra dhe as tjetra. Por sidoqoftë: një gjë e tillë mund të jetë e vërtetë e për këtë s´kemi përse të befasohemi, aq më pak SHBA. Uashingtoni qysh prej kohësh ka menduar, se Penjani i posedon të tilla teknologji. Befasues është çasti i shpalljes si dhe tërheqja harbutçe prej bisedimeve midis gjashtë vendeve. Kjo është një goditje për Kinën që drejtonte bisedimet dhe që tani ndodhet përballë një katrahure diplomatike", nënvizon "DIE WELT".

Gazeta "BERLINER TAGESZEITUNG" shkruan: "Me zhurmën për bombat e saj atomike Korea komuniste ka rizgjuar fantazmën e luftës së ftohtë të harruar prej kohësh. Tani Penjani është fuqi atomike. Një diktaturë, që i lë të uritur njerëzit e vet dhe që ekziston vetëm prej ndihmave perëndimore. Që Korea e Veriut mund të bëhej fuqi bërthamore kjo është një provë bindëse: Perëndimi duhet të tregojë forcë dhe ashpërsi, ndryshe diplomacia dështon", thekson "BERLINER TAGESZEITUNG".