1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman i së martës: atentati në Izrael dhe e ardhmja e D. Rumsfeldit

DW18 Prill 2006
https://p.dw.com/p/ArqO


Një atentator vetëvrasës palestinez vrau të hënën në rrugë të hapur në Tel Aviv të paktën nëntë vetë dhe plagosi shumë të tjerë. Ky akt u justifikua nga Hamasët radikalë islamikë, e kjo i revolton komentatorët e të përditshmeve gjermane. Shtimi i zërave për mundësinë që sekretari amerikan i mbrojtjes, Donald Ramsfeld të japë dorëheqjen komentohet gjithashtu në shtypin gjerman.

Fillimisht ESSLINGER ZEITUNG e cila shkruan për atentatin në Izrael:

"Në mënyrë cinike e quan udhëheqja palestineze e Hamasve atentatin si "akt vetëmbrojtjeje". Ai që kishte shpresuar në mrekulli, se Hamasët kur të vijnë në pushtet do të heqin dorë nga terrori, gjithnjë e më shumë po bindet sa gabim e kishte."

WESTDEUTSCHE ALLGEMEINE ZEITUNG që del në Essen mendon ngjashëm:

"Edhe nëse ka mbetur ndonjë dyshim: me deklaratën, se atentati i Tel Avivit është një "akt vetëmbrojtjeje" hamasët islamikë vetëdemaskohen edhe njëherë tjetër si organizatë terroriste cinike. Por hamasët nuk janë një organizatë terroriste çfarëdo, ata janë partia e re në pushtet e palestinezëve; zgjedhjet më të fundit islamistët i fituan qartë. Prej atëherë, fanatizmi fetar, urrejtja nacionaliste dhe dëshira për të vdekur janë ngritur si të thuash në ideologji shtetërore. BE dhe SHBA kanë nxjerrë përfundimet e tyre dhe ia kanë mbyllur rubinetin e parave palestinezëve. Që tani është pikërisht regjimi radikal i mullave të Iranit që është i gatshëm të ndihmojë financiarisht për të mbushur arkat bosh të palestinezëve, kjo është një shenjë tjetër e keqe. Gjendja kërcënon të shkallëzohet."

Kështu beson edhe komentatori i FRANKFURTER NEUE PRESSE:

"A po përvijohet në Lindjen e Mesme një shkallëzim i ri i gjendjes? Një skenar i tillë për fat të keq është më se realist. Në fund të fundit, në rajonet e autonomisë tani është në pushtet një parti, e cila nuk e pranon të drejtën e Izraelit për të ekzistuar. Meqenëse amerikanët dhe BE e panë veten të detyruar që t'i ngrijnë paratë ndihma për palestinezët, mund të pritet edhe që radikalët të fuqizohen më tej, sepse varfëria në zonat palestineze do të shtohet edhe më tej. Atentati i djeshëm mund të aktivizojë reagime të izraelitëve, të cilat mund të çelin një seri të re ngjarjesh të përgjakshme"

Ja edhe HANNOVERSCHE ALLGEMEINE ZEITUNG:

"Zëdhënësi i organizatës palestineze të Hamasve, Sami Abu Suhri tha në një kohë kur nëpër rrugët e Tel Avivit dëgjohej ende sirena e ambulancave të shpëtimit se atentate të tilla bëjnë pjesë në të drejtën e popullit palestinez. Me fjalë të tjera: vrasja me qëllim e civilëve të pafajshëm, shqyerja dhe gjymtimi i tyre mbështetet politikisht. Nuk janë të vjetrit ata që i ndërmarrin këto hapa. Për të kryer këtë akt shfrytëzohen të rinj. Atyre iu ofrohet për aq kohë një përzierje nxitjeje politike dhe përbetimesh fetare, deri sa janë të gatshëm që me sy që u shkëlqejnë të marshojnë drejt vdekjes."

Ndërrojmë temë: shtimi i zërave për një dorëheqje eventuale të ministrit amerikan të mbrojtjes Donald Rumsfeld komentohet në disa gazeta gjermane.

Në KÖLNER STADT-ANZEIGER ndër të tjera për këtë temë lexojmë:

"Kritika e gjeneralëve amerikanë, që tani kërkojnë dorëheqjen e ministrit të mbrojtjes, Donald Rumsfeld prek thelbin e strategjisë së Uashingtonit, histerinë ushtarake dhe paqetësinë politike. Duket se qeveria Bush, nën përshtypjen e sistemit të shkatërruar sovjetik, beson se me presion ushtarak mund ta përshpejtojë aq sa dëshiron politikën."

Në MITTELBAYERISCHE ZEITUNG që del në Regensburg ndër të tjera lexojmë:

"Nëse kritika e gjeneralëve ndaj ministrit të mbrojtjes, që ka marrë formën e revoltës e ruan intensitetin e saj për një kohë të gjatë, do të rritet paralelisht edhe presioni ndaj Xhorxh Bushit. Akoma më fort megjithatë mund të përfshihet në telashi establishmenti "republikan" partiak. Vërtet që në bazë të kushtetutës, në vitin 2008 Xhorxh Bushi nuk mund të paraqesë sërish kandidaturën për president, por republikanët e tij mund të luftojnë që çke me të për ruajtjen e pushtetit në Shtëpinë e Bardhë."

Dhe së fundi THÜRINGER ALLGEMEINE:

"Zjarri ritmik i gjeneralëve amerikanë në pension kundër shefit të Pentagonit është e ngjashme me një revoltë. Vetë ministres amerikane të punëve të jashtme, Kondolisa Rajs iu desh të pranonte në udhëtimin e saj të fundit në Evropë se në Irak ka pasur mijëra gabime taktike. Ramsfeldit nuk iu kujtua pas kësaj gjë tjetër, vecse t'i thoshte asaj i zemëruar se nuk e kupton luftën. Që me shpërthimin e skandalit të torturave në Abu Graib u duk se po lëkundej karrigia e Rumsfeldit. Por edhe këtë herë, Xhorxh Bushi nuk do t'i përulet presionit publik. Të pranojë rrëzimin e ministrit të tij të mbrojtjes do të ishte e barabartë me pranimin e një politike të gabuar në Irak."