Ryker: Kosova në fazë vendimtare | Ballkani | DW | 09.09.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ryker: Kosova në fazë vendimtare

Intervistë me shefin e administratës së OKB-së në Kosovë, UNMIK, Joahim Ryker.

Joahim Ryker, shef i UNMIK-ut

Joahim Ryker, shef i UNMIK-ut

- Në kuadër të Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore në Zagreb po zhvillon punimet konferenca me temë "Sfidat e bashkëpunimit rajonal". Konferenca zhvillohet me pjesëmarrjen e ministrave të jashtëm të vendeve të rajonit si dhe përfaqësuesve të tjerë të nivelit të lartë nga organizatat dhe inciativat për bashkëpunimin rajonal. Nisur nga bisedimet që po zhvillohen aktualisht për statusin e Kosovës kjo ka qenë një ndër temat e rendit të ditës. I pranishëm në konferencë është edhe shefi i administratës së OKB-së në Kosovë, UNMIK, Joahim Ryker. -

Zoti Ryker kur pritet të përfundojnë bisedimet për statusin e Kosovës?

"Tani ndodhemi në një fazë shumë vendimtare. Sipas mendimit të të dërguarit të posaçëm të Grupit të Kontaktit, bisedimet për statusin duhet që deri në fund të vitit të arrijnë në një zgjidhje. UNMIKU do të bëjë gjithçka për ta mbështetur të dërguarin e posaçëm dhe Grupin e Kontaktit."

Siç u bë e qartë edhe në hapje të kësaj konference Kosova është i vetmi vend në rajon me një situatë të veçantë dhe me një problem që duhet të zgjidhet. Synohet të gjendet një zgjidhje përfundimtare që të jetë e përshtatshme për të dyja palët, pra jo një vendim i njëanshëm. Por siç po shihet është shumë e vështirë një zgjidhje e tillë. Ç´mendim keni ju për këtë?

"Unë besoj, se për të gjithë është e qartë, edhe sot në konferencën e Paktit të Stabilitetit u bë e qartë, se Kosova është pjesëza e fundit në rebusin e Ballkanit që duhet zgjidhur. Marti Ahtisari po ndërmerr gjithçka që për të gjitha komponentët më të rëndësishëm të bisedimeve, që janë çështje konkrete si: krijimi i komunave të reja, mbrojtja e trashëgimisë kulturore, mbrojtja e bashkësive dhe pakicave si dhe çështjet ekonomike, të arrihet një konsensus i gjerë, pra së paku një paketë që të jetë e pranueshme për të dyja palët. Unë jam i bindur që ai do t´ia arrijë kësaj."

I pyetur se si, si do të jetë zgjidhja përfundimtare, zoti Ryker përgjigjet:

"Nëse i përmbahemi këtyre komponentëve të bisedimeve dhe sheh se çfarë mund të dalë prej tyre, natyrisht që mund të kemi disa komuna të reja me kompetenca të reja, si dhe disa vija të reja kufitare të këtyre komunave. Ne në Gjermani kemi një traditë të madhe me vetëadministrimin komunal. Në Gjermani vetëadministrimi komunal është pikërisht parakushti për integrimin e të gjithëve në të tërën e madhe. Pikërisht kështu duhet të jetë edhe në Kosovë. Ky është një përfytyrim. Edhe sa u përket temave të tjera duhet ta shohim në mënyrë të ngjashme. Sapo gjërat të jenë skicuar qartë, çka po ndodh aktualisht, do të arrijmë në etapën e dytë."

Si e sheh shefi i UNMIK-ut, Joahmi Ryker, Kosovën brenda rajonit në të ardhmen?

"Kosova ndërkohë është pjesëmarrëse në të gjitha iniciativat e mëdha në rajon: Në marrëveshjen për energjetikën në Athinë, në marrëveshjen evropiane për mjedisin dhe veçanërisht tani në procesin për zgjerimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë, që ishte edhe temë e konferencës. Pra Kosova merr pjesë në të gjitha këto marrëveshje, me siguri që kështu do të mbetet edhe në të ardhmen."

Së fundi lidhur me përvojën e tij qëkurse ndodhet në Kosovë, Joahim Ryker thekson:

"Unë nuk jam vetëm politikisht dhe profesionalisht i angazhuar në Kosovë dhe në rajon, por unë edhe e dua këtë rajon dhe njerëzit që jetojnë në të. Unë dua të kontribuoj që ata të kenë një të ardhme të sigurtë."

  • Data 09.09.2006
  • Autor Ljubica Letinic/Zagreb
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arck
  • Data 09.09.2006
  • Autor Ljubica Letinic/Zagreb
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arck
Reklamë