1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Samit për Iranin në Berlin

Nina Verkeheuzer12 Janar 2006

Në grindjen për programin bërthamor iranian mes Perëndimit dhe Iranit janë ashpërsuar tonet. Në një takim krize në Berlin ministrat e jashtëm të Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së madhe do të konsultohen sot (12.01) për një qëndrim të përbashkët.

https://p.dw.com/p/Aqgf
Centrali bërthamor, Natan në Iran
Centrali bërthamor, Natan në IranFotografi: AP/DigitalGlobe

Të enjten do të sqarohet se ç´qëndrim do të mbajë BE-ja në grindjen me Iranin për programin bërthamor. Të enjten pasdite takohen në Berlin ministri i jashtëm Frank-Valter Shtajnmajer dhe homologët e tij nga Britania e Madhe dhe Franca. Edhe i ngarkuari i BE-së për politikën e jashtme Havier Solana, do të marrë pjesë në takimin që po përgatit qeveria gjermane. Zëdhënësi i ministrisë së jashtme, Martin Jeger: "Ne jemi duke u përgatitur mbi bazën e informacioneve që kemi nga Vjena prej Agjencisë Ndërkombëtare Bërthamore. Po bëjmë një vlerësim rrënjësor të situatës dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me partnerët tanë rusë."

Irani rifillon programin bërthamor

Dy vjet me radhë qeveria gjermane bashkë me Francën dhe Britaninë e Madhe janë duke negociuar me Iranin për programin bërthamor. Qëllimi ishte, të merreshin garanci për përdorimin vetëm civil të uranit të pasuruar në Iran. Por qeveria në Teheran nuk ka qenë e gatshme për këtë.

Ministri i jashtëm Frank-Valter Shtajnmajer u shpreh i zhgënjyer të martën lidhur me rifillimin e programit bërthamor nga Irani, dhe sipas tij ky qëndrim nuk mund të mbetet pa pasoja. Por është ende e hapur se në ç´mënyrë do të ushtrohet presion ndaj Iranit. Një mundësi është që grindja për çështjen bërthamore t´i kalojë Këshillit të Sigurimit, që mund të vendosë sanksione kundër Iranit.

Martin Jeger, zëdhënësi i ministrisë së jashtme, nuk desh të prononcohej, nëse është ky një opcion realist.

Grinda mund t'i kalojë Këshillit të Sigurimit

Qeveria amerikane kërkon ta kalojë çështjen në Këshillin e Sigurimit. Presidenti i ShBA, Xhorxh Bush ndonëse i ka mbështetur bisedimet e Iranit me evropianët nuk e përjashton një qëndrim më të ashpër. Politikanët gjermanë lëkunden mes pazotësisë dhe zhgënjimit. Kryetari i fraksionit parlamentar të partisë socialdemokrate, Valter Kolbov i tha Deutsche Welle-s, se tani po peshohen të gjitha mundësitë për ta kthyer Iranin në tryezën e bisedimeve: "Nëse nuk arrihet kjo, atëherë shtrohet mundësia që çështja të shqyrtohet sërish nga Këshilli i Guvernatorëve të Agjencisë Ndërkombëtare Bërthamore si dhe raportimi në Këshillin e Sigurimit, në mënyrë që çështja të kalojë në nivelin e sanksioneve."

Se çfarë do të vendosin ministrat e jashtëm të Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe, rezultatin kancelarja Angela Merkel do t´ia komunikojë personalisht presidentit të ShBA. Të enjten pasdite ajo niset për në ShBA, ku do të zhvillojë vizitën e saj të parë pas marrjes së postit në Uashington tek presidenti Xhorxh Bush. Grindja me Iranin për programin bërthamor është një nga temat e rendit të ditës.