Romi nga Kosova: “Unë jam gjerman- I huaj jam veç në letër” | Shoqëria & Kultura | DW | 03.11.2010
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Shoqëria & Kultura

Romi nga Kosova: “Unë jam gjerman- I huaj jam veç në letër”

Në moshën tetëvjeçare, refugjati rom Elvis Berisha erdhi në një fshat të Saksonisë së Poshtme. Atje ai u bë një shembull integrimi. Në ditëlindjen e tij të 18-të, atij iu tha se do të dëbohej për në Kosovë.

default

Një BMW e errët vozit përgjatë rrugës së ngushtë fushore. Pranë timonit është ulur një burrë shtatlartë me flokë të zeza i cili sheh përreth i përmalluar. "Atje ishte shkolla ime!", thotë Fadil Berisha, duke treguar një ndërtesë të rrënuar, gurët e së cilës ngrihen përtej barit si dhëmbë të rënë dhe shton: "Ndërsa, atje ishte punishtja jonë ku kultivoja patatet."

I biri i tij Elvisi, 19 vjeç, hesht pranë tij. Ai nuk do t´i kujtojë ato kohë të vitit 1997, kur shtëpitë në Kosovë digjeshin dhe e ëma i ngjeshte fytyrën në krahëror dhe i mbyllte veshët, teksa ikte nga ky vend o Kosovës që quhej Istog. Dhe këtë udhëtim në të kaluarën, Elvis Berisha nuk e dëshiroi kurrë, sepse kishte frikë nga ai. Por ai është shanci i tij i vetëm për të vazhduar jetën në Gjermani. Dhe kështu, pas një udhëtimi mbi 30 orësh, ai do të gjendet në Istog, ku do të parashtrojë lutjen për pasaport. Sepse, autoritete gjermane duan t´ia japin lejen e qëndrimit vetëm nëse përligjet identiteti dhe origjina e tij kosovare, një procedurë kjo shumë korrekte gjermane.

Roma Abschiebung aus Deutschland

Kundër kthimit të romëve në Kosovë

Romi nga Kosova shembull integrimi në Gjermani

Elvisi ishte gjashtë vjeç kur erdhi ne Gjermani. Një fëmije rom delikat, me vesh të mëdhenj për kokën e tij të vogël. Ndërkohë, ai është rritur në një të ri i cili për vete thotë se përpiqet gjithmonë për të parë gjërat nga këndi pozitiv. Ndërkohë që politikanët këto ditë para kamerave paralajmërojnë një integrim më të mirë për emigrantët, Elvisi rrëfen për një realiteti tjetër: mungesën e vullnetit të mirë të disa zyrtarëve për të mos njohur ata të cilët kanë ardhur qe shumë kohë në Gjermani.

Integrimi i Elvisit filloi në një sallë sporti në Dingelbe, një fshat pranë Hildesheimit me rreth 1000 banorë. Me 1998, ai u vendos këtu me familjen e tij, e cila ishte e lumtur që i kishte shpëtuar luftës në Kosovë kur si romë që ishin, gjendeshin në mes të të gjitha fronteve dhe fqinjët ishin shndërruar në armiq. Pothuaj çdo ditë, Elvisi ulej në një bankë në sallën fqinjërore dhe shikonte fëmijët e fshatit tek luanin hendboll. "Dikur, trajneri ma hodhi një top edhe mua. Tha se ishin pak dhe nëse do doja të luaja me ta," kujton Elvisi. Prej këtij momenti, Elvisi ishte njëri prej tyre. Ndërkohë, luan në ligën e parë me numrin 26 dhe është golashënuesi mbret i ekipit të tij.

"Tek Elvisin mund të mbështetet njeriu," thotë trajneri i tij, Jirka Strube.

"Elvisi nuk bën asnjëherë gjë gabim," thotë shoku i tij, Sebastian Heiler.

"Elvisi është i dashur, i sinqertë dhe një palaço krejt si unë," thotë e dashura e tij Saskia Sommerfeld, me të cilën janë bashkë qe një vit. "Ne edhe do ta adaptonim Elivisin, vetëm që ai mos të dëbohet," thotë Rosa, nëna e Saskias.

Që nga prilli Elvisi po mëson të bëhet infermier. Punë e vështirë dhe pagesë të vogël, për të cilën shumë gjermanë nuk janë të gatshëm. Është një nga ato punë për të cilën në një shoqëri që po plaket, tregu i punës herëdokur duhet të hap kufijtë. Elvisi në këtë profesion e sheh një të ardhme.

Roma nga ish Jugosllavia në Essen

Roma nga ish Jugosllavia në Essen

Mendimin se jeta e tij në Gjermani është vetëm e përkohshme, e kishte mënjanuar. Prindërit e shkurorëzuar të cilët janë martuar me gjermanë, gëzojnë kaherë lejen e qendrimit. Mirëpo, fëmijët e tyre të përbashkët mund të tolerohen vetëm deri në moshën 18-të vjeçare. Pas ditëlindjes së 18-të, Elvisit i erdhi një letër në të cilën i kërkohej të demonstronte përpjekjet e tij për integrim. Por, kot Elvisi ia tregoi nëpunësit përkatës dëftesën e shkollës me notë të mirë dhe dokumentin se ndërkohë po bënte vullnetarisht punë sociale në Hildesheim. Me 20 Januar 2010, nëpunësi ia dërgoi Elvisit një letër të dytë në të cilën ndër të tjera thuhej: "Ju duhet të lëshoni Gjermaninë sepse nuk posedoni leje qëndrimi dhe në bazë të nenit 60 paragrafi 5 të Ligjit për Lejeqëndrimin, ju njoftoj se në një kohë të shkurtër mund të prisni dëbimin nga Gjermania."

"U ndjeva sikur rashë nga një lartësi e madhe. Asnjëherë nuk e kam vënë në dyshim se unë jam gjerman. Sepse, unë jetoj si gjerman, ndjej si gjerman dhe mendoj si gjerman. I huaj jam vetëm në letër,"- thotë Elvisi.

Përpjekjet e Njeriut për Njeriun

Në Gjermani, rreth 12,000 romë kosovarë janë para debimit, pothuaj gjysma është më e re se 18-të vjeçare. Në prill të këtij viti, qeveria gjermane dhe Republika e Kosovës nënshhkruan një marrëveshje, në bazë të së cilës rregullohet edhe kthimi I refugjatëve të luftës në vendlindjen e tyre. Amnesty International e kritikon marrëveshjen, ngaqë mbi 90 per qind e romëve në Kosovë janë të papunë, qasja e tyre në arsim dhe në shëndetësi është e kufizuar dhe shumica prej tyre jetojnë nëpër kampe jashtë qyteteve. Një fati të tillë i frigohej edhe Elvisi. Shumë javë luftoi kundër këtij fati e bashkë me të, një fshat i tërë i Saksonisë së Ulët. Një të diel të fillimvitit, te kasha u mblodhën shokët e Elvisit, fqinjtë, njerëzit e ekipit si dhe mësuesi i tij i dikurshëm. Edhe dy anëtarë të parlamentit ishin aty. Dhe, teksa kujton ditën kur ai qëndronte mes turmës dhe Saskia ja mbante dorën, Elvisi thotë:

"Kjo ishte e diela më e mirë e jetës simë!"

Aty u ndanë detyrat në mes njëri-tjetrit. Bashkëlojtarët dolën me parrulat: "Kërcënohet dëbimi- ne luftojmë për Elvisin". Një gjyshe e bashkëlojtarit doli më një letër derë me derë dhe për tri ditë të vetme mblodhi 600 nënshkrime. Drejtori i dikurshëm i Elvisit nisi një letër në Zyrën e Emigracionit. Një kopshtar dhe një farmacist, i ofruan punë ndërsa u caktua edhe kush do t´ia paguante avokatin. Për një kohë të shkurtër, Elvisi u bë tema e përditshmerisë së Saksonisë së Ulët. Ndërsa, në një takim, ministri i brendshëm Uwe Schünemann (CDU)e quajti kosovarin e ri "Shembull të integrimit". Pas disa javësh, Komisioni i Landit për Raste të Rënda zyrtarisht dhe njëzëri e ndaloi dëbimin e Elvisit, me kusht që: Elvisi mund të rrinte në Gjermani pasi të siguronte një pasaportë të vendit të origjinës. Ambasada e Kosovës në Berlin, mund të ofrojë pasaporta vetëm pas dy vjetësh. Mbetej vetëm udhëtimi për në Kosovë. Zyra për Emigrim për këtë udhëtim, motrës dhe vëllaut të Elvisit iu dha letërnjoftime gjermane. Dhe, në mënyrë që edhe ata të mos kënë përvojën e Elvisit, ata të gjithë së bashku udhëtuan për në Kosovë.

Adresa e tyre ishte komuna e Istogut, gjatë rrugëtimit drejt së cilës iu binë në sy gratë pa dhëmbë pas tufash me lopë e dhi dhe malet e mbeturinave në mes të ndërtesave. Komuna është e vendosur një ndërtesë dykatëshe, në hyrje të së cilës valon flamuri i Kosovës. Kosova vetëm para dy vjetësh e gjysmë është pavarësuar nga Serbia dhe është njohur nga 71 shteteve, ndër të cilat edhe Gjermania. Në muret e korridorevve varen shenja për antikorrupcion dhe për mospirje të duhanit. Shumica e atyre që presin tymosin duhan, përderisa Kosova si shtet është njohur për korrupsionin.

Pas një procedure të gjatë kërkimi dhe gjetjeje dokumentesh, shumica prej të cilave të djegura gjatë luftës, procedurës së marrjes së pasaportës kosovare duhej t´i nënshtroheshin së pari prindërit e Elivisit, të cilet deri me tani kishin pasaporta të Serbisë. Pasaporta e Elvisit do të ishtë gati pas shtatë ditësh-kumton ofiqari në gjuhën shqipe të cilën Elvisi nuk e kuptonte.

Dhe kështu, në një të shtunë tetori, Elvisi ju kthy serish Gjermanisë me identitet dhe origjinë të përligjur dhe me pasaportin e parë në jetën e tij;si rom i Republikës së Kosovës.

Autor: Antje Windmann (Der Spiegel)/ Ajete Beqiraj

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 03.11.2010
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/PxIF
  • Data 03.11.2010
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/PxIF