1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman i ditës

14 Nëntor 2003
https://p.dw.com/p/As4L
Planet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për kalim më të shpejtë të pushtetit në Irak në duart e autoriteteve vendase, roli i komisionit ndërmjetësues në politikën gjermane dhe mbyllja e centralit të parë bërthamor në afatin e përcaktuar zënë vend në komentet e shtypit të ditës.

Mbi gjendjen në Irak Frankfurter Allgemeine shkruan:

"E ardhmja e Irakut do të vendoset në çështjen e sigurisë, dhe ndoshta ajo do të vendosë për më shumë. Për këtë arsye trupat, të cilat erdhën si çlirimtare e megjithatë janë pushtuese, nuk do të mund të lirohen nga kjo përgjegjësi. Nga kjo dilemë nuk dilet dolë aq lehtë. Se sa shumë është vënë në rrezik duket se po shihet edhe në Francë. Në qoftë se oferta franceze për bashkëpunim të plotë nuk kufizohet vetëm në kërkesën sterile për vendosjen e pushtetit në Irak nën mbikqyrjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, atëherë ky do të ishte një hap për rigjallërimin e partneritetit të humbur. Meqënëse Uashingtoni ishte bashkëfajtor për grindjen ai duhet t'i japë fund sjelljes prej të vogli duke ndëshkuar Francën. Gjendja në Irak kërkon solidaritet praktik nga të gjithë aleatët."

Berlinezja Die Welt mendon:

"Berlini dhe Parisi kishin kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kalimin më të shpejtë të mundshëm të përgjegjësisë tek irakianët, sikur kjo të ishte aq e lehtë. Tani, natyrisht nën kushte të tjera, amerikanët po fillojnë ta bëjnë këtë gjë. Berlini duhet t'i përmbahet kërkesës së tij të vjetër dhe të mundësojë kalimin e këtyre përgjegjësive, jo për t'u bërë favor amerikanëve, por për të shmangur fatkeqësi të tjera dhe për të kapërcyer ndarjen e evropianëve. Askush nuk mund ta marrë përgjegjësinë e lënies së Irakut në duart e demonëve të tij të vjetër dhe të Evropës në ndarjen e shkaktuar vetë."

Komisioni ndërmjetësues midis dhomës së ulët dhe asaj të lartë të parlamentit gjerman po këshillohet sot mbi reformat e miratuara nga koalicioni kuqegjelbër në dhomën e ulët, por të refuzuara nga opozita në dhomën e landeve, ku ajo mbizotëron. Lidhur me këtë lexojmë në Süddeutsche Zeitung:

"Kjo është një procedurë krejt normale në sistemin federal. Megjithatë mund të mendosh se tani po ndodhin gjëra të padëgjuara, të dënueshme. Komentatorë, politologë dhe koka të tjera që shprehen flasin për një qeveri sekrete, një parlament hije, për një koalicion të gjerë të paspjegueshëm. Kjo nuk ka të bëjë shumë me realitetin. Në Berlin pothuajse asgjë nuk mbetet sekret. Qytetari, nëse i intereson, le të jetë i qetë: gazetat, radiot dhe televizionet do të pasqyrojë dhe analizojë çdo kthesë që ndodh në komisionin që punon me dyer të mbylluara deri më 17 dhjetor."

Krejt ndryshe shkruan Berliner Zeitung:

"Pra bëhet fjalë për çështje vërtet të rëndësishme. Madje disa thonë se bëhet fjalë për aftësinë vepruese të shtetit. Për arsye të rëndësisë së madhe të komisionit ndërmjetësues flitet edhe për parlament hije. Ky është një përshkrim shumë miqësor. Në realitet këtu po zhvillon punime një instancë sekrete. Vetëkuptohet që Gjermania megjithatë mbetet demokraci, por demokraci me realitet kushtetues të vjetëruar."

Mbyllja e centralit të parë bërthamor gjerman në Stade komentohet nga gazeta e Dyseldorfit Handelsblatt:

"Nga këndvështrimi i sotëm është e kotë të vrasësh mendjen nëse pas dhjetë ose pesëmbëdhjetë vjetësh shumicës së gjermanëve do t'i vijë keq për heqjen dorë nga energjia bërthamore, këtë nuk e dimë. Duke pasur parasysh rindërtimin e domosdoshëm të centraleve energjitikë për arsye të çmimeve në rritje të gazit dhe dhe arritjes së pjekurisë për tregun të teknologjive për rrymë elektrike, ekologjike pas dhjetë vjetësh do të jetë e vështirë të ulësh sipas planit emetimin e gazrave që shkaktojnë efektin serë. Ka mundësi që atëherë mbrojtësit e mjedisit të përqafojnë qëndrimin e shfrytëzimit për një kohë më të gjatë të centraleve bërthamore. Por mbi këtë nuk mund ë mbështetet sot kërkesa për ndërtimin e centraleve të tjera bërthamore. Kjo nuk sjell asgjë, vetëm vazhdimin e grindjes për energjinë bërthamore.