Shtypi gjerman i ditës | Studimi në Gjermani | DW | 01.02.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Shtypi gjerman i ditës

Temat: Vendimi për kalimin e çështjes së programit bërthamor të Iranit në Këshillin e Sigurimit dhe konferenca e vendeve donatore për Afganistanin

Konferenca e donatorëve në Londër

Konferenca e donatorëve në Londër

Citojmë fillimisht nga gazeta 'Thüringer Allgemeine', e cila përshëndet vendosmërinë e njëzëshme të fuqive me të drejtë vetoje për kalimin e konfliktit mbi programin bërthamor të Iranit në Këshillin e Sigurimit: "Mesazhi tregon vendosmëri. Mbetet të shihet nëse me rënien dakort të fuqive me të drejtë vetoje për të angazhuar Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në konfliktin mbi programin bërthamor të Iranit është vulosur vërtet fundi i çdo përpjekjeje diplomatike siç ka kërcënuar Teherani. Sigurisht askush nuk mund t'ia mohojë Iranit të drejtën për përdorim paqësor të energjisë bërthamore. Nuk është fjala këtu. Por bomba atomike në duart e mullave është një makth për fqinjët në rajon dhe për të gjithë botën. Irani do të bënte mirë të pranonte ofertën e Rusisë për të pasurimin atje të uranit. Tërheqja nga planet e deritanishme është kushti që duhet plotësuar nga Irani për të shmangur pasojat e Këshillit të Sigurimit."

Gazeta 'Süddeutsche Zeitung' duke rikujtuar përçarjet e mëdha të komunitetit ndërkombëtar në rastin e Irakut, thekson rëndësinë e unitetit mes europianëve, amerikanëve, rusëve dhe kinezëve në përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit me Iranin. Citojmë:"Europa dhe Amerika kanë gjithnjë parasysh shembullin e dhimbshëm të Irakut. Sadam Huseini ishte një mjeshtër i marifeteve dhe përçarjeve. Ai e ndau perëndimin si kurrë më parë. SHBA hynë si pasojë gati të vetme në një luftë shkatërrimtare, Europa ishte tejet e përçarë dhe si rezultat pa asnjë influencë. Këshilla numër një në rastin e Iranit është: unitet, brenda BE-së, me amerikanët, me rusët dhe kinezët. Kjo kërkon natyrisht shumë diplomaci të duruar, por ofron një perspektivë tërheqëse: bindja në fund pas shumë hapash të vegjël e Teheranit për të ndryshuar kurs. Kjo është e vetmja armë e arsyeshme kundër Iranit."

Së fundi mbi të njëjtën temë citojmë nga 'Frankfurter Allgemeine Zeitung': "Tani programi bërthamor i Iranit do të përfundojë aty ku ai në asnjë mënyrë nuk e dëshironte: përpara Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Në mars Këshillit do t'i paraqitet për këshillim një raport i Agjensisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore mbi aktivitetet nukleare iraniane. Ky nuk është në fakt kalimi zyrtar i dosjes por megjithatë diçka: pas një historie faljeje, negociatash të pafrytshme dhe thyerjesh të marrëveshjeve, tema është atje ku e ka vendin. Të këtij mendimi janë jo vetëm ata, të cilët respektojnë rolin qëndror në politikën botërore të Këshillit të Sigurimit. Në këtë mënyrë nuk është vënë në lëvizje ndonjë mekanizëm sanksionues, por është zgjedhur hapur një tjetër mënyrë sjellje, i pëlqen kjo apo jo Iranit."

Ndërrojmë temë. Gazeta 'Mittelbayerische Zeitung' që del në Regensburg komenton konferencën e donatorëve për Afagnistanin. Citojmë:"Askush nuk duhet të ketë iluzione: Afganistani do të ketë nevojë edhe për shumë dhjetëvjeçarë për ndihmën e perëndimit. Vendi i egër në Hindukush nuk është në gjendje as të ushqejë popullin e tij që rritet me ritme të shpejta, e jo më të rrisë mirëqënien e shtetasve të tij. Por a ka kuptim të derdhësh miliarda në një fuçi pa fund? Kësaj pyetjeje i duhet përgjigjur 'Po' pa rezerva. Krahas konsideratave thjesht humanitare ekzistojnë edhe mjaft arsye shumë të forta politike për të mos e braktisur Afganistanin në fatin e vet. Çdo dollar që investohet me kuptim në Afganistan e ruan perëndimin nga importi vrastar i drogës dhe terrorit."

Mbi të njëjtën temë gazeta 'Märkische Oderzeitung' shkruan:" Presidenti afgan, Karsai ka kërkuar që trupat ndërkombëtare të qëndrojnë të paktën edhe dhjetë vjet në Afganistan. Kjo nënkupton angazhin e burimeve shumë të mëdha. Në disa vende perëndimore po zhduket ngadalë shpresa se Afganistani mund të bëhet dikur, diçka më shumë se një protektorat ushtarak që përpin miliarda. Në Hollandë p.sh. ka kundërshtime të forta për stacionimin e 1.200 ushtarëve në jugun e rrezikshëm të Afganistanit. Por nëse vetëm kryeqyeti i vendit Kabul është relativisht i sigurtë nuk mund të ketë besim në të ardhmen. Jo vetëm Afganistani, edhe perëndimi ndodhet në udhëkryq" përfundon 'Märkische Oderzeitung'.

  • Data 01.02.2006
  • Autor Eliana Xhani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arrc
  • Data 01.02.2006
  • Autor Eliana Xhani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arrc