1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

210710 Schäuble Paris

22 Korrik 2010

Gjermania dhe Franca kërkojnë sanksione për anëtarët e BE-së, të cilët nuk i përmbahen Paktit të Stabilitetit. Sanksionet duhet të kenë në radhë të parë karakter financiar.

https://p.dw.com/p/ORe5
Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble koordinon punët me Parisin
Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble koordinon punët me ParisinFotografi: AP

"Ne mësojmë nga njëri-tjetri, por asnjëri nuk është mësuesi i tjetrit."

Me këto fjalë ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble donte të thonte se francezëve nuk do t'u imponohet modeli gjerman i politikës së kursimeve dhe buxhetit.

Franca i ka përqafuar vullnetarisht virtutet e një politike të shëndoshë buxheti: përmes një programi radikal kursimesh prej 100 miliardë eurosh ajo synon të përmbushë përsëri brenda tri vjetësh kriteret e Mastriktit. Së bashku me Francën, ministri gjerman i Financave Schäuble kërkon tani të kapërcejë përfundimisht krizën dhe të vendosë piketat për rritjen ekonomike dhe punësimin në Evropë. Së bashku me homologen franceze Christine Lagarde ai ka hartuar një katalog propozimesh. Mesazhi kryesor i tij është: pakti i stabilitetit dhe rritjes ekonomike, i cili dështoi aq rëndë në rastin e Greqisë, duhet të forcohet.

"Ne i kemi vendosur bashkarisht rregullat për Paktin e Stabilitetit dhe Rritjes, dhe Franca e Gjermania janë plotësisht të një mendjeje që këto rregulla duhet t'i respektojmë në tërësi. Ato kanë të bëjnë me stabilitetin dhe pra edhe me reduktimin e deficitit. Por natyrisht edhe me forcimin e aftësisë konkurruese dhe fuqisë së rritjes. Për këtë arsye ajo çka duam bashkarisht dhe që mbështesim bashkarisht është një politikë, që redukton deficitin pa cënuar rritjen ekonomike."


Kontrolli i buxheteve në BE - pa ndërhyrje në të drejtat e parlamenteve kombëtare

Konkretisht kjo do të thotë: kontroll i buxheteve në vendet e BE-së, por pa ndërhyrje në të drejtat e parlamenteve kombëtare. Ankorim ligjor i një objektivi për konsolidimin e buxhetit në të gjitha vendet anëtare, mbikqyrje e kujdesshme e stabilitetit financiar të vendeve, përfshirë këtu edhe borxhin e ekonomive private. Natyrisht për këtë duhen forcuar mekanizmat mbikqyrës dhe duhet të krijohet transparencë. Instituti evropian i statistikave Eurostat duhet të pajiset në këtë kuadër me kompetenca të reja mbikqyrëse dhe duhet të forcohet kompetenca e tij për të dhënë paralajmërime dhe sugjerime politike.

Meqenëse në të kaluarën paralajmërimet ndeshën në vesh të shurdhër, Gjermania dhe Franca duan të zgjerojnë mekanizmat ndëshkues. Në rast shkeljesh të rregullave të vendosura mund të kufizohen mjetet financiare nga fondet e BE-së, por mund të vendosen edhe sanksione politike si heqja e të drejtës së votës për shtetet që shkelin në masë të madhe ose në mënyrë të përsëritur rregullat e vendosura bashkarisht.

"Vendimtare është që të kujdesemi që rregullat e Paktit të Stabilitetit dhe rritjes të funksionojnë më mirë dhe të respektohen më shumë", - u shpreh ministri gjerman i Financave.

Vizita e Wolfgang Schäubles në Paris kishte edhe karakter historik: ai ishte ministri i parë i huaj, që merrte pjesë në një mbledhje të kabinetit qeveritar francez. Kjo në të ardhmen do të ndodhë sa herë të bëhet fjalë për tema, për të cilat të dy vendet duan të punojnë bashkarisht.

Autor: Burkhard Birke/Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi