1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tschechien Regierungskrise

26 Mars 2009

Rrëzimi i qeverisë çeke pikërisht në momentin kur ky vend mban presidencën e radhës së BE-së, është sipas mendimit të ekspertëve shumë i papërshtatshëm.

https://p.dw.com/p/HJt3

Kjo jo vetëm për shkak se javën e ardhshme mbahet në Londër takimi i G-20 në lidhje me krizën financiare botërore, por edhe sepse tani marrëveshja e Lisbonës për reformimin e BE-së kërcënon të dështojë.

Kryeministri çek Mirek Topolanek, u përpoq t`i minimizonte përpara Parlamentit Evropian pasojat e krizës qeveritare çeke ndaj BE-së. Vota e mosbesimit nuk do ta pengojë presidencën e radhës që të vazhdojë të punojë si deri tani. Dhe vërtet Topolaneku mund të vazhdojë të drejtojë punët deri në zgjedhjen e një qeverie të re. Topolaneku tërhoqi gjithashtu vëmendjen se nuk është hera e parë që gjatë një presidence të radhës përmbyset një qeveri. Gjatë viteve nëntëdhjetë kjo ka ndodhur dy herë dhe nuk ka patur probleme të mëdha në radhët e BE-së. Por ky rast është i veçantë, sepse ndodh në një kohë të veçantë. Bashkimi Evropian po përjeton krizën më të rëndë ekonomike që prej krijimit të tij dhe ka nevojë urgjente për marrëvveshjen reformuese të Lisbonës. Përveç Irlandës, as Çekia nuk e ka ratifikuar atë. Sa i përket krizës ekonomike Bashkimi Evropian nuk ka shumë probleme që në rast nevoje ta përballojë edhe një ndryshim qeverie në mes të periudhës së presidencës së radhës. Po ashtu, as me një drejtues çek të ngathët, siç do të ishte rasti nëse qeveria do të vazhdonte të kryente funksionet deri në fund të periudhës së presidencës. Kjo, sepse aktorët vërtet të rëndësishëm në radhët e BE-së janë shtetet e mëdha si Gjermania, Franca apo Britania e Madhe.

Christoph Hasselbach
Christoph HasselbachFotografi: DW

Edhe fakti që Topolaneku i quajti në Parlamentin e Evropës programet amerikane të shpenzimeve si "rruga drejt ferrit", marrëdhëniet transatlantike nuk do të tronditen. Topolaneku konsiderohet thjesht si "i çuditshëm". Por, askush nuk mund të zërë rolin e çekëve kur është fjala për ratifikimin e marrëveshjes reformuese të BE-së dhe ata mund ta pengojnë në këtë mënyrë të gjithë procesin e reformimit të brendshëm.


Pikërisht këtu qëndron edhe rreziku i vërtetë. Presidenti çek, Vaclav Klaus është tani zoti i ngjarjeve. Ai, një kundërshtar i shpallur i marrëveshjes reformuese duhet të ngarkojë tani dikë me krijimin e qeverisë së re. Tani Klaus mund ta zgjasë këtë gjë sa të dojë, sepse kushtetuta çeke nuk parashikon afate në këtë drejtim dhe natyrisht mund të ngarkojë në këtë detyrë një person, i cili e refuzon marrëveshjen.

Dhoma e Poshtme e Parlamentit e ka ratifikuar disa herë marrëveshjen e Lisbonës, Senati jo. Aty shumicën e përbëjnë senatorët e Partisë koncervatore Demokratike të Topolanekut, ODS dhe shumica e tyre janë kundërshtarë të Lisbonës.

Topolaneku ka kërkuar disa herë brenda rradhëve te ODS-së që kjo ta ratifikojë marrëveshjen. Tani ai i shmanget përgjegjësisë duke thënë se meqenëse nuk e ka më gjendjen nën kontroll, marrëveshja nuk do të ratifikohet.

Në rast se do të ndodhë kjo, ky pikërisht në një moment të tillë do të ishte një sinjal fatal. Kriza ekonomike i ka bërë vendet e BE-së të afrohen më shumë me njëra tjetrën. Ato kanë parë se sa e rëndësishme është të veprosh bashkarisht.

Dështimi përfundimtar i marrëveshjes reformuese mund ta dëmtonte rëndë këtë shpirt të përbashkët. Dhe ironia është se vendet e mëdha të BE-së, ja dalin më mirë mbanë pa marrëveshjen reformuese, ndërsa ato që kanë nevojë më urgjente për të janë vendet e vogla si Çekia.

Autor: Christoph Hasselbach

Redaktoi: Aida Cama