Saimir Strati shqiptari i parë në Guiness | Ballkani | DW | 05.09.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Saimir Strati shqiptari i parë në Guiness

Saimir Strati, piktori 43 vjeçar nga Vlora u shpall mbrëmë fitues i çmimit Guiness. Ai hapi një faqe të re në Librin e Rekordeve: përdorimin e gozhdës si material artistik. Me gozhdë ai ka krijuar një portret 2 me 4 metra të Leonardo Da Vinçit

Skica të Leonardo da Vincit

Skica të Leonardo da Vincit

Në hollin e madh të Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës në Tiranë, është vendosur autoportreti i njohur i Leonardo da Vinçit. Drita reflektohet ne relievin e tij me nuanca të grisë dhe të argjendit.

Vetëm kur afrohesh pranë, shumë pranë, sheh se portreti eshte një mozaik i vendosur në një pllakë të madhe druri, dhe i realizuar me koka gozhdësh të përmasave dhe ngjyrave të ndryshme.

Saimir Strati, piktori 43 vjeçar nga Vlora, autori i kësaj vepre artistike krejt unikale u shpall mbrëmë fitues i çmimit Guiness. Ai hapi një faqe të re në Librin e Rekordeve: përdorimin e gozhdës si material artistik.

Scott Christie, anëtar i jurise së çmimit Guiness, i ardhur posaçërisht nga Londra në Tiranë është i mahnitur nga mozaiku. „Kjo thotë ai për Deutsche Welle-n, se është diçka krejt unikale dhe spektakolare. Jemi mahnitur. Ka bërë një punë fantastike, për dy vjet me rradhë, ditë pas dite, natë pas nate.“

Ideja e nje mozaiku të punuar me lëndë të papërdorura më parë ishte e vetë piktorit, që gjithmonë pat ëndërruar të kishte emrin në Librin e Rekordeve të Guiness. Fillmisht pat propozuar një portret të Elvis Prestlit me CD. Por ideja nuk i ishte dukur tërheqëse jurisë së Guiness në Londër. Pastaj një ide tjetër: portretin e Da Vinçt me kokrriza rëre, në madhësinë e një thoi. Edhe kjo nuk e kishte entuziazmuar jurinë e famshme.

Të gjitha këto ide dhe të tjera i sheh të realizuara në një ekspozitë me vepra e tij më të zgjedhura. Portrete të bëra në mozaik me copa pasqyrash, mermeri, druri, guri. Dhe mbi të gjitha shkëlqen portret në mozaik i Elvis Preslit, i realizuzar me CD.

Piktoi Saimir Strati, thotë se „Portreti i Leonardo Da Vinçit në mozaik, i realizuar me koka gozhdësh është i dimensioneve 4 me 2 metra. Për të piktori ka harxhuar mbi 400 kg gozhdë.

Scoot Christie tregon se pse ky mozaik do të futet në Librin e Rekordeve të Guiness. „Nuk ka patur asnjëherë një mozaik të bërë me gozhda. Gozhda është gjëja e rëndësishme. Kushdo që do të dojë të konkurojë duhet të përdorë vetëm gozhdën si material artistik dhe duhet të lidhet me ne për të vendosur kriteret.“

Piktori Saimir Strati ka kryer studime për pikturë, në degën e grafikës. Por gjinia që e ka bërë për vete përfundimisht është mozaiku dhe fantazia për të përdorur lëndë artistike krejt të panjohura. Ky frymëzim për të parë në një CD apo copë pasqyre lëndën artistike e ka bashkuar atë me të tjerë artistë në Shoqatën e piktorëve londinezë, që lëvrojnë mozaikun në këtë mënyrë. Zgjedhja e autoportretit të Leonardo da Vinçit duket se nuk ka qenë e rastit për piktorin „ Da Vinçi ishte i dimensioneve, njeriu që e arrinte atë që për të tjerët ishte e paarriitshme“ thotë ai.

Me veprën e tij unikale, autoportretin më të madh që është bërë në botë me gozhdë edhe piktori jep mesazhin e tij. Asgjë nuk është e pamundur. Kjo filozofi e bëri Saimir Stratin shqiptarin e parë, emri i të cilit do të shënohet në Librin Guiness të Rekordeve.

  • Data 05.09.2006
  • Autor Ani Ruci
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arcy
  • Data 05.09.2006
  • Autor Ani Ruci
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arcy
Reklamë